Në Surrel mbi 4,4 mijë metër tokë në pronësi. Edhe i biri, Gregu, biznes me pikturat. Zbardhet pasuria e Kryeministrit Edi Rama së bashku me bashkëshorten e tij, Lindita Rama, dhe të birin Gregun, i cili për herë të parë ka deklaruar të ardhura nga shitja e veprave artistike të tij.

Në deklaratat e pasurisë të dorëzuara në ILDKPKI, të publikuara në Open Data, kreu i qeverisë rezulton se është pronar i një apartament banimi në Tiranë, tip parafabrikat me sipërfaqe 59 m², fituar me privatizim, sipas rivlerësimit të 2012-s vlera 5 422 100 lekë. Po ashtu, është pronar me 100% të studio “Artisti” Tiranë, sipërfaqe 65 m², me trashëgimi nga babai, me vlerë të raportuar 2 500 000 lekë, ndërkohë që është bashkëpronar me 50% e ku 50% të tjera pjesë e regjimit martesor me bashkëshorten Lindita Rama, shtëpi banimi me sipërfaqe të padeklaruar, përcaktuar një kat, me vlerë ndërtimi 39 607 741 lekë, vendndodhja e shtëpisë në fshat Surrel, Komuna Dajt, pasuri që justifikohet me dokument leje ndërtimi, momenti i deklarimit pa titull pronësie.

Nga kjo shtëpi Rama ka dhe një detyrim të papaguar subjektit ndërtues të “shtëpisë së banimit në Surrel” me vlerë – 12 056 241 lekë, detyrim si pjesë e regjimit martesor 50 me 50 me bashkëshorten, si dhe një kredi në bankë të nivelit të dytë me vlerë detyrimi financiar të pashlyer, 336 383 lekë, e marrë në datën 12.05. 2000 me principal 2.5 milionë lekë, afat shlyerjeje 15 vjet, me interes bazë 3%. Detyrim të papaguar kreu i qeverisë ka deklaruar edhe qiratë vjetore të apartamentit të banimit ku jetonin më parë, ku ka për të shlyer edhe 573 280 lekë detyrim si pjesë e regjimit martesor 50 me 50 me bashkëshorten. Kryeministri nuk ka asnjë makinë në emrin e tij, por është posedues i një koleksioni me krijimtari artistike të babait, koleksion i trashëguar.

Ndërkohë që me shitjen e librit “Kurban”, shitje punë artistike vlera neto me detyrime tatimore të zbritura ka 2 694 009 lekë, ndërsa të ardhura nga paga për vitin 2015 vlera neto pas pagimit të detyrimeve tatimore 2 037 188 lekë. Bashkëshortja Linda Rama, si e pavarur nga regjimi martesor, rezulton se është pronare e një apartamenti me sip. 146.15 m² + verandë 68 m² + garazh 17 m². Gjithashtu ajo është pronare e tokë arë me sip. 4 483 5 m² në Surrel, Dajt, blerë në vitet 2005 dhe 2009, me titull pronësie për tokë arë. E pavarura nga regjimi martesor, ajo zotëron vlerën e dhënë si hua të tretëve prej 70 000 eurosh, hua pa interes, e papërcaktuar data e huadhënies, si dhe një llogari bankare në vlerën 6 206 644,3 lekë. Për vitin 2015, ajo ka shtuar në llogarinë personale në bankë vlerën e 3 044 470 lekëve, ndërsa ka shtuar cash edhe vlerën e 115 000 lekëve.

Nga paga dhe puna si eksperte në vlerë neto pas pagimit të detyrimeve tatimore, zonja Rama ka deklaruar 1 929 676 lekë. Nga të ardhurat nga qiraja e apartamentit ajo ka fituar 1 939 237 lekë. Zonja Linda Rama, të ardhura nga interesa bankare vlera neto pas zbritjes së detyrimit tatimor ka 4294 lekë. Ndërkohë që Gregor Rama ka deklaruar se ka fituar nga shitja e veprave të artit 3400 euro, ka pakësuar një llogari bankare me minus 197 629 lekë, si dhe ka shtuar një llogari bankare me 50 euro.