Dy muaj para nisjes së fushatës për zgjedhjet e 21 qershorit, Ministria e Financave nëpërmjet Thesarit të Shtetit ka lëvruar fondet për vetëm 6 parti politike të spektrit të majtë.
Ndërkohë që partitë e opozitës nuk kanë qenë pjesë e transaksioneve të degës së Thesarit të Tiranës. Sipas të dhënave të “Open Data Albania”, organizatë që monitoron lëvrimet e fondeve, mësohet se Thesari i Shtetit ka shpërndarë në total fondin prej 51 milionë lekësh, nga të cilat kanë përfituar vetëm partitë e majta.
Fonde nga buxheti i shtetit për zgjedhjet e 21 qershorit ka marrë edhe Partia Kristian Demokrate, kryetari i të cilës është në burgim.
Behët fjalë për partinë me kryetar deputetin Mark Frroku, që ka përfituar nga buxhetit shtetit 1 milion lekë të rinj.
Sipas të dhënave të Thesarit, mësohet se kërkesa është regjistruar në Thesar në datën 19 mars 2015 dhe po të njëjtën ditë është ekzekutuar në formën e transfertës për partinë e Mark Frrokut.
Nga buxheti i shtetit bie në sy fakti se për Partinë Socialiste, kryesorja e maxhorancës, janë bërë në të njëjtën ditë dy transaksione nga Thesari i Shtetit. PSSH-ja ka përfituar në dy transaksione shumë e 35 milionë lekëve. Ndërkohë që transferta e parë prej 17 milionë lekësh është bërë më datë 16 shkurt të vitit 2015, ndërsa pjesa e dytë e 17 milionë lekëve është bërë më datë 1 prill të vitit 2015.
Edhe Partia Demokristiane e Nard Ndokës ka përfituar fondet buxhetore për vitin 2015, me një shumë prej 3.5 milionë lekësh. Për partinë e Ndokës kërkesa është dërguar dhe aprovuar më datë 9 mars të viti 2015.
TË MAJTËT
Në listën e partive përfituese të fondeve buxhetore bie në sy emri i Partisë Socialdemokrate të Skënder Gjinushit, që për këto zgjedhje përfiton 3.5 milionë lekë. Po ashtu në transaksionet e Thesarit të Shtetit është edhe Partia Demokracia Sociale e Paskal Milos, edhe kjo forcë politike ka marrë në total 3.568.436 lekë.
Partia e nënkryetarit të Kuvendit, Vangjel Dule, e cila përfaqë- sohet në Kuvend me një mandat deputeti, ka marrë në total nga fondet buxhetore 4.032.221 lekë. “Panorama” tentoi të komunikojë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për këtë ndarje të parcelizuar të fondeve buxhetore, por nuk mori asnjë përgjigje zyrtare.