Open Data Albania ka kryer një hulumtim mbi normat e interesit në Shqipëri bazuar në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, për periudhën 2009, deri në mars të vitit 2015. Norma e kredisë është një tregues i normës mesatare të kredive të dhëna nga bankat e nivelit të dytë për afate 1-vjeçare. Ndërkohë norma e depozitave është një tregues i normës mesatare të depozitave të vendosura në bankat e nivelit të dytë për të njëjtin afat.

Diferenca midis normës mesatare të kredive dhe depozitave përbën “spread-in” e normave të interesit. Norma reale e interesit është diferenca midis normës nominale të interesit te bonove te thesarit dhe inflacionit 1-vjeçar. Primi i riskut në huadhënie është diferenca midis normës së kredisë 1-vjeçare dhe normës së bonove të thesarit me afat maturimi të njëjtë.

Grafikisht norma mesatare e kredive ne LEK dhe EUR në 5 vitet e fundit paraqitet si më poshtë:


*Deri ne mars 2015
Burimi: Banka e Shqipërisë
Analiza dhe Komentet: ODA

Norma mesatare e depozites 1-vjeçare në LEK dhe EUR në 5  vitet e fundit paraqitet si më poshtë:


*Deri ne mars 2015
Burimi: Banka e Shqipërisë
Analiza dhe Komentet: ODA

“Spread-i” Kredi – Depozita (diferenca midis normës së interesit të kredisë dhe depozitave):


*Deri ne mars 2015
Burimi: Banka e Shqipërisë
Analiza dhe Komentet: ODA

Në 2009, norma mesatare e kredisë 1-vjeçare në LEK ishte 15.71%, dhe ne fund te marsit 2015 ishte 8.85%, pra një ulje prej rreth 7%. Në të njëjtën kohë norma e depozitës 1-vjeçare në 2009 në LEK ishte 6.75%, ndërsa në fund të marsit 2015 ishte 1.46%, pra një ulje prej 5.3%.  Për rrjedhojë “spread-i” kredi-depozita (që përbën edhe faktorin kryesor të fitimit bruto të bankave) është ulur gjatë periudhës, nga 8.96% në 7.39% në monedhën lek.

Ndërkohë, norma reale e interesit paraqitet sipas grafikut të mëposhtëm:


*Deri ne mars 2015
Burimi: Banka e Shqipërisë
Analiza dhe Komentet: ODA

Norma reale e interesit llogaritet si diferenca midis normës së interesit me të cilën merr borxh qeveria (norma e bonove të thesarit), kundrejt normës së inflacionit. Ajo ka ndjekur të njëjtin trend sikurse norma e bonove të thesarit 1-vjeçare, duke qenë se inflacioni ka qenë lehtësisht i luhatshëm, por nën kontroll.

Në 2009 norma reale e interesit ishte 5.41%, ndërsa në fund të marsit 2015 ishte 1.42%. Pra për një investitor që blen bono thesari 1-vjeçare, kthimi real është ulur me rreth 4%, ndërkohë që për qeverinë ndodh e kundërta, kosto reale e huamarrjes është ulur me po të njëjtën shumë.

Primi i riskut te huadhënies tregon normën shtesë të kthimit që kërkohet nga kredidhënësi (bankat) për të dhënë kredi, kundrejt alternativës tjetër, që është investimi në bono thesari qeveritare (pa risk). Si rrjedhojë mund të përdoret si një indikator i mirë i riskut në një ekonomi (p.sh i riskut të mos shlyerjes së kredive). Ajo llogaritet si diferenca midis normës së kredisë 1-vjeçare dhe normës së bonove të thesarit me afat maturimi të njëjtë.

Grafikisht në vitet e fundit paraqitet:


*Deri ne mars 2015
Burimi: Banka e Shqipërisë
Analiza dhe Komentet: ODA

Sikurse mund të shihet edhe nga grafiku, primi i riskut të huadhënies është ulur në vitet e fundit, duke arritur në 5.26% në mars të 2015, krahasuar me 6.57% në vitin 2009. Kjo tregon për një risk më të ulet në ekonomi, sidomos ne dy vitet e fundit.