Borxhi i jashtëm del jashtë kontrollit. Të dhëna shqetësuese pasqyrohen në grafikun për nivelin e borxhit që nga viti 2007, ku vihet re se gjatë muajve të parë borxhi është rritur me 331 milionë euro. Shifrat janë bërë publike nga “Open Data Albania”, organizatë e cila ka analizuar ecurinë e borxhit të jashtëm bruto dhe dinamikën e këtij borxhi në vitin e fundit. Bëhet fjalë për të gjithë borxhin e jashtëm që ka ekonomia, përfshirë atë publik dhe atë privat. Sipas të dhënave në fund të tremujorit të parë të vitit 2015, vlera e borxhit të jashtëm bruto të Shqipërisë ishte 6.997,4 milionë euro. Gjatë këtij tremujori stoku i borxhit u rrit me rreth 331 milionë euro.  
 
Në krahasim me fundin e tremujorit të parë të vitit 2014, stoku në tremujorin e parë të 2015 është rritur me 757 milionë euro. Duke bërë një krahasim të borxhit që nga viti 2007 shihet një trefishim i tij. Në 2007 niveli i borxhit të jashtëm bruto ishte 2.090,90 milionë euro, ndërsa në vitin 2005 ai është 6.997,40 milionë euro. Sa i përket viteve të tjera, në 2008-ën niveli i borxhit pësoi rritje me 47.3%, duke shkuar në nivelin 3.078,90 milionë euro.
Trendi i rritjes së borxhit të jashtëm ka vijuar për të gjitha vitet e tjera me radhë duke u rritur nga 7-19 për qind. Në vitin 2009 ai u rrit me 7,6%, në 2010-ën me 18.2% dhe në 2011-ën me 17.4%. Rritja më e madhe e tij pas vitit 2007 ishte ajo e vitit 2012, pasi niveli arriti në 5.512,70 milionë euro, duke u rritur me 19,95 krahasuar gjithmonë me një vit më parë. Edhe në vitin 2013 rritja ka vijuar me 12.1%, ndërsa gjatë viteve 2014 dhe 2015 niveli i borxhit është rritur respektivisht me 7.9% dhe 5% në vitin aktual.    
Fushat ku është rritur borxhi
Sipas statistikave, rreth 81% e stokut të borxhit është borxh afatgjatë kryesisht në formën e huave, ndërsa pjesa tjetër është borxh afatshkurtër kryesisht i marrë nga sektori bankar. Qeveria është sektori më i zhytur në borxhe, duke pasur afërsisht gjysmën e tij. Këshilli i Ministrave zë 41% të vlerës së përgjithshme. Më pas vjen sektori bankar, i cili zë rreth 19% të nivelit. 1.1% e tij është borxh i marrë nga Banka e Shqipërisë, ndërsa pjesa tjetër nga bankat e nivelit të dytë. Ndërsa 23 për qind e borxhit të jashtëm i përket kompanive të ndryshme. Sipas ekspertëve të “Open Data Albania”, kur rritja e borxhit të jashtëm është shumë më e lartë se rritja e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) apo investimeve të një vendi, atëherë ajo mund të krijojë probleme në një ekonomi.   


Ata janë shprehur në publikimin e të dhënave se kjo problematikë përshkallëzohet në kushtet kur interesat për këtë borxh rriten në mënyrë të djeshme. Në bazë të përllogaritjeve të bëra prej tyre, Produkti i Brendshëm Bruto gjatë viteve të fundit është rritur me rreth 2-3%, ndërkohë që borxhi i jashtëm është rritur me mesatarisht 19% çdo vit. Krahasuar nga shifrat katastrofa me borxhin është bërë gjatë periudhës që në qeveri ishte Sali Berisha. Që prej vitit 2007 dhe deri në vitin 2013 borxhi ka shkuar nga 2.090 milionë euro në 6.177 milion euro. Kjo bëri që pas largimit nga pushteti të linte një gropë gjigante në ekonomi.