Prodhimi i duhanit në Shqipëri ka pasur një traditë të hershme. Duhani si lëndë e parë për industrinë e prodhimit të cigareve ka shënuar nivele të larta prodhimi në periudhën para viteve ’90-të, çka u shkatërrua pas rënies së ekonomisë socialiste. Zona e Cërrikut në Elbasan njihet si një nga qendrat kryesore të vendit për kultivimin e duhanit. Sot kjo zonë, është përfshirë në një projekt të përbashkët të ministrisë së Bujqësisë me rajonin Umbria në Itali, për rivitalizimin e prodhimit të duhanit cilësor, i cili do të jetë me destinacion eksportin.
Ministri i Bujqësië, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, inspektoi një ditë më parë në Cërrik, parcelën e parë eksperimentale të mbjellë me duhan të varietetit “Virginia Bright”. Ministri tha se, kultivimi i duhanit, është traditë e kësaj zone.
Me këtë investim, vijoi ai, synojmë t’i japim një profil europian kësaj industrie, ku janë të punësuar një numër i konsiderueshëm banorësh. Panariti u shpreh se, ky varietet ëshë shumë i kërkuar në tregun ndërkombëtar.
“Kultivimi sot i 10 hektarëve të parë do të jetë i destinuar për eksport”, tha Panariti.
Sipas të dhënave nga Open Data Albania, vitin e fundit janë prodhuar në Shqipëri 3000 ton duhan, ose 6,7% më tepër krahasuar më një vit më parë. Kjo vlerë ka shënuar edhe maksimumin e prodhimit të duhanit në vitet e fundit. Një pjesë e prodhimit vendas shkon për konsum të brendshëm dhe pjesa tjetër shkon për eksport.
Kjo rritje e prodhimit ka çuar dhe në rritjen e sasisë së eksportit. Vetëm gjatë vitit të fundit janë eksportuar rreth 1,73 mijë ton duhan. Krahasuar me një vit më parë, sasia e eksportuar e duhanit është rritur me 12,4%. Minimumi i eksportit ka arritur në vitin 2009 me 651 ton duhan. Destinacionet kryesore të eksportit të duhanit janë Kosova, Greqia, Libia etj.
Sasia e duhanit që Shqipëria prodhon dhe tregton në tregun e jashtëm është ndjeshëm më e ulët se sasia që futet për t’u konsumuar. Vendi ynë ka importuar vazhdimisht duhan kryesisht cigare e përpunuar. Krahasuar me vitin 2010 importi në vitet në vazhdim ka pësuar rënie. Në vitin 2014 është 3 216 ton, ose 23,8% më pak. Por ndonëse kurba e sasisë së importuar ka luhatje të lehta, treguesit në vlerë kanë luhatje shumë të mëdha. Po të krahasojmë sasinë në vlerë të vitit 2005 me 2013, sasia është rritur me 48%. Shkak për këtë është bërë rritja e vazhdueshme e akcizës së duhanit.
Furnizuesit kryesorë të Shqipërisë me duhan janë shtetet si Polonia, Greqia, Gjermania, Zvicra, Bullgaria etj. /m.m/