Ndikimi partiak mbi administratën civile

Pak ditë më parë, në një protestë të dhjetëra punonjësve që rrezikojnë largimin nga puna për shkak të shkurtimeve në Spitalin e Tepelenës, Fatmir Mihasi, dëshmoi historinë e tij. I punësuar në spital që prej vitit 1980, gjatë këtyre viteve ai ka ndjekur kalvarin e peripecive partiake për t`i mbijetuar qëndrimit në administratën publike.

Ndonëse e ka nisur si një shofer ambulance, një profesion që kërkon përkushtim e sakrificë në çdo kohë,Fatmirit i është dashur të bëjë komisionerin partiak në zgjedhje për 20 vjet, të ndryshojë profile pune, sa herë kanë ndërruar qeverisjet dhe pas gati 30 vjetësh në administratë, të dalë në protestë pasi po humbet vendin e punës.

“Kam qenë shofer, para shtatë vitesh Partia Demokratike më hoqi dhe më vuri oksigjenist. Kam qenë komisionier i Partisë Socialiste për 20 vjet, çdo gjë për mua është partiake, po të isha i LSI-së nuk do isha hequr, do isha lart, pohon Fatmiri për Zërin e Amerikës, duke treguar zyrat e administratës që aktualisht drejtohen nga një përfaqësuese e LSI-së .”

Në Shqipëri sa here ndërrohen pushtetet, ndërtimi i administratës vlerësohet si një “gur prove” për qeveritë. Gjendja e administratës publike ka vazhduar të përkeqësohet ndërsa buxheti i shtetit detyrohet të përballojë dëmshpërblimet gjyqësore, që janë pasoja të drejtpërdrejta të ndikimit të partive në emërimet dhe lirimet e nëpunësve.

Dëmi në buxhet nga pushimet e padrejta nga puna

Gati 2,9 miliardë lekë janë shpenzimet për vendimet gjyqësore për largimet nga puna për vitin 2015, në bazë të shqyrtimit të të dhënave të shpenzimeve që publikohen nga Ministria e Financave.

Por kjo mendohet të jetë vetëm një kosto e pjesshme e shlyerjes së vendimeve gjyqësore, për shkak se nëpunësit që kanë fituar gjyqet, kanë marrë vetëm gjysmën e masës së dëmshpërblimit. Një pjesë tjetër nuk kanë arritur të marrin asnjë pjesë dëmshpërblimin për shkak të mungesës së fondeve.

Sipas portalit joqeveritar  spending.data.al, i cili i referohet Zyrës Qendrore të Thesarit, në 3,683 pagesa në formë dëmshpërblimi, nga Janari deri në 15 Dhjetor të vitit 2015, vihet re se vendimet gjyqësore i përkasin kryesisht vitit 2013 dhe gjysmës së parë të vitit 2014. Vetëm Aparati i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave ka paguar 173 milionë lekë për 216 pagesa, ndërsa Aparati i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve 129 milionë lekë për 109 pagesa.

Tradita e “prishjes dhe rindërtimit” të këtyre dy institucioneve të rëndësishme të shtetit sa herë ndryshojnë qeveritë, flet për punësimin e militantëve të partive që janë kryesisht ata që numërojnë votat, apo mbajnë peshën e mitingjeve dhe fushatave elektorale të partive.

Ndërkohë përgjatë vitit2015 Aparati i Ministrisë së Mjedisit Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave ka paguar 89 milionë lekë duke kryer 117 pagesa për të pushuarit nga puna dhe në sistemin e pagesave vijojnë institucionet e tjera qendrore dhe vendore me transaksione në një numër më të vogël.

Ndërkohë sipas të dhënave zyrtare buxheti i shtetit pagoi gjatë vitit 2014 rreth 3.3 miliardë lekë për të shlyer detyrimet e vendosura me vendim gjykate ndaj punonjësve të administratës publike të hequr nga puna padrejtësisht. Përgjatë periudhës mars – dhjetor 2014 u kryen rreth 4800 transaksione financiare për të paguar vendimet e gjykatave për të liruarit nga detyra. Atëherë zyrtarët e qeverisë deklaruan se largimet nga puna i përkisnin periudhës së qeverisjes së demokratëve ndërsa demokratët folën se aleanca e re qeverisëse(PS-LSI)po kryente largime masive të nëpunësve.

Një e ardhme “e zymtë” për buxhetin nga dëmshpërblimet

Kostoja e pushimeve të padrejta nga puna, që për të dy vitet 2014-2015 i kalon të 50 milionë dollarët, pritet të rritet në mënyrë të ndjeshme edhe në muajt në vijim.

Përveç detyrimeve të prapambetura, një numër i madh çështjesh vazhdojnë të jenë në dyert e gjykatave administrative. Sipas statistikave për periudhën Janar – Shtator 2014 në Gjykatat Administrative të Shkallës së Parë mbërritën531 çështje nga të cilat u shqyrtuan 439.

Në një studim mbi ngarkesën e Gjykatës Administrative të Apelit, aprovuar në Mars të këtij viti nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë,thuhet se nga të dhënat e përcjella nga gjykatat administrative të shkallës së parë,rreth 85–90% e çështjeve gjyqësore janë ankimuar.

Gjykata Administrative e Apelit ka shtatë gjyqtarë, që në total duhet të përballojnë rreth 10.000 çështje gjyqësore, që presin për t`u shqyrtuar.

Nuk ka të dhëna se sa prej tyre u përkasin padive të të pushuarve nga puna, por pothuajse në të gjitha rastet e mbërritura në këtë gjykatë, është shkelur afati njëmujor ligjor i trajtimit të çështjeve që vijnë nga gjykata e shkallës së parë për shkak të mbingarkesës.

Nga një shqyrtim i bazës elektronike të të dhënave të Gjykatës Administrative të Apelit lidhur me pushimet nga puna, vërehet se gjyqtarët kanë trajtuar këtë vit kryesisht çështje të prapambetura dhe ato që i përkasin regjistrimit në këtë gjykatë në gjysmën e parë të vitit 2014.

Skema e emërimeve partiake

Skema e futjes në punë të nëpunësve apo emërimit të titullarëve është e thjeshtë: që nga pozicioni më i thjeshtë i punës në nivelin e mirëmbajtjes sanitare (pastrueses) dhe deri tek titullarët e institucioneve, emrat e përkrahësve partiakë duket se aprovohen nga “kryedeputeti” i zonës që delegohet nga krerët e partive qeverisëse për çdo rajon për t`u marrë me listat e punësimeve të militantëve partiakë.

Këto lista burojnë nga aparatet partiake vendore mbi bazë të kontributit që jepet në fushatë dhe referuar nivelit të arsimimit të tyre. Më pas institucionet shtetërore, por edhe vendore, vihen në lëvizje për të zbatuar listat e “kryedeputetit” të zonës duke plotësuar vendet e reja që krijohen nga reformat apo duke larguar militantët e forcës tjetër politike.

Në një masë të vogël, sipas vendeve që shpallen në faqen elektronike të Departamentit të Administratës Publike, ndiqen konkurset si një praktikë rekrutimi. Prej qershorit të vitit 2015 deri në mes të dhjetorit,në këtë faqe u shpallën 400 pozicione të lira për pranim në Shërbimin Civil.

Përvoja tregon se nëpër ministri, jo rrallë herë është vepruar me emërime të komanduara, mandati i të cilëve duhet të jetë shumë i shkurtër dhe më pas të shpallet konkursi, por në praktikë emërimet e komanduara zgjasin me vite.

Skema e listave të punësimeve nga “kryedeputetët” sipas dëshmive nga vetë aparatet partiake u përdor si nga demokratët katërvjeçarin e fundit të qeverisjes dhe vijon të përdoret nga socialistët dhe Lëvizja Socialiste për Integrim.

Shtypi shqiptar ka botuar së fundi të dhëna që dëshmojnë për rolin e disa prej anëtarëve të parlamentit në hartimin e listave të militantëve partiakë të propozuar për të hyrë në administratën publike, më pas shumë prej emrave rezulton nga vëzhgime se janë emëruar. Këto lista të publikuara nuk janë përgënjeshtruar prej këtyre deputetëve.

Në Shqipëri, sipas Ligjit për Buxhetin për vitin 2015 numri i përgjithshëm në organikë ishte 88 mijë e 550.