Open Data Albania ka hulumtuar mbi shoqëri biznesi që veprojnë si Institucione të Arsimit të Lartë apo Universitete Jo Publike. Të dhënat janë marrë nga databaza e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit.

Këto institucione funksionojnë dhe rregullohen në bazë të Ligjit nr. 80/2015,  me titull: Për Arsimin e Lartë dhe kërkimin shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë. Institucionet e Arsimit të Lartë janë të organizuara në institucione publike, jopublike dhe publike të pavarura. Ato duhet të ofrojnë programe të licencuara të studimeve, për të cilat lëshojnë diploma pas akreditimit të institucionit dhe programit të studimit. Institucione jopublike, të arsimit të lartë janë persona juridik privat. Veprimtaria që ato zhvillojnë mund të jetë fitimprurëse ose jofitimprurëse. Sipas Ligjit, llojet e institucioneve të arsimit të lartë janë universitetet, akademitë dhe kolegjet profesionale të larta.

Universiteti është institucion i arsimit të lartë që vepron në fushën e arsimit, kërkimit shkencor, veprimtarive krijuese dhe profesionale. Universiteti duhet të ketë në përbërje të paktën tre fakultete. Universiteti ofron arsimim të lartë, zhvillim të dijeve, të shkencës, të inovacionit dhe profesioneve. Gjithashtu një universitet në dallim nga të tjera njësi të arsimit të lartë, zhvillon kërkim shkencor bazë e të zbatuar, veprimtari krijuese, ofron shërbime dhe ushtron veprimtari të tjera, në përputhje me fushat e programeve të studimit. Universiteti ofron programe të studimit në të gjitha ciklet e studimeve të arsimit të lartë si edhe programe studimi me karakter profesional.

    Nga hulumtimi i Open Data Albania kemi arritur të gjejmë të dhëna të karakterit tregtar për 23 institucione.
    Prej tyre katër funksionojnë si organizma jofitimprurëse, OJF dhe fondacione. Konkretisht të regjistruara si jofitimprurëse janë “Hëna e Plotë” (Bedër), “Nehemiah Gateway”, Akademia e Studimeve te Aplikuara “Reald”, Vlorë dhe SHLP “Mesdhetare e Shqipërisë”.
    Nëntëmbëdhjetë të tjera janë të regjistruara në QKR dhe veprojnë si shoqëri biznesi.
    Vetëm një është shoqëritë institucione të arsimit të lartë, funksionon si aksionere SHA, ndërsa tetëmbëdhjetë të tjera janë shoqëri me përgjegjësi të kufizuar SHPK.
    Në katërmbëdhjetë  raste shoqëria e regjistruar për të bërë të mundur aktivitetin e një Universiteti Jo Publik është shoqëri e zotëruar nga ortak individ.
    Në tre raste janë shoqëri mëma që zotërojnë aksione apo kuota të shoqërisë që funksionon si institucion i arsimit të lartë.
    Në një rast kemi ortak të miksuar individ dhe shoqëri. Tre institucione apo universitete jopublike kanë posedues individ të huaj, konkretisht “Epoka”, Logos dhe University of New York Tirana.
    Nëse shohim individët aksionar sipas ndarjes gjinore janë gjashtë femra që kanë kuota në këto shoqëri që funksionojnë si Institucione të Arsimit të Lartë.
    Nëse shohim kapitalin themeltar të këtyre shoqërive rezulton se vlerën më të lartë e ka shoqëria Turgut Ozal Education, shoqëri nën të cilën funksionon Universiteti Epoka.
    Tetë janë shoqëri me kapital minimal prej 100 000 lekë.
    Dy nga shoqëritë kanë status si të Pezulluara tek aktiviteti tregtar. Shiko artikullin e ODA(tabela Excel).
    Po njësoj mund të krahasojmë edhe të dhëna që përkojnë me Aktive Afatgjata Materiale investime afatgjata, në të cilat përfshihen Toka dhe Ndërtesa, Impiante dhe Makineri si dhe Instalime dhe Pajisje.
    Sa i takon aktiveve afatgjata materiale kompani me të dhëna më të larta për vitin 2015 rezulton shoqëria UFO me një vlerë rreth 3.2 milionë lekë.
    Një indikator tjetër janë kreditë që këto shoqëri tregtare kanë marrë në banka të nivelit të dytë. Vlerën më të lartë të kredive e shënon “Epoka”, pjesë e “TURGUT OZAL EDUCATION”, përkatësisht 1.14 miliardë lekë në vitin 2015. Xhiron më të lartë vjetore në vitin 2015 e ka kryer “UFO”, përkatësisht 1.5 miliardë lekë, ndërsa xhiron më të ulët “IVODENT”, përkatësisht 3.6 milionë lekë.
    Kosto të punës apo pagesat që universitetet kanë bërë për burime njerëzore, staf akademik dhe personel sporti është një detaj kontabël i analizuar në kontekstin e këtyre kompanive. Konkretisht kompania me kosto më të larta për burime njerëzore është  shoqëria me të cilën funksionon edhe Epoka me 551 milionë lekë, ku duhet thënë se shoqëria ka edhe të tjera institucione arsimore veç Epokës. Kjo pasohet nga UFO me 327 milionë lekë dhe Universiteti Europian i Tiranës me 223 milionë lekë.
    Në vitin 2015 tre nga pesëmbëdhjetë shoqëritë tregtare që veprojnë si universitete jo publike dhe për të cilat kemi informacion kontabël, janë shoqëri me humbje  ndërsa të tjerat rezultojnë me fitime.
    Nga administratorët që drejtojnë këto shoqëri theksojmë se vetëm pesë raste janë femra. Në shumicën e shoqërive administratori është edhe ortak i shoqërisë.
    Disa nga shoqëritë tregtare nuk veprojnë vetëm si institucione të arsimit të lartë dhe kanë në aktivitet tregtar dhe ekonomik edhe njësi të tjera në sektorin e arsimit dhe jo vetëm.