Vepra penale e cila është konsumuar më së tepërmi nga të miturit për këtë 10 vjeçar është vjedhja e thjeshtë, por ka edhe të dënuar për vepra dhe grup veprash penale të tjera si vrasje e plagosje, vjedhje, armëmbajtje pa leje, krime seksuale, shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor, prodhim dhe tregtim lëndësh narkotike.
Bëhet fjalë për 89 të mitur të cilët janë dënuar për vrasje ndërsa 37 të tjerë janë dënuar për krime seksuale. Masa e dënimit e cila aplikohet nga gjykatat shqiptare masivisht për veprat penale të kryera nga të miturit është dënimi me burgim deri në 2 vite.
Vetëm në vitin 2015 janë dënuar deri në 2 vjet heqje lirie, 372 të mitur. Më pak e aplikuar është masa e dënimit nga 10 deri në 25 vjet, për të cilën janë dënuar 10 të mitur në dhjetë vitet e fundit. Sipas ligjit në Shqipëri asnjë i mitur nuk mund të dënohen me burgim të përjetshëm, ndërkohë që për çdo vepër penale të miturit u jepet gjysma e dënimit.
Rritja e krimeve nga të miturit kërkon një kujdes nga të gjitha strukturat e shtetit. Kjo pasi këta të mitur nëse nuk edukohen si gjithë fëmijët e tjerë, atëherë bëhen shkak edhe krime të tjera kur të jenë në moshë madhore. Sipas të dhënave kush kryen një krim në moshë të mitur, ka shumë mundësi që të njëjtën vepër penale ta bëjë edhe kur të rritet.