Open Data Albania ka bërë publike hulumtimin, lidhur me subjektet tatimpaguese, të cilat në 31 Gusht 2015 kanë rezultuar nën masa bllokuese të pasurisë për detyrime tatimore të papaguara në afat.
Bazuar në legjislacionit tatimor, të gjithë tatimpaguesit që nuk paguajnë detyrimet tatimore në afat konsiderohen subjekte të borxhit tatimor. Administrata tatimore vendos marrjen e masave te sigurimit mbi pasuritë me qëllim ekzekutimin e detyrimeve dhe fillimin e procedurave për mbledhjen me forcë të tyre.
Më 31 Gusht 2015, rezultojnë 13 242 subjekte të bllokuara për mosshlyerje të detyrimit tatimor.
Ndër këto subjekte pjesa kryesore janë penalizuar për detyrime tatimore të papaguara në vitin 2014 konkretisht 4 561 persona të tatueshëm.
Sipas analizës nga ODA, ky numër është rritur duke u dyfishuar kundrejt 1 janarit të vitit 2014 kur numri i subjekteve persona tatimorë që rezultonin nën masë sekuestro për shkak të mospagimit të detyrimit tatimor në afat shënonte gjithsej 6608 të tillë.
Rrethi me më shumë subjekte tatimore për të cilat janë vendosur masa të sigurimit mbi pasurinë për ekzekutim të detyrimeve tatimore është Tirana me 6923 subjekte ose 52% të totalit. Open Data Albania hulumton se në krahasim me 1 Janarin e 2014, ky numër për Tiranën është rritur mbi dy herë pasi në janar 2014 numri i subjekteve nën masa sigurimi për pasurinë për shkak të detyrimeve tatimore të papaguara në Tiranë ka qenë 3742.
Ndërkohë rrethet e tjera shënojnë përkatësisht Fieri 13% të totalit, Durrësi 11%, Berati 6%, Vlora 4% etj.
Administrata Tatimore nga ana e saj nuk bën ndonjë publikim se sa është borxhi tatimor i secilit subjekt apo vlera e mbledhur nga sekuestro për llogari të autoriteteve tatimore.
Aktualisht në vend ekzistojnë 112 537 ndërmarrje aktive duke na rezultuar se numri i subjekteve tatimore me barrë siguruese dhe hipotekore për mospagim të detyrimit tatimorë, ka kaluar masën e 10% të totalit të ndërmarrjeve çka flet për një situatë jo pozitive për subjektet ekonomike në vend.
Numri i subjekteve nën peshën e bllokimit dhe sekuestros për mospagime në afat të borxheve tatimore pritet të rritet ndjeshëm pas ashpërsimit të legjislacionit tatimor dhe operacioneve të inspektimit në terren.