Nga një kërkim i thjeshtë në internet mbi çmimet e energjisë elektrike në Kosovë, rezulton që ndër lidhjet e para të sugjeruara të dalin publikime nga mediet në vend që pretendojnë se Kosova ka çmimin më të lartë të energjisë në rajon.
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) në Kosovë vendosi këtë javë që çmimet e energjisë elektrike të mos ndryshojnë duke mbetur në të njëjtin nivel me vitin 2014. Megjithatë, krahas reagimeve të ashpra nga shoqëria civile për rritjet e diskutueshme të vitit që shkoi, një protestë e lajmëruar nga opozita do të përfshijë edhe këtë ndër pikat kryesore.
Ministri i Jashtëm i Kosovës Hashim Thaçi deklaroi sot në Kuvend se çmimi i energjisë elektrike në vend është “rryma e parafundit më e lirë në Europë”. Por sa të larta janë çmimet e rrymës në Kosovë? Të dhënat e paraqitura nga ZRrE nuk flasin për një çmim mesatar, por japin tarifa të ndryshme sipas tre blloqesh tarifore, orareve gjatë ditës dhe stinëve të vitit.
Megjithatë, sipas zyrës së statistikave të Komisionit Europian (Eurostat), referuar të dhënave të vitit 2014, Kosova ka çmimin më të ulët të energjisë elektrike në Europë, me 5.55 cent për kilovat/orë (një përllogaritje alternative e Kallxo.com rezultoi në çmim mesatar edhe më të ulët).
E dyta në listë, për çmime më të ulëta në rajonin e Ballkanit vjen Serbia, me 6.1 cent për kilovat/orë, e ndjekur nga Maqedonia dhe Bosnjë Hercegovina, përkatësisht me nga 7.9 cent për kilovat/orë. Mali i Zi raportohet me një çmim prej 10.3 cent për kilovat/orë.
Ndërsa, Shqipëria ka çmimin më të lartë ndër këto vende, me 11.6 cent për kilovat/orë. Kjo e fundit prodhon energji vetëm nga burimet ujore dhe është në varësi totale ndaj kushteve meteorologjike. Historikisht ka qenë subjekt i importeve të shtrenjta të energjisë edhe si pasojë e keqmenaxhimit.
Nga ana tjetër, vendet më të zhvilluara në Europë paguajnë nga mbi 20 cent deri në 30 cent për kilovat/orë, ndërsa çmimi mesatar i 28 vendeve të BE-së llogaritet në 20.5 cent për kilovat/orë.
Megjithatë, zëra nga shoqëria civile në Kosovë pretendojnë se duke marrë parasysh nivelin ekonomik dhe çmimin e jetesës, qytetarët e këtij vendi e paguajnë rrymën shumë më shtrenjtë se fqinjët.
Tregu i punës në kolaps
Papunësia e përgjithshme në Kosovë raportohet në nivelin 35 për qind, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ndërsa papunësia ndër të rinjtë vlerësohet në nivelin 55.3 për qind. Kosova është vendi me popullsi më të re në Europë, me një moshe mesatare prej 26.3 vjeç.
Sipas Bankës Botërore, i njëjti tregues llogaritet në 41.3 për qind në Malin e Zi, 49 për qind në Serbi, 52.2 për qind në Maqedoni, 28.7 për qind në Shqipëri, 60 për qind në Bosnje Hercegovinë. Kjo e fundit shënon edhe normën më të lartë të papunësisë në të rinjtë. Bosnja ka gjithashtu një moshë mesatare prej rreth 40 vjeç, çka flet për një popullsi shumë më të vjetër sesa Kosova.
Sipas një vlerësimi të Open Data Albania (referuar Eurostat), Kosova ka nivelin e dytë më të ulët të pagës minimale në rajon prej 170 euro në muaj, duke tejkaluar vetëm Shqipërinë me pagë 157 euro në muaj. Vendet e tjera të rajonit shënojnë paga më të larta se ato shqipfolëse.
Paga minimale është statistika më e qëndrueshme mbi këtë kategori sepse përcaktohet me ligj dhe të paktën zyrtarisht, nuk varet nga luhatjet afatshkurtra të tregut, ndryshe nga paga mesatare, e cila mund të pësojë ndryshime edhe në harkun e një kohe të shkurtër.
Mali i Zi ka një pagë minimale mujore prej 288 euro në muaj, Maqedonia 214 euro, Serbia 235 euro dhe Kroacia 396 euro. Ndërkaq, paga minimale në Gjermani, duke filluar nga janari 2015 është 1473 euro në muaj.
Paga mesatare e këtyre vendeve është një tjetër histori. Burime të ndryshme japin të dhëna të ndryshme, duke qenë se zyrat e statistikave dhe institucione të tjera zbatojnë metodologji jo të njëjta për matjen e këtij treguesi.
Megjithatë, Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë raporton një pagë mesatare prej 360 euro në muaj, duke theksuar se “ajo është më konkurrentja në Evropë”, çka mund të përkthehet si “më e ulëta”.
Sipas analizave të bëra nga Anadolu Agency (AA), publikuar në shtator 2014, bazuar në të dhënat e agjencive të statistikave të vendeve përkatëse, paga më e ulët mesatare në Ballkan ishte në Maqedoni, me 352 euro në muaj. Sllovenia, prej kohësh anëtare e Bashkimit Europian, shënoi pagën më të lartë për vitin 2014 me mbi 1000 euro në muaj.
Kroacia, gjithashtu pjesë e klubit europian, llogaritej me një pagë mbi 720 euro. Jashtë hartës virtuale të anëtarësimit, paga mesatare mujore në Serbi u raportua në mbi 380 euro, ndërsa në Malin e Zi, mbi 470 euro. Paga mesatare në Bosnjë Hercegovinë llogaritej mbi 420 euro.
Shqipëria u vlerësua me një pagë mesatare prej rreth 370 euro në muaj, pak më shumë sa ajo e raportuar për Kosovën, e cila megjithatë nuk mbulohet nga studimi i AA. Vlerësimi i këtij të fundit merr parasysh të dhëna statistikore deri në gusht të vitit 2014, ndërsa paga mesatare është një tregues që ndryshon vazhdimisht sipas luhatjeve dhe zhvillimeve ekonomike të çdo vendi.
Ekonomia më e dobët
Sipas deklaratës përmbyllëse të misionit të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë (FMN), në fund të muajit mars 2015, rritja ekonomike në vend ka qenë e “arsyeshme dhe në disa mënyra, më elasike [për t’iu rikthyer ritimit të rritjes pas periudhës së krizës ekonomike] sesa vendet fqinje. Por një rritje më e shpejtë është e nevojshme për të krijuar vende pune dhe për të ulur varfërinë”.
Një tregues tjetër i ekonomisë së një vendi, GDP (Prodhimi i Brendshëm Bruto – PBB) për frymë, tregon se Kosova renditet më dobët se të gjitha vendet e rajonit, sipas Bankës Botërore.
GDP-ja për Frymë e Kosovës llogaritet në 8,883 dollarë, ndjekur nga Bosnjë Hercegovina me 9530 dollarë dhe Shqipëria me 9930 dollarë. Maqedonia ka një GDP për frymë prej 11,610 dollarësh, Serbia 13,000 dollarë dhe Mali i Zi 14,130 dollarë.
GDP paraqet vlerën me çmimet e tregut të të gjitha mallrave dhe shërbimeve të prodhuara brenda një shteti në një periudhë të caktuar. Zakonisht ky tregues analizohet në bazë vjetore. GDP-ja për Frymë e ndan këtë vlerë sipas numrit të banorëve të një vendi.
Ndërsa Kosova vërtet mund të ketë çmimet më të ulëta të energjisë në Europë – edhe pse Serbia që ka qendrën kryesore të shpërndarjes së energjisë në Ballkan – ajo mbetet edhe ekonomia më pak e zhvilluar dhe shteti më i varfër në Ballkan dhe Europë.