“Open  Data Albania” publikon listën e kryebashkiakëve të Shqipërisë duke i renditur nga më i pasuri deri te më i varfri për vitin 2016.  Sipas kësaj renditje më i pasuri nga kryebashkiakët është ai i Vorës, Fiqiri Ismaili, ndërsa më i varfri është Fran Tuçi, kryebashkiak i Fushë Arrëzit. Në renditjen e bërë lloji i pasurisë është ndarë në disa kategori të ardhura dhe përfitime të tilla si të ardhura nga angazhimi në detyrën e kryebashkiakut dhe angazhime të tjera profesionale, pjesëmarrje në borde apo komisione, të ardhura nga interesa bankare depozita, obligacione, bono thesari, tituj financiar dhe të tjera forma të aktivitetit financiar, të ardhura nga qiradhëniet, të ardhura nga biznese dhe sipërmarrje ekonomike, të ardhura të personave të familjes, dhurata, hyrje financiare për shkak të shlyerjes së detyrimeve kontraktore, e të tjera kategori të ardhurash.
Në bazë të të ardhurave të përfituara nga detyra si anëtarë bordesh apo këshilltar më shumë ka fituar kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo, i cili është anëtar i Këshillit të Qarkut Korçë, ai ka përfituar të ardhura dhe si Anëtar i Delegacionit të Shqipërisë në Kongresin e Autoriteteve Vendore dhe Rajonale të Këshillit të Evropës. Ndërkohë që nga 60 kryebashkiakë, 30 prej tyre kanë deklaruar se kanë  paste të tilla si Këshilltar apo Anëtar Bordesh. Nga të ardhurat e llogaritura  nga qiradhëniet, i pari në listë qëndron kryebashkiaku i Vorës, Fiqiri Ismaili, pas tij vjen kreu i Bashkisë së Cërrikut, Altin Toska. Ky i fundit ka përfituar nga qiradhënia e një apartamenti në Itali rreth gjashtë mijë e gjashtëqind euro. Ndërkohë që janë 6 kryetarë që deklarojnë fitime nga qiradhënia.
Më konkretisht Fiqiri Ismaili, Altin Toska, Rigels Balili, Voltana Ademi, Adriatik Zotkaj dhe Fredi Kokoneshi. Kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës, Beqir Nuredini ka përfituar më shumë nga të gjithë në kategorinë e të ardhurave që i takon përfitime të marra nga biznesi apo sipërmarrja private. Sipas kërkimeve të bëra pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit rezulton se Beqir Nuredini është aksioner aktiv me 35% të aksioneve pranë kompanisë “Univers Promotion”. Pas Nuredinit kryebashkiaku tjetër që fiton më shumë nga bizneset private është kreu i bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili, sipas kërkimeve rezulton se ai ka tërhequr kontributin tek shoqëria me përgjegjësi të kufizuar “Agro Blend”, prej 6 milionë lekë. Dy bashkëshortët Ismaili janë aksionerët e vetëm të kompanisë Agro Blend me përkatësisht 92.7% të aksioneve Fiqiri Ismaili dhe 7.3% të aksioneve Znj. Hava Ismaili.

Gratë më të pasura
Për sa i përket kategorisë për të ardhurat e personave të familjes, në krye të kësaj liste qëndron bashkëshortja e kreut të Bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili, Hava Ismaili. Vetëm gjatë një viti, sipas të dhënave rezulton se zonja Ismaili ka përfituar rreth 9.9 milionë lekë, të cilat janë të ardhura si administratore e shoqërisë ”Agro Blend” dhe të ardhura nga shitje online. E ndërsa pas saj vjen bashkëshortja e kreut të bashkisë së Tiranës, Erjon Veliajt, Ajola Xoxa. Nga deklarimet për të ardhurat neto të vitit 2016, rezulton se zonja Xoxa ka fituar rreth 7.9 milionë lekë. Këto të ardhura Ajola Xoxa i ka nga aktiviteti i saj si konsulent ligjor, person fizik i regjistruar me NIPT, si dhe nga konsulenca për projekte financuar nga UNICEF.