Ekspertë të ekonomisë në Shqipëri që merren me studime të mirëfillta të shkëmbimeve tregtare mes shtetesh mendojnë se duhet të ndahet politika nga ekonomia; çka do të thotë që edhe nëse marrëdhëniet politike mes dy apo tre shteteve të caktuara nuk janë të mira, kjo nuk ka pse të pengojë shkëmbimet tregtare kur interesat dhe përfitimet janë të ndërsjellta.
Shembulli i këtij rasti është Shqipëria, Serbia dhe Kosova, ku pavarësisht politikës, shkëmbimet tregtare janë voluminoze madje për Shqipërinë dhe Kosovën, Serbia është partneri kryesor tregtar me një vlerë importi që llogaritet në miliona euro në një vit.
Aranita Brahaj, drejtoreshë e Open Data Albania, thotë se ekonomia është shtylla e parë dhe pas saj vijnë elementë të tjerë, çka është edhe motoja e politikës së Bashkimit Evropian.
Ndërkohë, eksportet shqiptare drejt Serbisë janë fare minimale, dhe kjo për faktin se ne si vend nuk kemi çfarë të ofrojmë, të paktën për momentin, dhe sipas ekspertëve, ne gabojmë që më shumë i kushtojmë rëndësi teorisë ‘bli shqip’ kur së pari duhet të fokusohemi te teoria ‘prodho shqip’, sepse vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë ta fuqizojmë ekonominë kombëtare.