Janë 13 biznese të mëdha në Shqipëri që kanë falimentuar, për shkaqe të ndryshme, por që përgjithësisht kanë të bëjnë me kreditë e marra nëpër banka të ndryshme.
Raporti është përgatitur nga Open Data Albania që po hulumton lidhur me subjekte të kategorisë së tatimpaguesve të mëdhenj të cilët janë nën faliment si dhe detyrimet që ata kanë ndaj sistemit bankar.
Lista e subjekteve të falimentit është marrë nga faqja zyrtare e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve DPT për Shtator 2015, ndërsa vlera e kredive është marrë nga pasqyrat kontabël dhe të tjera dokumente të pasqyruara në ekstraktet e secilës shoqëri, publikuar në web-in e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit QKR.
Sipas DPT rezultojnë në total të jetë 13 numri i subjekteve tatimpagues të mëdhenj nën Faliment. 7 prej tyre sipas bilanceve rezultojnë me kredi në Banka të Nivelit të Dytë.
Sipas hulumtimit janë 7.18 miliard lek kredi, leasing apo overdraft cilësuar tashmë kredi me probleme që u përkasin shtatë subjekteve tatimpagues të mëdhenj nën sekuestro dhe falimentim. Të detajuara sipas kompanive dhe sipas bankave këtu.
Tatimpaguesi i madh që ndodhet nën faliment dhe njëkohësisht ka vlerën më të lartë të kredive të hapura është “City Park” me një detyrim të reflektuar në pasqyra kontabël, prej 3 696 963 347 lekësh ndaj sistemit bankar. Nga këto 242 495 818 lekë (Credins Bank), 163 789 683 lekë (Union Bank), 46 749 709 lekë (Credins Leasing), 3 243 928 137 lekë (Raiffeisen Bank & Tirana Bank). Kapitali i tij, i cili ndahet Avni Ponari (21%), Bedri Rryta (5%), Artan Mene (62%), Arian Mene (2%), Eduart Ibrahimi (5%), Aleksandër Pilo (5%). Kapitali themeltar shënon një vlerë prej 100 000 lekë.
Edhe “Taçi Oil shpk” kuotat e të cilit janë 100% nën emrin e Rezart Taci ka një vlerë të lartë të kredive të hapura. Përkatësisht, 208 395 000 lekë (Tirana Bank), 248 466 023 lekë (ISP), 380 000 000 lekë (Credins Bank), 359 738 427 lekë (Raiffaisen overdraft) dhe 541 150 248 lekë (ISP overdraft).
Për subjektet CTC Computers sh.p.k., City Park sh.p.k., Europrogres sh.p.k., Fisheku sh.p.k., Taci Oil sh.p.k. dhe Kuid sh.p.k. është vendosur masa e sekuestros.
Në rastet e analizuara nga Open Data Albania, janë konsideruar vetëm kredi të karakterit bankar të marra drejtpërdrejt nga shoqëria dhe nuk janë reflektuar kredi të ortakëve apo aksionerëve të kompanisë.
Gjithashtu ODA ka hulumtuar vetëm mbi kredi të pasqyruara në bilancet e fundit të publikuara në QKR duke mos pasur burim më të detajuar apo përditësuar për kostot dhe ecurinë e këtyre kredive.
Në total të Shtator 2015 rezultojnë nën faliment 118 subjekte. Në këtë artikull është hulumtuar vetëm për tatimpaguesit e mëdhenj.
Sipas legjislacionit tatimor administrata tatimore kërkon në gjykatë fillimin e procedurave të falimentimit nëse tatimpaguesi ka 2 vjet që ka kaluar në status pasiv pranë QKR, ka detyrime tatimore të deklaruara si të pambledhshme, rezulton me humbje të kapitaleve të veta për të paktën 3 vjet rresht ose ka detyrime të pashlyera ndaj administratës tatimore për të paktën 2 vjet.