Edhe pse është shënuar një rritje e bizneseve që drejtohen nga gratë, përsëri  në pjesëmarrjen e prokurimeve publike ato zënë një vend modest. Sipas  një analizë të bërë nga Open Data Albania, gjatë periudhës korrik 2015 deri 31 janar 2016, bashkitë në vend kanë përfunduar gjithsej 4820 tendera, nga të cilët  me shpallje fituesi, subjektet nën pronësi të femrave janë fituese në 256 kontrata (tender) ose në 5% të totalit.

Fondi limit në prokurim llogaritet të ketë qenë 26.4 miliard lekë, ndërsa Vlera e Ofertave Fituese (kontratave) është 22.8 miliard lekë. Subjektet e biznesit ku kemi pronësi femër (mazhoritar apo bashkëpronësi) është vetëm 731.6 milionë lekë, në përqindje vetëm, 3.2 % e vlerës totale të kontratave (oferta fituese) janë lidhur me subjekte ekonomike femra.

Sipas Vlerës së Kontratës është bashkia Cërrik e cila mban vendin e parë për vlerë kontratash lidhur me subjekte në pronësi femër. Elbasani pason duke zënë vendin e dytë dhe Tirana me Vlorën janë më poshtë në renditje. Bashkitë Fushë Arrëz, Tepelenë, Mat, Poliçan, Bulqizë, Librazhd, Libohovë, Devoll nuk kanë asnjë kontratë të lidhur me subjekte biznesi të kanë pronar femër.

Nga subjektet me pronësi femër, ose të paktën një femër, 61 prej tyre, ose 44.85% janë të regjistruara si persona fizikë dhe 55.15% si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar.

Pesha e lartë e bizneseve të drejtuara nga femrat, që janë persona fizikë, nënkupton që përgjithësisht kemi të bëjmë me subjekte të vogla, që rrjedhimisht punojnë me kontrata jo të mëdha. Nga 102 Shoqëri Biznesi të cilat janë në pronësi të Bashkive (plotësisht apo pjesërisht),  vetëm 4 ndër 107 administratoret  janë gra. Pesha në përqindje më pak se 4%.