Megjithëse nuk kanë të krahasuar për nga numri i popullsisë dhe aktiviteti ekonomik, fondi limit i përdorur për tendera nga Bashkia Sarandë, në 2015, ka qenë më shumë se 2.5 herë më i madh se ai i Bashkisë Tiranë. Sipas të dhënave të “Open Data Albania”, nga 27 korriku deri më 7 dhjetor 2015, fondi limit i tenderave të Bashkisë Sarandë arriti në rreth 7 milionë dollarë, ndërsa i Bashkisë Tiranë vetëm rreth 2.5 milionë dollarë. Ndërkohë që rezulton Bashkia Durrës ajo që ka përdorur fondin më të madh limit në tenderat për prokurimet publike, e cila ka vënë në dispozicion të tyre rreth 8 milionë dollarë.

“Interesante paraqiten Shpalljet e Bashkisë së Sarandës, bashkia që renditet e dyta sa i takon vlerës së Fondit Limit të shpallur me total 732,529,846 Lekë për vetëm shtatë procedura. Kjo është bashkia me mesataren më të lartë të Fondit Limit për Procedurë Prokurimi. Mesatarja e fondit limit Bashkia Sarandë për çdo Prokurim  është 104 647 120 lekë. Prokurimi Publik me fondin më të lartë limit është rikonstruksioni i ish rezidencës qeveritare për ngritjen e EKO Kampus Saranda, rikonstruksion me vlerë 276 292 007 lekë”, thekson “Open Data Albania” në analizën e prokurimeve publike të bashkive.
 
Tenderat

Numrin më të madh të shpalljeve për këtë periudhë e ka Tirana me 27 procedura publike të shpallura. Pas saj në renditje vjen Durrësi. Në numrin e procedurave janë llogaritur edhe ato të Shoqërive Aksionere Ujësjellës Kanalizime sipas Bashkive. Megjithëse Tirana është njësia vendore me më shumë shpallje, vlerën më të lartë të Fondit Limit të shpallur për prokurime publike e ka bashkia Durrës me 862 milion lekë për 26 prokurime të shpallura. Ndërsa vlerën më të ulët e ka Kurbini me 489 mije lekë. Konkretisht Bashkia Durrës nga 26 procedura të anoncuara ka finalizuar me lidhje kontrate 8 prokurime publike me një fond limit në shpallje prej 450 222 808 lekë dhe fond të kontraktuar 292 982 259 ku diferenca shpallje me ofertë fituese është lartë.
 
Performanca

Sipas performancës në përfundimin e procedurave dhe shpalljen e lidhjen e kontratës, janë Bashkia Korçë dhe Elbasan, bashki me më shumë Prokurime Publike të finalizuar me nënshkrim kontrate ku secila ka 11 shpallje të finalizuara me nënshkrim kontrate. Gjatë periudhës 27 korrik – 7 dhjetor 2015, janë 4 Bashki të cilat nuk kanë njoftuar asnjë procedurë për prokurim publike. Kruja, Pusteci, Finiqi dhe Delvina rezultojnë me 0 procedura të shpallura në Buletinin e Prokurimeve Publike. Këto Bashki nuk kanë njoftuar blerje mallrash, realizim të punëve publike apo të shërbimeve të tilla.
 
Buxhetet bashkiake

Për të kuptuar cili është disniveli i shpenzimeve mes dy bashkive, mund të vërehet lehtë se Bashkia e Tiranës ka marrë nga buxheti i vitit 2016, 1.5 miliardë lekë në formën e transfertës së pakushtëzuar nga Qeveria, ndërsa ajo e Sarandës 95 milionë lekë. Transferta e Pakushtëzuar ndahet bazuar ne tre elemente te njësisë se qeverisjes vendore: numri i popullsisë, dendësia e popullsisë dhe numri i nxënësve ne shkollat publike 9-vjeçare dhe te mesme në territorin e asaj bashkie. Bashkia Tirane ka marre pjesën me te madhe te transfertës se pakushtëzuar me rreth 13.44% te totalit. Pas saj vijnë Bashktë Durrës me 5.03%, Shkodër me 4.31%, Elbasan me 4.3%, Vlore me 3.37% dhe Kamzë me 3.29%.

Cani: Projekti për sistemin TVSH-së në fazën përfundimtare
 
Ministri i Financave Shkëlqim Cani ka pohuar dje në Këshillin Tatimor vendimin e Qeverisë për hapat e mëtejshëm për sistemin elektronik të mbikëqyrjes së mbledhjes së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Në fjalën e tij, ministri evidentoi faktin se tashmë projekti është në fazë përfundimtare dhe pret sugjerimet nga institucionet ndërkombëtare. Në vijim të fjalës së tij, ministri i Financave paralajmëroi se këtë vit operacioni kundër informalitetit futet në një fazë të re. Temë e mbledhjes së Këshillit Tatimor ishte edhe paketa fiskale e vitit 2017.

Pavarësisht se jemi në fillim të vitit 2016, bizneseve u është kërkuar që të bëjnë sugjerime për paketën fiskale më herët se vitet e mëparshme, me qëllim që drafti përfundimtar i saj të jetë gati në fundin e muajit korrik. Synimi është që biznesi të ketë kohë të diskutojë, propozojë e të zbatojë në kohë ndryshimet në ligjet fiskale. Kontrata parashikon që Kompania koncesionare të instalojë dhe të menaxhojë për llogari të tatimeve një platformë elektronike, e cila do të bëjë të mundur pasqyrimin në kohë reale të çdo fature apo kuponi tatimor. Sipas ministrisë së Financave, kjo do të ulë evazionin duke evidentuar çdo faturë nën vlerë apo të pasaktë. Në kushtet e tenderit është parashikuar që çdo kosto e ndërtimit dhe operimit të sistemit të merret përsipër nga kompania që do fitojë tenderin.