Qeveria shqiptare ka marrë në emër të çdo qytetari një borxh prej 382 650 lekësh. Borxhi për frymë ka ardhur në rritje të vazhdueshme që prej vitit 2010, edhe pse ritmi i rritjes së tij është më i ulët për vitet 2016-2017. Në terma absolutë, viti 2017 do të shënojë vlerën më të lartë të këtij treguesi me 382 650 lekë, apo 56% më shumë së në 2010-ën. Kështu, një familje mesatare prej katër personash do të mbartë një borxh prej 1 530 600 lekësh në 2017-ën, nga 980 604 lekë në vitin 2010.

Të dhënat janë publikuar në një analizë të detajuar të ‘Open Data Albania’, ku mësohet se politikat për mbajtjen nën kontroll të borxhit në dy vitet e fundit kanë dhënë efektet e tyre në frenimin e rritjes së shpejtë që po përjetonte stoku i borxhit dhe borxhi për frymë. Viti 2014 shënoi vitin me rritjen më të lartë të stokut të borxhit me 10.49%. Në vitin 2016, ky nivel ra në 3.37%, ndërsa në vitin 2017 parashikimet flasin për 2.29% kundrejt vitit të mëparshëm. Ndërkohë në viti 2017 pritet ta gjejë vendin tonë me 24.7 miliardë lekë më shumë borxh se në 2016- ën dhe me 387.5 miliardë lekë më shumë se në 2010- ën. ‘Open Data Albania’ ka hulumtuar mbi nivelin e parashikuar për borxhin publik për frymë në vitin 2017. Të dhënat janë analizuar në formë krahasimore për periudha 2010–2017. Borxhi publik për frymë është një tregues që llogaritet si raport i borxhit total të marrë dhe ende të pashlyer nga shteti shqiptar me popullsinë në një kohë të caktuar. ‘Open Data Albania’ ka marrë në shqyrtim ecurinë e këtij indikatori në vitet 2010-2017.

Open Data Albania’ ka hulumtuar edhe mbi kostot e borxhit publik për frymë. Ky është një idikator që llogaritet si raport i shumës së interesave që paguhen nga buxheti i shtetit për borxhin e marrë dhe ende të pashlyer me popullsinë e vendit në një vit të caktuar. Ecuria e kostos së borxhit për frymë ka pësuar oshilacione të ndryshme ndër vite, duke reflektuar sipas rastit jo vetëm nivelin e stokut të borxhit, por edhe shtrenjtësinë e tij nëpërmjet rritje/uljes së normës së interesave apo lëvizjet e kursit të këmbimit. Nga një trend rritës për vitet 2010-2013, vitet 2014- 2015 u shfaqën me rënie të kostos së borxhit, si pasojë e uljes së normave të interesit të tregut të brendshëm, kursit të këmbimit lekë/ euro dhe uljes së kontigjencave për garancitë.

Trendi ndryshoi në vitin 2016, ku kostoja e borxhit për frymë ishte 14 899 lekë apo 11.5% më shumë se në vitin 2015, pasi Ministria e Financave parashikonte një shtrenjtim të borxhit të jashtëm dhe në fakt kjo vlerë nuk u rishikua as gjatë ndryshimeve që iu bënë buxhetit 2016 nëpërmjet akteve normative. VITI 2017 Viti 2017 prezantohet me një rënie të kostos së borxhit për frymë, duke shkuar në 14 569 lekë, 2.22% më pak se në 2016-ën, edhe pse kemi një rritje të stokut të borxhit në terma absolut. Ky nivel në rënie i kostos së borxhit vjen falë normave të pritshme të interesit në tregun e brendshëm, të cilat parashikohen të jenë ende nën nivelin mesatar të tri viteve të fundit. Edhe pse gjatë vitit 2017 vlerësohet të ketë një rritje të interesave të borxhit të jashtëm, por edhe të borxhit të brendshëm, Ministria e Financave mendon se këto efekte do të japin ndikimet e tyre në buxhet vetëm në vitet 2018-2019.