Për vitin 2014 administrata tatimore ka nisur procesin e falimentit për plot 117 subjekte, një pjesë e mirë e të cilëve me emra të njohur në tregun shqiptar e me peshë në jetën ekonomike të vendit. Drejtoria e Përgjithëshme e Tatimeve ka bërë publike listën e subjekteve ndaj të cilave kanë nisur procedurat e falimentit ku bien në sy subjekte si “CITY PARK sh.p.k.”, “BELLE AIR SHPK”, “ITALKROM ALBANIA sh.p.k.”, “TAÇI OIL sh.p.k.” apo “TV ALSAT sh.p.k”.
Numri i konsiderushëm i falimenteve vjen për shkak të mjedisit të vështirë ekonomik në të cilin kanë operuar bizneset vitet e fundit. Ndërkaq gjatë gjithë këtyre viteve biznesi ka kërkuar lehtësim të procedurave të falimentit, shkak për të cilin Qeveria ka nisur një projekt të përbashkët me Bankën Botërore për përmirësimin e legjislacionit në këtë kuadër. 


Falimenti
Sipas Nenit 104 të ligjit “Për Procedurat Tatimore”, Administrata tatimore kërkon në gjykatë fillimin e procedurës së falimentimit për tatimpaguesit 2 vjet pas kalimit në statusin pasiv nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit, kur detyrimi tatimor i të cilëve është deklaruar i pambledhshëm, kur deklarojnë rezultat me humbje të kapitaleve të veta për të paktën 3 vite rresht. Kusht tjetër për fillimin e kësaj procedure është edhe vërtetimi që subjektet nuk kanë kryer veprimtari tregtare për një periudhë prej të paktën 2 vitesh nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe kanë detyrime të pashlyera ndaj administratës tatimore prej të paktën 2 vitesh.
Sekuestrot
Për klimë të vështirë të biznesit flet edhe rritja e sekuestrove ndaj sbjekteve veçanërisht gjatë vitit 2013 e 2014. Sipas një studimi të “Open Data Albania”, procesi i vendosjes se sekuestrove konservative mbi aksionarët apo mbi kompanitë ka filluar të aplikohet që nga viti 2010 me një rritje graduale për të pësuar pikun në vitin 2013 dhe 2014. “Kështu vetëm në këto dy vite janë ekzekutuar 201 të sekuestrove konservative  me një kapital që shkon në 969 milionë euro duke zënë rreth 61.9% të totalit të kapitalit nën sekuestro.
Ky trend është në rritje duke marrë parasysh se të dhënat për vitin 2014 janë vetëm për 6 mujorin e parë” thekson shoqata në analizën e vet. Në 138 raste, sekuestro konservative është aplikuar për pjesën e aksionarëve e shoqërive në një vlerë prej 336.5 milionë euro ose rreth 21% të kapitalit nën sekuestro. Ndërsa në 177 raste sekuestro është aplikuar mbi kompaninë në një nivel prej 1.23 miliardë euro duke përbërë rreth 79% të totalit të kapitalit nën sekuestro.