Më shumë se gjysma e bizneseve debitore ndodhen në Tiranë. Aktualisht në vend janë mbi 112 ndërmarrje aktive. Por tek një në dhjetë kompani rëndon barra siguruese dhe hipotekore për mospagim të detyrimit tatimor, duke penguar mundësinë e investimeve apo edhe shitblerjes së këtyre kompanive
Ndryshimet e miratuara vetëm pak ditë më parë nga Parlamenti në ligjin për procedurat tatimore, kanë rritur edhe më shumë kërbaçin tatimor ndaj bizneseve, duke i kryqëzuar këto të fundit. Kësaj here, situata aspak e mirë konfirmohet nga Open Data Albania, e cila bën me dije gjatë një deklarate për mediat se mbi 10% e bizneseve në vend, janë të bllokuara ose po i nënshtrohen sekuestrimit, pasi nuk kanë paguar në kohë detyrimet tatimore. 
Sipas një vlerësimi të ODA-s në fund të muajit gusht mbi 13 mijë biznese rezultojnë të bllokuara për këtë arsye. Rritja e përshpejtuar e bizneseve nën sekuestro, ka ndodhur vitin e kaluar, kur u shënuan mbi 4500 sipërmarrje me borxhe ndaj tatimeve. Më shumë se gjysma e bizneseve debitore ndodhen në Tiranë. Aktualisht në vend janë mbi 112 ndërmarrje aktive. Por tek një në dhjetë kompani rëndon barra siguruese dhe hipotekore për mospagim të detyrimit tatimor, duke penguar mundësinë e investimeve apo edhe shitblerjes së këtyre kompanive. 
Nga ana tjetër, edhe me miratimin e ligjit për procedurat tatimore, ekspertët paralajmerojnë se do të rritet shumë më tepër numri i bizneseve nën peshën e bllokimit dhe sekuestros nga tatimoret. Numri p bizneseve që rrezikojnë sekuestron është dyfishuar kundrejt 1 janarit të vitit 2014, kur numri i subjekteve persona tatimorë që rezultonin nën masë sekuestro për shkak të mospagimit të detyrimit tatimor në afat shënonte gjithsej 6608 të tillë. 
Rrethi me më shumë subjekte tatimore për të cilat janë vendosur masa të sigurimit mbi pasurinë për ekzekutim të detyrimeve tatimore është Tirana me 6923 subjekte ose 52% të totalit. Open Data Albania hulumton se në krahasim me 1 janarin e 2014, ky numër për Tiranën është rritur mbi dy herë, pasi në janar 2014 numri i subjekteve nën masa sigurimi për pasurinë për shkak të detyrimeve tatimore të papaguara në Tiranë ka qenë 3742. Ndërkohë rrethet e tjera shënojnë përkatësisht Fieri 13% të totalit, Durrësi 11%, Berati 6%, Vlora 4% etj. 
Administrata Tatimore nga ana e saj nuk bën ndonjë publikim se sa është borxhi tatimor i secilit subjekt apo vlera e mbledhur nga sekuestro për llogari të autoriteteve tatimore. Aktualisht në vend ekzistojnë 112 537 ndërmarrje aktive, duke na rezultuar se numri i subjekteve tatimore me barrë siguruese dhe hipotekore për mospagim të detyrimit tatimor, ka kaluar masën e 10% të totalit të ndërmarrjeve çka flet për një situatë jo pozitive për subjektet ekonomike në vend.