Më 14 dhjetor 2016 Ambasadori Amerikan Donald Lu i kërkoi publikisht Qeverisë arrestimin e Klement Balilit.
“Si mund të shpjegojmë ndryshe faktin, që trafikanti i paprekshëm i drogës, Klement Balili është ende i lirë?!”, deklaronte kryediplomati amerikan në Tiranë.
Pas kësaj Klement Balili jo vetëm nuk u arrestua, por vetëm dy javë më vonë, më 28 dhjetor, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i dha kompanisë “Balili Co” 7 mijë dollarë shtesë mbi kontratën 35 mijë dollarëshe për ruajtjen e godinës në Sarandë.
Biznesi i Balilajve me shtetin ka vazhduar, pavarësisht thirrjeve publike të ndërkombëtarëve ndaj qeverisë. Rreth 3 muaj pas thirrjes së ambasadorit Lu, në 3 prill të 2017, zyra e administrim-koordinimit Butrint, një institucion në varësi të Ministrisë së Kulturës, i ka dhënë një tjetër tender kompanisë “Balili Co” me vlerë 70 mijë dollarë. Madje përmes procedurës kërkesë për propozim, pra jo me garë të hapur.
Të dhënat zyrtare nga Thesari i Shtetit tregojnë se gjatë tre viteve të fundit “Balili Co”, kompania e zotëruar nga vëllai i Klement Balilit ka përfituar mbi 850 mijë dollarë tendera publikë.
Kulmi i ironisë është shërbimi i ruajtjes me polici private që Bashkim Balili i ka ofruar prokurorive të rretheve, pikërisht kur vëllai i tij, Klement Balili, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge.
Kompania e zotëruar nga Bashkim Balili ka marrë parà për të ruajtur prokuroritë në jug të vendit: prokurinë e Sarandës, të Gjirokastrës dhe të Përmetit, sic tregohet edhe nga transaksionet e Thesarit.
Sipas dokumentave të bërë publike nga “Open Data Albania”, për periudhën 2015-2017, kompania “Balili Co” ka përfituar kontrata publike nga një sërë institucionesh shtetërore: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Bashkia Sarandë, Prefektura e Qarkut Vlorë, Drejtoria e Peshkimit dhe Akua-kulturës në Tiranë, Spitali i Delvinës, Universiteti Politeknik, Parku i Butrintit, etj.