Bashkia do të dorëzojë te privati për 8 vite e 6 muaj disa objekte shkollore. Detajet e kontratës dhe parashikimet e projektit me fitim 6,2 % në vit
Bashkia e Tiranës ndodhet në përfundim të procedurave për koncesionin për përmirësimin e një pjese të infrastrukturës arsimore. Në kuadër të Partneritetit Publik-Privat, ky koncesion do të jetë i formës PBOTM (Projektim, Financim, Ndërtim, Mobilim, Mirëmbajte, Mbikëqyrje dhe Kolaudim) për pesë objekte arsimore në zonën nr.1 të Bashkisë së Tiranës. Kostoja e vlerësuar e projektit, njëkohësisht fond limit për këtë tenderim është 1.940.859.276 lekë pa TVSH (rreth 15 milionë euro). Sipas të dhënave të dosjes, të publikuara nga “Open Data”, burimi i financimit do të jetë Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë. Kohëzgjatja e kontratës së Partneritetit Publik-Privat do të jetë: 8 vjet e 6 muaj. Për Zonën Tirana 1 janë parashikuar gjithsej 5 shkolla. Autoriteti Kontraktor do të ofrojë një sipërfaqe prej 27.936 metra katrorë, vendosur përkatësisht në tre objekte arsimore në njësinë administrative nr.11 dhe dy objekte arsimore në njësinë administrative nr. 9. Në dokumentet e dosjes, theksohet se kompania koncesionare që do të krijohet pas lidhjes së kontratës së koncesionit do të shlyhet tërësisht (likuidohet) për totalin e shumës së investuar (shpenzuar) në një periudhë kohore prej 7 vitesh nga data e dorëzimit të objekteve, duke i përllogaritur edhe një rimbursim për marzh fitimi në masën 6.28 % në vit. Koncesionari do të përballojë me të ardhurat e veta të gjithë investimin për projektimin ndërtimin mobilimin pajisjen me laboratorë, mirëmbajtjen, mbikëqyrjen dhe kolaudimin si dhe vënien në funksion të tyre. Objektet arsimore duhet të ndërtohen si dhe të jenë funksionale në një afat kohor prej 18 muaj nga data e lidhjes së kontratës. Pas ndërtimit dhe vënies në funksion të objekteve arsimore, koncesionari do të mirëmbajë objektet për një periudhë 7-vjeçare. Pas përfundimit të ndërtimit, Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Arsimit do t’i paguajë koncesionarit/PPP një shumë të caktuar vjetore deri në përfundim të plotë të shumës së investuar. Subjektet e paraqitur në këtë garë janë “SENKA” shpk, “FILIPPETI s.p.a”, “Bruçi” shpk dhe bashkimi “AGI KONS” shpk & “MET ENGENEERING” shpk & “ZENIT&CO” shpk, që rezultoi edhe fitues.