Deklarimet e pasurisë për 15 gjyqtarë të Gjykatës së Lartë e Kushtetuese janë zbardhur nga “Gazeta Shqiptare”. Sipas formularit të vetëdeklarimit, marrë nga “Open Data”, gjyqtari më i pasur në asete është Guxim Zenelaj me të ardhura vjetore 566 mijë lekë në vit dhe pasuri në vlerë rreth 83 milionë lekë. Pas tij vjen Mirela Fana me të ardhura vjetore familjare 12.3 milionë në vit, plus 51 mijë euro dhe rreth 12.7 milionë asete.
Pjesa më e madhe e gjyqtarëve kanë asete me vlerë rreth 4-5 milionë lekë dhe me të ardhura mesatare familjare rreth 2-3 milionë në vit.
Më e “varfra” sipas vetëdeklarimeve është Vitore Tusha, e cila edhe pse ka të ardhura vjetore 3.4 milionë dhe 12 mijë euro, vlerë pasurie ka 21 mijë lekë. Pas saj vjen Andi Çeliku me 544 mijë lekë asete. Në përgjithësi ka mospërputhje logjike të deklarimeve, ku në shumicën e rasteve nuk kanë specifikuar vlerën reale të shtëpisë sipas çmimit të referencës. Gjithsesi këta gjyqtarë do të jenë pjesë e verifikimit nga komisionet e vetingut, të cilët do të shohin përputhshmërinë e deklarimeve.