Në një kohë kur gjykata ka vendosur të sekuestrojë 39 pasuri, ku mes tyre janë 3 trualle me sipërfaqe të përgjithshme 185.665 m2, kompleksin “Santa Quaranta” dhe plot 35 apartamente që janë të rregjisruar në emër të Bashkim Balilit dhe familjarëve të Kelmend Balilit, policia e Shtetit ka urdhëruar heqjen e tre liçencave të policive private që administrojnë Balilët.
Një komision pranë Drejtorisë së Policisë së Shtetit, ka marrë në shqyrtim tre liçensat 1.3 A dhe 1.3 B të kompanisë “Balili-Co” dhe liçencën e “SB-Security”, ku ka vendosur që të treja të hiqen. Shkak i kësaj është bërë një hetim i nisur nga prokuroria dhe policia e shtetit e cila ka pasur në sitë të gjitha pasuritë e vllezërve Balili, përfshirë këtu dhe të kërkuarin Kelmend Balilin.
Një burim pranë Policisë së Shtetit i tha “Shqiptarja.com” se vendimi për heqjen e liçencave është marrë nga Departamenti për Sigurinë Publike pranë këtij institucioni. Mësohet se kompania “Balili&Co” administrohet nga vëllai i Kelmendit, Bashkim Balili, ndërsa kompania tjetër “SB-Security” administrohet nga vllai tjetër Selim Balili.
Licencat u firmosën nga Haki Çako
Një burim pranë policisë së Shtetit i tha “Shqiptarja.com” se më 31 maj të vitit 2012 ai ka marrë licencën për shoqërinë e ruajtjes fizike “Balili KO” dhe licenca mban emrin dhe firmën e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit Haki Çako, i cili më 23 dhjetor të vitit 2015 e ka firmosur licencën për kompaninë e vëllait të Kelment Balilit, ndërsa më datë 17 dhjetor 2017 ka urdhëruar heqjen e kësaj license. Licensat e të dyja kompanive ishin aktive edhe pas nisjes së hetimit për trafik droge.
Pavarësisht kërkesave për arrestim dhe ekstradim, por edhe thirrjeve të diplomatëve, shteti vijonte dhe i jepte para kompanisë “Balili KO” për të ruajtur ndërtesat shtetërore në Sarandë. Pagesa është bërë nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve me një vlerë prej 42 mijë dollarë. Open Data ka nxjerrë të dhëna për 297 transaksione, me një vlerë totale prej 94 milionë lekë kryera nga kompania “Balili&Co”.
Ruante prokurorët

Gjithmonë sipas “Open Data” 1.4 milionë lekë janë paguar nga Bashkia e Sarandës në dhjetor të 2016 për këtë kompani, ndërsa 8.2 milionë lekë i ka dhënë Ministria e Kulturës për ruajtjen e Parkut Butrinti. Ministria e Bujqësisë nga viti 2015 deri në 2017, ka dhënë 13.7 milionë lekë për ruajtjen e rezervateve të midhjeve në parkun e “Butrintit” në Sarandë.
Open Data tregohet se edhe Prokuroritë e Sarandës dhe Gjirokastrës paguanin kompaninë e Balilit për të ruajtur godinat e tyre ndërsa kontrata të ngjashme kanë edhe spitalet në jug.