Shifrat

Vetëm 37 nga 61 bashki kanë aplikuar procedura të negocimit të drejtpërdrejtë
Mospërdorimi me efikasitet dhe keqmenaxhimi i fondeve publike janë shpesh objekt debatesh mes forcave politike, por edhe në qendër të kritikave të institucioneve ndërkombëtare. Edhe pse vitet e fundit ka pasur një tendencë që të gjitha fondet publike të kalojnë nëpërmjet prokurimeve transparente online, mjaft prej institucioneve publike vazhdojnë të kryejnë dhe lidhin kontrata të drejtpërdrejta me operatorë ekonomikë për punë dhe shërbime publike.
Open Data Albania’ ka kryer një studim mbi numrin e procedurave dhe fondin limit për Prokurime Publike të llojit negocime të drejtpërdrejta, të shpallura dhe të realizuara nga 61 njësi të qeverisjes vendore bashki, pas ndarjes së re administrative territoriale. Sipas këtij studimi, rezulton, se në total në periudhë kohore korrik 2015-prill 2016, të jenë finalizuar 150 kontrata publike përmes negocimit të drejtpërdrejtë. Fondi për këto kontrata publike finalizuar me negocim të drejtpërdrejtë është 585. 83 milionë lekë.
Negocimet e Drejtpërdrejta janë procedura prokurimesh publike përmes të cilave autoriteti kontraktor i përzgjedh vetë operatorët ekonomikë dhe negocion kushtet e kontratës me një ose më shumë prej tyre. Vendimi për të aplikuar këtë procedurë duhet të jetë i bazuar dhe argumentuar me kushte që detyrojnë autoritetin të veprojë në mënyrë të tillë. Negocimet e drejtpërdrejta, duke qenë prokurime pa garë, mbartin riskun e ekspozimit të lartë ndaj shpërdorimit të fondit.
Bashkia e Tiranës, Elbasanit, Kamzës, Vau të Dejës, Rrogozhinës, Korçës dhe Lezhës janë bashkitë me më shumë raste dhe vlera të proceduara me negocime të drejtpërdrejtë. Negocime të drejtpërdrejta do të konsiderohen edhe shtesat e kontratave, ku autoritetet prokuruese realizojnë të tilla sa herë që përforcojnë në shkelje afatesh për të tenderuar blerje në kohën e duhur, sikurse në vlerësime për punime dhe shërbime shtesë.
Vetëm 37 nga 61 bashki kanë aplikuar procedura të negocimit të drejtpërdrejtë. Negocime të drejtpërdrejta me vlerë mbi 5 milionë lekë të reja kanë realizuar Bashkitë e Elbasanit, Tiranës, Maliqit, Konispolit, Vau të Dejës, Rrogozhinës dhe Kamzës.