Përgjigja e Ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja, se kompania e themeluar prej tij ka fituar më shumë në kohën e qeverisë së demokratëve, për opozitën është thjesht një gënjeshtër.
“I vetmi reagim i këtij kampioni të korrupsionit, ishte se këto fitime qenkan normale për kompaninë, dhe se firma e themeluar prej tij paska fituar shumë në kohën e qeverisë së mëparshme. Gënjeshtër. Ja ku kemi këtu dokumenta e të dhëna, që dëshmojnë se kompania e Beqës s’kualifikohej për mungesë të theksuar dokumentacioni e mosplotësim kriteresh”.
Duke iu referuar të dhënave nga thesari, deputetja demokrate tha se që nga moment kur Ilir Beqja u bë ministër, fitimet e kompanisë INTECH plus, u pesëfishuan.
“Intech + në 22 muaj ka fituar 28 tendera pa zhvilluar asnjë proces apo garë, por me urdhër dhe porosi, me kritere të bëra enkas për të. Prej mëse dy vitesh kur rilindi Beqa, rilindi edhe biznesi i tij, duke e rritur fitimin me 1 miliardë lekë pra kemi 5-fishim të fitimit neto të deklaruar. Ja grafiku i të ardhurave dhe shpenzimeve të deklaruara nga kjo kompani, ju mund ti ndiqni në ekran. Transfertat e Thesarit të cilat janë te vetmet qe kane mbetur online, sepse çdo gjë tjetër për kompaninë përpara vitit 2013 në QKR është fshirë, tregojne se te ardhurat për këtë kompani nga buxheti i shtetit kane filluar pikërisht mbasi Beqaj u be ministër. Ju mund ta shihni këtë në dokumentat në ekran. Rezulton dukshëm, e zezë mbi të bardhë në këto dokumenta, rritja e fondeve për kompaninë e ministrit  nga viti 2014 me 3,5 milionë dollarë dhe në 8 muajt e parë të këtij  viti, me 7 milionë dollarë”
Akuzave të PD-së, vetë ministri Beqja i është përgjigjur para pak ditëve, duke thënë se është shkëputur zyrtarisht nga kompania në vitin 2013, përpara se të bëhej ministër.