Open Data Albania po hulumton mbi llojet e taksave kombëtare dhe nivelin e tyre. Ligji nr.  9975, datë 28.7.2008 i azhornuar, e përcakton taksën si një pagesë e detyrueshme dhe e pakthyeshme në Buxhetin e Shtetit që paguhet nga çdo person që ushtron një të drejtë publike ose përfiton një shërbim publik në territorin e Republikës së Shqipërisë. Referuar sërish këtij ligji gjejmë 10 lloje taksash kombëtare: Taksa portuale; Taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin; Taksa e mjeteve të përdorura të transportit; Taksa e rentës minerare; Taksa e akteve dhe e pullës; Taksa e karbonit; Taksa e ushtrimit të veprimtarisë së peshkimit; Taksa e ambalazheve njëpërdorimshme të plastikës dhe të qelqit; Taksa mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror në përdorim; dhe Taksa mbi primet e shkruara. Dy taksat e fundit i janë shtuar listës së taksave në vitin 2014.

Taksa portuale paguhet, për çdo prekje, për të gjitha anijet që prekin portet dhe radat e Republikës së Shqipërisë e që kryejnë veprime tregtare. Kjo taksë ka mbetur e pandryshuar në nivelin prej 1 Euro dhe përgjegjës për mbledhjen e saj është kapiteneria e porteve, e cila i vjel këto taksa drejtpërdrejt ose nëpërmjet agjencive detare, shtetërore apo private.

Taksa e qarkullimit aplikohet mbi benzinën dhe gazoilin. Për mbledhjen e kësaj takse ngarkohen  Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, nëpërmjet degëve të doganave në rrethe, për taksën e qarkullimit për benzinën dhe gazoilin e importuar, si dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nëpërmjet degëve të saj, për benzinën dhe gazoilin e prodhuar në vend. Kjo taksë është aplikuar në nivele të njëjta për të dyja produktet.

Gjatë viteve 2012-2013 niveli i taksës së qarkullimit ishte në masën 7 lekë/litër. Viti 2014  solli një rritje të kësaj takse me 10 lekë/litër, duke arritur në një nivel të taksës prej 17 lekë/litër. Rritja e kësaj takse është përforcuar edhe më shumë në ligjin nr. 157/2014, ku niveli i saj arrin në 27 lekë/litër. Për vitin 2015 do të përjashtohen nga pagimi i taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit anijet e peshkimit.


Burimi: Ligji nr.  9975, datë 28.7.2008 i azhornuar   
Komente dhe Analiza: Open Data Albania   

Taksa vjetore e mjeteve të përdorura aplikohet mbi të gjitha mjetet me vjetërsi mbi 3 vjet. Kjo taksë është e vlefshme për 365 ditë nga moment i pagimit. Taksa vjetore e mjeteve të përdorura llogaritet si prodhim i cilindratës së mjetit në cm kub, koeficientit fiks sipas vjetërsisë së mjetit dhe një takse fikse për llojin e karburantit me të cilin automjeti funksionon. Kjo taksë mblidhet nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, drejtoritë rajonale, para kryerjes së kontrollit teknik vjetor të detyrueshëm të mjetit.

Dy komponentët e pare të llogaritjes së taksës vjetor, siç janë prodhimi i cilindratës së mjetit në cm kub dhe koeficienti fiks sipas vjetërsisë së mjetit, nuk kanë ndryshuar përgjatë viteve duke mos pasur efekt në ndryshimin e madhësisë së kësaj takse. Nga ana tjetër, komponenti i tretë, që është taksa fikse për llojin e karburantit ka ndryshuar duke dhënë efekt të drejtpërdrejtë në madhësinë e taksës vjetore të mjeteve të përdorura. Kështu, në vitin 2012, taksa fikse për naftën ishte 25 lekë, ndërsa për benzinën 20 lekë. Këto taksa u përgjysmuan në vitin 2013 dhe të tilla kanë mbetur edhe në vitin 2015, në një nivel prej 12,5 lekë për naftën dhe 10 lekë për benzinën.


Burimi: Ligji nr.  9975, datë 28.7.2008 i azhornuar   
Komente dhe Analiza: Open Data Albania   

Taksa e Rentës Minerare paguhet nga çdo person fizik apo juridik, që është i licencuar dhe/ose vepron në industrinë minerare, sipas një marrëdhënieje kontraktuale me entin publik për burimet natyrore minerare nga/mbi/dhe nëntoka e territorit të Republikës së Shqipërisë. Renta minerare përcaktohet duke shumëzuar vlerën e përgjithshme të shitjes me shumicë të produktit me përqindjen e rentës, e cila përcaktohet në varësi të mineralit.

Për mbledhjen e rentës minerare ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Doganave në rastin e eksportit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në rastin e shitjeve të brendshme. Niveli i rentës minerare është nga 4 deri në 10%, ku përqindjet specifike në varësi të mineralit jepen edhe në tabelën e mëposhtme. Këto nivele rente janë të njëjta përgjatë viteve 2012-2015.

Përqindja e rentës minerare sipas grupeve, 2015

Burimi: Ligji nr.  9975, datë 28.7.2008 i azhornuar   
Komente dhe Analiza: Open Data Albania



Burimi: Ligji nr.  9975, datë 28.7.2008 i azhornuar   
Komente dhe Analiza: Open Data Albania  

Taksa e akteve dhe pullës mblidhet nga zyrat e gjendjes civile për shërbimet e ofruara qytetarëve. Këto taksa variojnë nga 50 lekë për lëshimin e certifikatave për përdorim brenda vendit dhe deri në 2000 lekë për regjistrimin e shtetasve të huaj, pas dhënies  së shtetësisë shqiptare. Niveli i këtyre taksave nuk ka ndryshuar përgjatë viteve 2012-2015.



Burimi: Ligji nr.  9975, datë 28.7.2008 i azhornuar   
Komente dhe Analiza: Open Data Albania  

Taksa e karbonit aplikohet mbi benzinën, gazoilin, qymyrin, solarin, mazutin, vajgurin dhe koksin e naftës, për ndotjen që i shkaktojnë ambientit. Niveli i kësaj takse për benzinën është 1,5 lekë/litër, ndërsa për të gjitha produktet e tjera është 3 lekë për litër ose kilogram në varësi të njësisë matëse të produktit. Taksa e karbonit mbetet e pandryshuar gjatë viteve 2012-2015.

Niveli i taksës së karbonit, 2015



Burimi: Ligji nr.  9975, datë 28.7.2008 i azhornuar   
Komente dhe Analiza: Open Data Albania  

Taksa e ushtrimit të veprimtarisë së peshkimit mblidhet nga Drejtoria e Politikave të Peshkimit dhe degët e saj në rrethe. Niveli i kësaj takse është i ndryshëm në varësi të llojit të peshkimit dhe mjeteve që përdoren për peshkim. Kjo taksë nuk ka ndryshime përgjatë viteve 2012-2015. Për anijet e huaja që marrin licencë peshkimi në ujërat tona territoriale, taksa e lejes së ushtrimit të veprimtarisë është sa dyfishi i anijeve shqiptare.

Taksa e ushtrimit të veprimtarisë së peshkimit, 2015



Burimi: Ligji nr.  9975, datë 28.7.2008 i azhornuar   
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Taksa e ambalazheve plastike dhe të qelqit zbatohet si në import, ashtu edhe në prodhimin vendas. Taksa e ambalazheve plastike është e njëjtë si për ambalazhin që vjen nga importi ashtu edhe për atë vendas. Vetëm për industrinë vendase të riciklimit kjo taksë është e reduktuar. Aktualisht, taksa e ambalazheve plastike është 100 lekë/kg dhe 50 lekë/kg për ambalazhet e prodhuara nga riciklimi I mbetjeve plastike. Këto nivele taksash janë zbatuar edhe në vitet 2012-2014.

Taksa e ambalazheve të qelqit zbatohet si në import, ashtu edhe në prodhimin vendas. Kjo është caktuar në masën 10 lekë/kg ashtu sikurse ishte në vitin 2014. Në rastin e importit është përgjegjëse administrata doganore për mbledhjen e saj, ndërsa në rastin e prodhimit vendas ngarkohet administrata tatimore për mbledhjen e kësaj takse.


Burimi: Ligji nr.  9975, datë 28.7.2008 i azhornuar   
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Taksa mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror është taksë vjetore. Niveli i kësaj takse është 10 për qind e vlerës së truallit shtetëror në përdorim. Për përllogaritjen dhe vjeljen e taksës mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror ngarkohen drejtoritë rajonale tatimore.

Taksa mbi primet e shkruara, aplikohet mbi të gjitha primet e shkruara me përjashtim të primeve të sigurimit për produktet e jetës, shëndetit në udhëtim dhe kartonit jeshil. Masa e kësaj takse është 3 përqind e shumës së primit. Shoqëritë e sigurimit të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ngarkohen me mbledhjen e taksës mbi primet e shkruara.

Kontribuoi: Ina Baja