Përveç përplasjeve brenda Partisë Socialiste, Ben Blushi dhe Edi Rama janë rivalë edhe sa i takon botës së artit. Kryeministri njihet për pikturat e tij dhe librin “Kurban”, ndërsa Ben Blushi ka shkruar shumë libra, që kanë ngjallur jo pak debate dhe akuza ndaj tij për ironizimin që i bën politikës shqiptare.
Por sa i takon botës së artit ajo që bie në sy është se Ben Blushi ka dalë me më shumë fitime se kreu socialist, Edi Rama. Sipas deklaratave të tyre të pasurisë, të dorëzuara pranë ILDKP dhe të publikuara nga “Open Data Albania”, fitimet e Blushit janë disa herë më të shumta se ato të kryeministrit Rama. Më konkretisht, shefi i qeverisë, në deklarimin që ka bërë për vitin 2013 ka thënë se ka fituar 2.007.789 lekë të reja nga shitja e librit “Kurban”. 
Ndërkohë, edhe gjatë vitit 2014 ka deklaruar të ardhura nga vijueshmëria e shitjes së tij në vlerën 159.700 lekë të reja. Po ashtu, shefi i qeverisë ka deklaruar dhe të ardhura nga aktivitete të tjera, ku përfshihen dhe pikturat dhe arti i tij, me vlerë 161.468 lekë. Nëse bëhet një përllogaritje, përgjatë viteve 2013 dhe 2014, kryeministri Rama ka grumbulluar 2.167.489 lekë.
Pra, rreth 22 milionë lekë të vjetra në total janë grumbulluar në dy vite nga shitja e librit. Ndërsa nëse i shtojmë dhe të ardhurat nga aktivitet të tjera të kryeministrit, ku përfshihen dhe pikturat, ka grumbulluar 2.328.957 lekë të reja. Kjo është pasuri e vënë vetëm nga arti përgjatë viteve 2013-2014. Bumin më të madh libri shihet që e ka pasur në vitin 2013, vit elektoral kur dhe u publikua nga kreu i opozitës së asaj kohe. Në të Rama shkruante për zhvillimet politike dhe ngjarje të ndryshme. Ndërkohë që edhe Ben Blushi një pjesë të librave të tij i ka për zhvillimet politike.
Fitimet e Ben Blushit 
Nëse bëjmë një krahasim me fitimet e kryeministrit, Edi Rama nga libri i tij dhe me fitimet e Ben Blushit, ky i fundit del më i fituar. Në deklaratën e pasurisë të dorëzuar pranë ILDKP, për vitin 2014, Ben Blushi ka deklaruar të ardhura nga shitja e tre librave të tij. Më konkretisht: Të ardhura nga libri “Shqipëria”, nga Fondacioni për Liri Ekonomike, 1.400.000 lekë; Të ardhura nga pagesa për të drejtën e autorit për botimin e librit “Hëna e Shqipërisë”,  3. 600.000 lekë dhe të ardhura nga pagesa e çmimit Evropian për Literaturë, 5.000 euro. Në total kemi një shifër prej rreth 5.650.000 lekë të reja. Pra, Ben Blushi ka mundur që të fitojë nga shitja e dy librave të tij dhe nga marrja e një çmimi, plot 56 milionë lekë të vjetra.
Ndërsa shefi i qeverisë ka fituar rreth 22 milionë lekë të vjetra në total. Duhet theksuar se fitimet e kryeministrit janë për dy vite, ndërsa Ben Blushi këto të ardhura i ka grumbulluar përgjatë vitit 2014, pasi në vitin 2013 nuk ka deklaruar fitime nga libri. Pra, duket e ka një rivalitet edhe në art mes Blushit dhe Ramës, përveç rivaliteti për kreun e partisë. Deri më tani Blushi ia ka arritur që të ngrejë zërin fort dhe të detyrojë Ramën që të mos rikonfirmohet kryetar, teksa më i fituar duket se ka dalë dhe në art. Nga ana tjetër, kryeministri ka më shumë borxhe, sidomos nga ndërtimi i banesës në Surrel.
Pasuritë
Nëse bëjmë një krahasim sa i takon pasurisë së përgjithshme të Ben Blushit dhe Edi Ramës, situata është e tillë. Në familjen e kryeministrit pasurinë më të madhe e ka bashkëshortja e tij, teksa ai zotëron një apartament që në kohën e komunizmit dhe një studio të trashëguar nga babai.
Nga ana tjetër, shefi i qeverisë ka shumë kredi të pashlyera, sidomos sa i takon ndërtimit të banesës së tij në Surrel, që ka kushtuar 400 milionë lekë, sipas deklarimit. Por, Ben Blushi nuk mbetet pas, pasi ai zotëron disa llogari bankare me vlera të larta parash, të ardhura të siguruara nga shitjet e librave, paga e tij dhe paga e bashkëshortes si notere.