Një hulumtim i Open Data Albania (ODA) që ka analizuar ecurinë e treguesit të konsumit mujor të familjes shqiptare për periudhën 2007-2014, përpiqet të japë një përgjigje se për çfarë i shpenzojmë më shumë të ardhurat tona.
Sipas këtij studimi niveli i konsumit privat ka pasur rritjen më të madhe në vitin 2008 (rritje me 16%), dhe rritjen më të vogël në vitin 2013 (rritje me 3.0%). Konsumi privat mujor më i larti është në vitin 2014 (119,550.51 ALL), dhe më i ulëti në vitin 2007 (83,440.14 ALL). Mesatarisht, rritja vjetore e konsumit mujor të familjeve në shtatë vitet e fundit, sipas këtij studimi është 5.4%.
Sipas ODA-s ky tregues nuk përputhet dhe është larg në vlerë me treguesin e shpenzimeve të njësisë ekonomike familjare të llogaritur nga anketat e zhvilluara nga INSTAT, për shkak të zërave të ndryshëm të përfshirë në të dy këta tregues.
Në këtë studim shifra e konsumit final të familjeve përfshin, blerjen e produkteve të përditshme (ushqim, cigare, telefoni, etj); shpenzimet shëndetësore; blerjen e autoveturave; shpenzimet e qerasë apo shpenzimet e qerasë së nënkuptuar. Vlera totale vjetore e Konsumit Final të Familjes Shqiptare është pjesëtuar me numrin e familjeve e më pas me 12 muajt e citit për të përllogaritur konsumi privat mesatar të një familje në një muaj.
Në analizën e treguesit të shpenzimeve mujore të familjes shqiptare sipas grupmallrave dhe shërbimeve për periudhën 2007-2014, shpenzimet familjare për konsum përfshijnë çdo lloj blerje produktesh dhe shërbimesh, për të plotësuar nevojat individuale të njësisë ekonomike familjare të zhveshura nga investimet dhe blerjet e pajisjeve afatgjata.
Bazuar në të dhënat e anketave të viteve 2007, 2009 dhe 2014 të zhvilluara nga INSTAT, është përllogaritur shpenzimi privat i një familje në një muaj sipas kategorive të mallrave dhe shërbimeve të blera. Peshën kryesore të shpenzimeve mujore të një familje e zë, ushqim dhe pije joalkoolike (44.3%), ndërkohë që shpenzimet për banesën dhe qira zënë rreth 10.2%. Përqindjen më të ulët e ka zëri restorante dhe hotele (3.18%).
Gjatë viteve, vihet re se zëri ushqim dhe pije alkoolike ka pasur rënien më të madhe (nga 47.57% në 2007, në 44.27% në 2014), ndërsa rritjen më të madhe e kanë pësuar zërat shpenzime për banesën dhe qira (nga 7.36% në 10.2%) dhe zëri arsim (nga 1.72% në 4.18%). Konsumi privat, ose e quajtur ndryshe edhe konsumi final i familjeve, përbëhet nga shpenzimet totale të mallrave dhe shërbimeve nga ana e familjeve rezidente për të plotësuar kërkesat e tyre individuale.