Rreth 4 miliardë lekë janë shpenzuar nga institucionet, kryesisht nga Kryeministria dhe ministritë për dreka, darka e pritje luksoze. Mjafton një hulumtim i vogël në portalin Open Data për të konstatuar se në dy vite, janë shpenzuar miliarda para për aktivitete, evente, shtrim darkash e drekash të shtrenjta. 1.6 miliardë lekë të shpenzuara në total gjatë vitit 2014. Nga këto 270 milionë lekë të shpenzuara nga Kryeministria. Ndërsa për vitin 2015, niveli i shpenzimeve është rritur thuajse dyfish, në një total prej 2.5 miliardë lekësh, nga të cilat 550 milionë të shpenzuara nga Kryeministria për vitin 2015.

Prenotime restorantesh, aktivitete dhe evente, dreka e darka, miliarda para të shpenzuara për të paguar momente kënaqësie, duke filluar nga blerja e tapeteve, përzgjedhja e muzikantëve, dekorimet e ambienteve me lule e gjithëfarëlloj zbukurimesh përfshihen në një zë të vetëm: Pritje e përcjellje.  

Një shumë marramendëse që është paguar nga taksat e shqiptarëve. Kanë qenë gjithsej 90 aktivitete, të organizuara në vitin e shkuar dhe të regjistruara në buxhet si “pritje-përcjellje”. Me një llogari të thjeshtë rezulton, se çdo 4 ditë, qeveria organizon pritje dhe përcjellje. Në përshkrimin e faturës mbetet e paqartë lloji i aktivitetit që është organizuar nga Kryeministria, si pritje me mësuesit, me gazetarët, me diplomatët apo me rastin e festave. Faturat janë marrë nga të dhënat, që publikon Open Data Albania.    

Shpenzime luksoze të Kryeministrit

Absurdi i shpenzimeve kryeministrore në zërat e buxhetimeve për vitin 2016 nuk ka të ndalur. Sipas tabelave të detajuara me shpenzimet e kryeministrisë, ajo çfarë bie më shumë në sy në këta zëra ka të bëjë pikërisht me faktin, se pjesa më e madhe e shpenzimeve që kap një shifër të tmerrshme, e cila adresohet për mobilimin e zyrave të Kryeministrisë, rikonstruksionin e tyre. Me një fjalë i tërë buxheti kapital i vendit i është adresuar projekteve studimore, ku qartë kuptohet se paratë do të shkojnë për klientët më të besuar të qeverisë.

Në këto tre vjet buxhetime, është parë tashmë se as që mund të bëhet fjalë për projekte të vëna në jetë, apo për të mira dhe shërbime që i kanë përfituar qytetarët shqiptarë. Bëhet fjalë për të mira dhe shërbime që po shkojnë automatikisht në xhepat e hajdutëve, të cilët nuk ngopen së marruri fonde prej qeverisë në çdo buxhetim të bërë. Janë shuma të mëdha fondesh që akordohen edhe për disa prej institucioneve me më përzemër të Kryeministrit Edi Rama.

Duke ju referuar buxhetit të detajuar të shpenzimeve kapitale për Kryeministrinë vihet re se ky buxhet ka parashikuar 102 milionë lekë ose rreth 720 mijë euro për SNRAP. Nga një kërkim i thjeshtë në Google rezulton se SNRAP është draft Strategjia Ndërsektoriale për Reformën në Administratën Publike (SNRAP) 2015-2020, ku në bazë është depolitizimi i administratës, zbatimi i legjislacionit dhe zbatimi i konkurseve meritokratike. Po ashtu, rreth 6 milionë lekë (42 mijë euro) janë parashikuar në buxhetin e shtetit 2016 për “Studime për potencialet e investimeve në Shqipëri, po në zërin e shpenzimeve kapitale, financim i brendshëm, te Ministria e Ekonomisë. Një tjetër Projekt studimor “Zhvillimi i turizmit të spa-ve në vendburime termale” ka një fond prej 14 milionë lekësh (rreth 100 mijë euro).

Edhe Projekti studimor “MICE” (turizmi i konferencave: Meetings, Incentives, Conferences, and Events) ka të parashikuar një buxhet prej 15.4 milionë lekë. Projekti kombëtar E?Turizmi?Krijimi i Portalit të turizmit Shqiptar (prezantimi Shqipërisë turistike online dhe në mënyrë të integruar me sistemet e tjerë) kërkon 3 milionë lekë. Zgjerimi i gamës së koncesionave ka bërë që të akordohen 11 milionë lekë për një “Sistem Online kombëtar për Koncesionet, administrimin e tyre, ndjekjen e procedurave online, skeda e të dhënave, historiku, lejet dhe shërbimet në lidhje me koncesionet”. Për zhvillimin e turizmit janë parashikuar 40 milionë lekë për zërin “inovacione teknologjike”.

Ndërsa është “lëshuar dora” për fondet e projekteve e studimeve, fondet direkte për sipërmarrjet si për “Biznese të mbështetura me Fondin Start-up”, “Mbështetje biznesit kreativ” dhe Projekt “Për gratë sipërmarrëse” janë nga 10 milionë lekë secili. Shpenzimet për asistencë teknike të përfshira në shpenzimet kapitale të vitit 2016 janë rreth 4.8 milionë dollarë ose 0.5% e totalit të investimeve. Janë dy projekte “Asistence stafi për projektin “Rimëkëmbja e sektorit energjetik” që kushtojnë 45 milionë lekë. 164 milionë lekë të tjera do të kushtojnë projektet për përmirësim i menaxhimit të financave publike dhe përmirësim i kapaciteteve të administratës fiskale. Asistenca teknike nga fondet e IPA e përllogaritur si shpenzim kapital përfshin një vlerë prej 183 milionë lekësh.

20 milionë USD për rikonstruksion e mobilim luksi

Qeveria do të përdorë rreth 20 milionë dollarë nga fondi i investimeve publike të këtij viti  për asistencë teknike, rikonstruksione dhe mobilim zyrash për administratën qendrore. Sipas projekteve të detajuara të shpërndarjes së fondit të investimeve nga Ministria e Ekonomisë 2 miliardë e vlerës totale të zërit të investimeve prej 59 miliardë lekësh do t’i dedikohen përmirësimit e cilësisë në ambienteve të administratës dhe projekteve të asistencës teknike që kanë lidhje me trajnimin e administratës publike. Fondi prej 2 miliardë lekësh, apo prej 20 milionë dollarësh që ju merret taksapaguesve shqiptarë shkon tërësisht për mobilim zyrash.

Në buxhetin e këtij viti nuk parashikohet asnjë investim i ri në infrastrukturë. Dhe sikur të mos mjaftojë as kjo, një pjesë e konsiderueshme e shumës së parashikuar për investime do të shkojë për rikonstruksione godinash e mobilim zyrash. Sipas të dhënave në buxhet, për rikonstruksionet do të shpenzohen mbi 1.1 miliardë lekë për këtë vit. Krahas mobilimit të zyrave, pjesë e tortës së investimeve janë edhe projektet  e studimet. Në buxhetin e parashikuar për Kryeministrinë, janë 102 milionë lekë për projektin e parashikon depolitizimin e administratës. Në këtë buxhet, rreth 6 milionë lekë janë parashikuar për “Studime për potencialet e investimeve në Shqipëri”. Studimet kanë vlerën e tyre, por shqetësues është  fakti që ai do të mbulohet me paratë e parashikuara për investime, pranë Ministrisë së Ekonomisë.

Vetë krerët e dikastereve drejtuese në ministrive kyçe bien në kundërshtim me deklaratat e tyre kur thonë se, pjesa më e madhe e shpenzimeve ka shkuar për shlyerjen e borxheve. Në të vërtetë ka qenë ministri i Ekonomisë, i cili pak ditë më parë në Komisionin e Ekonomisë pranoi se, këtë vit nuk do të mund të ketë investime të reja, pasi qeveria ka shpenzuar për shlyerjen e borxheve. 

Rikonstruksionet 11 miliardë lekë

Një vlerë e madhe prej 35 milionë lekësh do të përdoren për rikonstruksion i zyrave të AKU (Autoritetit Kombëtar të Ushqimit), për ambientet e të cilit edhe më parë janë investuar shuma të mëdha. Ndërsa, rreth 170 milionë lekë do të shkojnë për përmirësimin e ambienteve të gjykatave në disa rrethe. Ministria e Arsimit do të shpenzojë 101 milionë lekë për rikonstruksion ambientesh, Ministria e Jashtme 75 milionë lekë dhe Ministria e Brendshme rreth 120 milionë lekë. Ministria e Financave do të shpenzojë për përmirësimin e ambienteve të saj 91 milionë lekë. Më shumë se 30 milionë lekë do të shkojnë për përmirësimin e ambienteve të vilave qeveritare dhe 100 milionë lekë për Ministrinë e Zhvillimit Urban. 

Mobilimi i zyrave 335 milionë lekë

Në buxhetin e vitit 2016 në zërin e shpenzimeve kapitale do të shpenzohen rreth 3 milionë dollarë për mobilimin e zyrave të institucioneve publike në vend. Vetëm Ministria e Ekonomisë dhe institucionet në varësi të saj do të përdorin 30 milionë lekë për këtë vit që vjen për mobilimin e ambienteve. Ministria e Financave do të shpenzojë 68 milionë lekë, Ministria e Brendshme 80 milionë dhe Shërbimi Informativ 30 milionë lekë. Ministria e Mjedisit do të shpenzojë për zyrat 10 milionë lekë. Prokuroria rreth 32 milionë lekë dhe gjykatat rreth 35 milionë lekë.