Open Data Albania po hulumton mbi kontratat koncesionare apo të partneritetit Privat Publik PPP, të cilat janë lidhur ndër vite. Hulumtimi bazohet tek të dhëna për kontratat apo marrëveshjet koncesionare sipas një evidentimi të bërë në dokumentin “Relacioni për Projekt Buxhetin e Shtetit 2018”. Kontratat janë ndarë sipas sektorëve ekonomik. Kontratat koncesionare dhe PPP apo marrëveshjet janë mjaft dinamike. Vlerat e parashikuara janë të lidhura me efekte realizimi dhe mosrealizimi sikurse me efekte të ndryshimeve, shtesave apo riformulimeve që ju bëhet kontratave. Gjithashtu këto lloj kontratash kanë një shtrirje të gjatë në kohë dhe shpesh regjime apo referenca ekonomike të tregut, sjellin ndryshime të mundshme në parashikime dhe realizime të kontratës.
Sipas listës të publikuar nga Ministria e Financave, në total janë dyqind e njëzet e tre kontrata koncesionare, të ndarë në gjashtë sektorë: Sektori i Energjisë, Sektori i Transportit; Sektori i Shëndetësisë; Sektori Tatimor dhe Doganor; Sektori i Mjedisit; Sektori i Bujqësisë. Vlera e përllogaritur e kontratave koncesionare është pesëqind e katër miliardë pikë tetë lekë (504.8 mld lekë). Për vitin 2018 janë parashikuar edhe tetë kontrata të reja koncesionare. Në total vlera e koncesioneve ekzistuese dhe të parashikuara llogaritet 661,594,257,243 lekë.
Lista e Kontratave Koncesionare/PPP aktive sipas vlerave te kontrates (ekzistuese dhe parashikim2018 ne Leke)Sektori i EnergjiseSektori i EnergjiseSektori i TransportitSektori i TransportitSektori iShendetesiseSektori iShendetesiseSektori Tatimordhe DoganorSektori Tatimordhe DoganorSektori i MjedisitSektori i MjedisitSektori i Energjise: 379 478 818 639
Aktualisht sipas Relacionit për Buxhetin 2018, prej të gjitha kontratave vetëm tetë marrin mbështetje nga buxheti i shtetit. Këto kontrata janë hulumtuar në një artikull të sapo publikuar në portalin tonë.
Kontratat e tjera (vecanërisht HEC-et) financimi bëhet nga privatët.
Sektori që ka peshën më të madhe të kontratave në vlerë është Energjia, me 75 për qind të totalit të vlerës. Ky sektor numëron një qind e tetëdhjetë e pesë kontrata (185) nga 223 kontrata që janë në total, me një vlerë prej 379.4 miliardë lekësh. Të gjitha kontratat koncesionare të këtij sektori janë të llojit Ndërtim, Operim, dhe Transferim/Mirëmbajtje hidroncetrali.
Kontrata me peshën më lartë ndaj totalit të vlerës së këtij sektori është kontrata koncesionare e Ndërtim, operim dhe transferim hidrocentrali Kaskada e Devollit, me një vlerë prej 130 miliardë lekësh.
Sektori i dytë me peshë më të lartë për sa i përket vlerës së kontratave është Transporti, me 7 për qind të totalit të vlerës së kontratave, apo 37.5 miliardë lekë. Ky sektor numëron 14 kontrata koncesionare, të ndara sipas llojit në tre kontrata shërbimesh dhe 11 kontrata të Ndërtimit, Operimit dhe Transferimit.
Kontrata me vlerën më të lartë në këtë sektor është “Ndërtimi, Operimi dhe Transferimi i Aeroportit “Nënë Tereza””, me një vlerë prej 9.3 miliardë lekë.
Kontrata e dytë me vlerë më të lartë në këtë sektor është kontrata e “Ndërtimi, Operimi dhe Transferimi (BOT) HEC mbi lumin Devoll, rimbursimi i ndërtimit të rrugëve zëvendësuese” me një vlerë prej 7 miliardë lekë.  Kjo kontratë realizohet me mbështetje nga buxheti i shtetit.
Sektori i Shëndetësisë është sektori i tretë me peshën më të lartë për sa i përket vlerës së kontratave të këtij sektori ndaj totalit të shumës së të gjitha kontratave. Të gjitha kontratat e këtij sektori janë me mbështetje buxhetore.
Në sektorin e Shëndetësisë janë lidhur katër kontrata shërbimesh: Ofrimi i setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, trajtimi i mbetjeve biologjike dhe dezinfektimi i sallave kirurgjikale; Shërbimi i Hemodializës; Ofrimi i Shërbimit të Kontrollit Bazë (Check-Up); Ofrimi i shërbimeve laboratorike spitalore. Në total vlera e koncesioneve e këtij sektori llogaritet 34.2 miliardë lekë.
Sektori i Tatimeve dhe Dogana ka një faturë koncesionare prej 28.1 miliardë lekë. Ky sektor numëron dy kontrata shërbimesh:Financimi, ngritja dhe operimi i shërbimit të skanimit të konteinerve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë me vlerë 27.6 miliardë lekë; Shërbimi i markimit dhe monitorimit të karburanteve me vlerë 475 milionë lekë.
Sektori i Mjedisit ka lidhur kontrata me  vlerë  25.4 miliardë lekësh. Ky sektor ka tre lloje kontratash të lidhura: një kontratë shërbimesh Menaxhimi dhe zhvillimi teknologjik i prodhimit të fidanëve pyjor, arror në Fidanishten Shtetërore të Cërrikut, Elbasan; tri kontrata të llojit Ndërtim, Operim dhe Mirëmbajtje (të cilat marrin mbështetje nga buxheti i shtetit): Ndërtimi dhe administrimi i impiantit të përpunuar të mbetjeve urbane të qarkut Elbasan; Për ndërtimin e administrimin e Impjantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Fier dhe prodhimin e energjisë; Inceneratori i Tiranes dhe një kontratë koncesionare shfrytëzimi: Shfrytezimi i Burimit ujor “Sasaj, Bunec”, Sarandë.
Inceneratori i Tiranës ka vlerën më të lartë të këtij sektori prej 18.3 miliardë lekë dhe është një kontratë që do të marrë mbështetje nga buxheti i shtetit.
Sektori i Bujqësisë është sektori me më pak peshë për sa i përket faturës koncesionare me vlerë prej 1.9 milionë lekë.  Lloji i kontratës së lidhur është Ndërtim, Operim, Transferim për  kultivimin e ullirit deri në 1000 ha, në Kavajë.
Për vitin 2018 janë parashikuar 8 kontrata të reja koncesionare të ndarë sipas sektorëve: 1 në Sektorin e Arsimit; 1 në Sektorin e Shëndetësisë dhe 6 në Sektorin e Transportit.
Në Sektorin e Arsimit parashikohet ndërtimi me koncesion i 17 shkollave në Bashkinë Tiranë me një vlerë prej 6.4 miliardë lekë.
Ndertim, Operim, Transferim i Spitalit Rajonal Fier me koncesion ka një vlerë prej 9.5 miliardë lekësh.
Në sektorin e Transportit për 2018-ën parashikohen të fillojë ndërtimi me koncesion për këto projekte: Ndertimi dhe Operimi i Aksit Tirane-Thumane-Vore; Ndertimi dhe Operimi i Rruges Kardhiq – Delvine; Ndertimi dhe Operimi i Rruges Kashar – Rrogozhine; Ndertimi dhe Operimi i Rruges Milot – Balldren; Ndertimi dhe Operimi i Rruges Orikum – Himare; Ndertimi dhe Operimi i Rrugës se Arbrit.
Të dhëna mbi shoqëri biznesi që zbatojnë një kontratë koncesioni apo Partneriteti Publik Privat ju mund ti gjeni në Portalin tonë për shoqëri biznesi. Ky portal është ndërtuar si projekt i mbështetur nga programi Lëviz Albania, ndërsa të dhënat për shoqëritë dhe kontratat koncesionare janë përgatitur dhe analizuar me mbështetje të programim Para, Qeverisje dhe Politikë projekt i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Tiranë. Portali për Shoqëri Biznesi publikon në formatin open data, të dhëna të shoqërive të biznesit. Të dhënat janë zyrtare dhe tërhiqen nga databaza dhe portale publike. Vendosja e tyre në një katalog për OpenData, bën që këto të dhëna të gjenden, përdoren dhe ripërdoren lehtësisht edhe përmes kërkimit on line(machine readible). Informacioni i aksesueshëm në këtë format informon qytetarët, rrit transparencën dhe llogaridhënien, edukon qytetarin të përdorë informacionin zyrtar për shoqëritë e biznesit dhe edukon konsumatorin shqiptarë të njohë shoqëritë dhe bizneset nga të cilat merr potencialisht shërbime apo përfshihet në marrëdhënie palësh.