Kompania e kandidatit të majtë për Bashkinë Kamëz, Safet Gjici, ka tërhequr nga arka e shtetit plot 1 miliard lekë të taksapaguesve shqiptarë.

Nëpërmjet tenderimit publik, “Eurogjici” është kthyer në një nga kompanitë më të favorizuara nga Komisioni i Prokurimit Publik.

Një nga eksponentët e Partisë Socialiste, njëherësh kandidati i majtë për zgjedhjet vendore në Kamëz, Safet Gjici, ka tërhequr nga arka e shtetit nëpërmjet tenderave publike, rreth 1 miliard lekë për vitin 2015.

Sipas të dhënave të “Spending Data Albania”, Safet Gjici ka përfituar plot 181 transaksione nga Thesari i Shtetit, para të fondeve publike dhe taksapaguesve shqiptarë.

Kompania e tij “Eurogjici Security” listohet si një nga më të preferuarat të tenderimeve publike në Komisionin e Prokurimit Publik. Në pothuajse 80 % të institucioneve, ruajtja fizike sigurohet nga kompania e socialistit Safet Gjici.

Vetëm gjatë fushatës zgjedhore, Gjici ka tërhequr nga thesari i shtetit, 40 milion lekë, duke mbuluar kështu në njëfarë mënyre shpenzimet elektorale për zgjedhjet e 21 qershorit.

Safet Gjici do të vijojë të përfitojë miliona lekë nga shteti shqiptar edhe për vitin 2016, kjo falë vendimeve pro tij, nga ana e Komisionit të Prokurimit Publik.

Më i fundit është vendimi i datës 31 dhjetor, ku Komisioni i Prokurimit Publik e ka shpërblyer “Eurogjicin” për festat e fundvitit, duke i dhënë tenderin për Shërbimin e ruajtjes së objekteve dhe personelit me roje në Postën Shqiptare, në Qarkun e Kukësit.

Sipas tenderit të dhënë, Komisioni i Prokurimit Publik ka skualifikuar operatorët fitues më ekonomikë sipas Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe ka shpallur fitues “Eurogjicin”, në shkelje të hapur edhe me Kodin e Punës.

Për këtë vendim nga ana e Komisionit të Prokurimit Publik, ka pasur edhe një qëndrim kundër, nga njëri prej anëtarëve.