Viti 2016, do të jetë viti me numrin më të ulët të punonjësve buxhetorë gjatë viteve 2011­ 2015. Open Data Albania thotë se institucionet me numrin më të madh të të punësuarve edhe për vitin 2016 mbeten Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Mbrojtjes.
Pavarësisht se kemi një rënie të madhe të numrit të punonjësve në arsim, sërish Ministria e Arsimit dhe Sportit ka numrin më të madh të punonjësve, rreth 38% të totalit. Nga ana tjetër, institucioni me më pak të punësuar është Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit me 6 anëtarë ose 0.007 % të totalit.
Kryeministria është institucioni që ka shtesën më të madhe të numrit të punonjësve. Në vitin 2016 ky institucion do presë 303 punonjës të rinj. Shtesa në numrin e punonjësve do të ketë sërish Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë me 177 punonjës, Ministria e Mbrojtjes me 247 punonjës, Ministria Zhvillimit Ekonomik,Tregtisë dhe Sipërmarrjes me 148 punonjës, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujerave me 128 punonjës. Shtesa në institucionet e tjera mbeten në nivele më të ulëta.