Kontratat e bashkive, femrat marrin vetëm 3% të vlerës Bashkitë vënë në dispozicion miliona lekë për të lidhur kontrata shërbimesh me bizneset, dhe vetëm 3 për qind të vlerës së tyre ua japin subjekteve që drejtohen nga femrat. Megjithëse, sipas të dhënave të INSTAT, rreth 30 për qind e bizneseve në rang kombëtar zotërohen nga femrat, të dhënat e një studimi të fundit të kryer në 61 bashkitë e reja të vendit, dëshmon se sa pak peshë zënë bizneset e drejtuara nga femrat në kontratat e shërbimeve publike.

Aranita Brahaj, drejtuese e Institutit Shqiptar të Shkencave, bën të ditur se janë studiuar 4820 tendera për të parë sa prej tyre janë fituar nga gratë. “Gjatë periudhës korrik 2015 deri 31 janar 2016, bashkitë në vend kanë përfunduar gjithsej 4820 tendera. Fondi limit në prokurim ka qenë 26.4 miliard lekë. Ndërsa vlera e ofertave fituese është 22.8 miliard lekë. Subjektet e biznesit ku kemi pronësi femër është vetëm 731.6 milion lekë. Në përqindje vetëm, 3.2 % e vlerës totale të kontratave janë lidhur me subjekte ekonomike femra. Në total, nga 4820 tender të finalizuar me shpallje fituesi, subjektet nën pronësi të femrave janë fituese në 256 kontrata (tender) ose në 5% të totalit”, pohon Brahaj.

Bashkia e Cërrikut është rendtiur e para për vlerën dhe numrin e kontrateve që ua ka besuar biznesve të drejtuara nga femrat. Ndërkohë, nga studimi ëshë vë re se ka bashki që nuk kanë lidhur asnjë kontratë me këto biznese. “Sipas vlerës së kontratës është Bashkia Cërrik e cila mban vendin e parë për vlerë kontratash lidhur me subjekte në pronësi femër.

Elbasani pason duke zënë vendin e dytë dhe Tirana me Vlorën janë më poshtë në renditje. Bashkia Cërrik mban vendin e parë edhe për peshën e kontratave me subjekt nën pronësi femër, kundrejt totalit të kontratave të kësaj bashkie. E dyta është bashkia e Pukës dhe më pas renditen bashkitë Kuçovë, Dropull dhe Mirditë.

Sipas numrit, Bashkia që ka numrin më të madh të kontratave me subjekte nën pronësi femra është Bashkia Shkodër me 25 kontrata të tilla. Këto kontrata janë relativisht të vogla në vlerë. Pas Shkodrës renditet Tiranë, Vlora dhe Elbasani”. Bashkitë Fushë Arrëz, Tepelenë, Mat, Polican, Bulqizë, Librazhd, Libohovë, Devoll nuk kanë asnjë kontratë të lidhur me subjekte biznesi të kanë pronar femër.