Në një kohë kur deputetët e Rilindjes po denoncojnë me forcë disa kontrata qiraje për tokat bujqësore të siguruara nga kompania ‘Balili-Ko’ e cila është në pronësi të Bashkim Balilit (vëllai i Escobarit të Ballkanit, Klement Balili), rezulton se vetë zyrtarët e Rilindjes i kanë dhënë disa tenderë të rëndësishëm kësaj kompanie, ku më pikanti duket ai që lidhet me parkun e Butrintit, një zonë në patronazhin e UNESCO-s.
Kompania në fjalë është Balili-KO, e cila rezulton fituese e një kontrate në Parkun Kombëtar të Butrinit. Kontrata fituese ka si qëllim ruajtjen me anë policisë private të Parkut.
Hashtag.al mblodhi disa të dhëna tek OpenData, ku vihet re se kompania ka fituar tenderin dhe ka lidhur kontratën me Parkun e Butrintit më 1 Prill 2017.
Nga të dhënat publike rezulton se kjo kompani ka fituar disa dhjetëra tenderë dhe në drejtoritë e tatimeve, OSHEE, etj.
Duket interesant fakti se ndërsa deputetët e Rilindjes thumbojnë LSI-në për kontratat e qirasë së tokave me Balilajt, duke shënjestruar ‘lidhjet me narkotrafikantin’, një vit pasi Balili është shpallur në kërkim, ministrja Kumbaro i beson të njëjtës kompani ruajtjen e Parkut Kombëtar të Butrintit,  vlerë e mbrojtur nga UNESCO.
Por pse kjo hipokrizi dhe ky dyzim?
Shpjegimi shkon përtej implikimeve të Klement Balilit në narkotrafik, biznes apo lidhje politike, pasi që prej muajit Maj 2016, Klement Balili nuk është thjesht një i dyshuar për narkotrafik, por është mbi të gjitha, instrumenti që do përdorte Rilindja për të intimiduar ish-aleatin e saj, LSI-në.
Skema u ndërtua nga të njëjtët operatorë mediatikë-politikë si në rastin CEZ-DIA, ku dy media të financuara direkt nga projekte të ambasadës amerikane dhe me mbështetje nga Fondacioni Soros, publikuan një dosje hetimore greke për Klement Balilin, vëllezërit e të cilit ishin të njohur si mbështetës të LSI-së, ndërsa vetë Balili mbante një funksion si drejtor transportesh në Sarandë.
Por në ndryshim me rastin CEZ-DIA, kombinacioni Balili nuk e gjeti në gjumë LSI-në.
24 orë pasi Klement Balili u shpall në kërkim, shpërtheu skandali i famshëm i kryebashkiakut socialist Shukri Xhelili dhe filmimi i tij erotik.
‘Mesazhi’ dukej sikur thoshte: Provojeni, s’ka problem.
Rilindja dhe mediat e furnizuara prej saj për Balilin e humbën avantazhin e befasisë pas kësaj.
Por ishte e qartë se ndërsa kishin kanabizuar gjithë Shqipërinë dhe ishin implikuar rëndë me trafikun e drogës, Rama dhe Tahiri, ndiheshin të bezdisur nga denoncimet që bënte aleati i tyre i LSI-së ndaj fenomenit të kanabizimit.
Balili ishte kombinacioni që do të vinte si kundërpërgjigje për të relativizuar problemin e kanabizimit.
Në lojë kishte hyrë dhe ambasadori amerikan Donald Lu.
Ilir Kulla, një bashkëpunëtor i afërt i Ilir Metës, deklaroi në janar 2017 se gjatë një vizite në SHBA, Meta kishte kuptuar se ambasadori Lu ia kishte faturuar atij çështjen Balili  në kabllogramët që dërgonte në Uashington.
Menjëherë sapo u kthye në Tiranë, Meta kërkoi që të mblidhej Këshilli i Sigurisë Kombëtare për këtë çështje.
Klement Balili gjatë gjithë këtyre muajve ka qenë në kërkim dhe ndërsa Rilindja me ndihmën e ortakut Lu përpiqej t’ia faturonte Metës problemin, nuk mundi të shmangte dot dy fatura:
Kanabizimin e vendit.
Paaftësinë për ta arrestuar Balilin.
Problemi i kanabizimit degradoi dhe më tej ku pas hetimeve të kryera në Katania ish-ministri i brendshëm Tahiri u dyshua si pjesë e një grupi të trafikut ndërkombëtar të drogës. Rast i paprecedentë, ku një ish- ministër i Brendshëm dyshohet për implikim direkt, familjar, farefisnor, shoqëror, në ndërtimin e infrastrukturave të trafikut.
Mes këtyre problemeve dhe implikimeve të rënda luhatet sot Rilindja dhe kanabisi është shndërruar në ankth dhe njollë, ligjore dhe politike.
Por nuk është vetëm rilindja në këto pozita, por edhe vetë ambasadori amerikan, i cili është njësoj i kompromentuar në raport me problemin e kanabizimit.
Donald Lu nuk e ka denoncuar asnjëherë këtë fenomen gjatë vitit 2016 e më pas, ndonëse kishte dijeni të plotë mbi problemin, i informuar njësoj si kryeministri Rama.
Sikleti me kanabisin ka bërë që Rilindja dhe Lu ta gjejnë veten të rrethuar nga parcelat me telashe që vetë i lejuan, e për pasojë ata përpiqen të kompleksojnë kundërshtarët e tyre politikë që vënë theksin te kanabisi. Njësoj vepruan dhe me kombinacionin për kontratën lobuese të Lulzim Bashës dhe njësoj po përpiqen të kompleksojnë LSI-në me kontratat e qirasë së tokave bujqësore.
Ndonëse të dhënat publike tregojnë se vetë Rilindja që denoncon këto kontratat me Balilajt, ka vijuar bashkëpunimin me ta, madje duke i besuar dhe mbrojtjen e Parkut të Butrintit, patronazh i UNESCO-s.