Qeveria shqiptare ka miratuar kontrata koncesionare me vlerë 504.8 miliardë lekë. Ndërkohë, për vitin 2018 janë parashikuar edhe tetë kontrata të reja koncesionare, duke e çuar vlerën e përgjithshme të koncesioneve ekzistuese dhe të parashikuara në 661.594.257.243 lekë. Shifra është më e madhe se 5 miliardë euro. Lista përkatëse e kontratave koncesionare, apo të Partneritetit Publik-Privat (PPP) është përpunuar nga Open Data Albania.  
Sipas listës të publikuar nga Ministria e Financave, në total janë 223 kontrata koncesionare. Sektori që ka peshën më të madhe të kontratve në vlerë është Energjia, me 75 për qind të totalit të vlerës 185 kontrata me vlerë 379.4 miliardë lekë, ku përfshihen HEC-et. Sektori i dytë është Transporti, me 7% të totalit të vlerës me 37.5 miliardë lekë. Sektori i Shëndetësisë është sektori i tretë. Të gjitha kontratat e këtij sektori janë me mbështetje buxhetore.
Sektori i Tatimeve dhe Dogana ka një faturë koncesionare prej 28.1 miliardë lekësh, ndërkohë që sektori i Mjedisit ka lidhur kontrata me  vlerë 25.4 miliardë lekë.
Sektori i Bujqësisë është sektori me më pak peshë përsa i përket faturës koncesionare me vlerë prej vetëm 1.9 milionë lekësh me një kontratë për kultivimin e ullirit deri në 1.000 ha, në Kavajë.
Për vitin 2018 janë parashikuar 8 kontrata të reja koncesionare: ndërtimi me koncesion i 17 shkollave në Bashkinë Tiranë; ndërtim, operim i Spitalit Rajonal Fier; ndërtimi me koncesion për këto projekte: Ndërtimi dhe Operimi i Aksit Tiranë-Thumanë-Vorë; Ndërtimi dhe Operimi i Rrugës Kardhiq – Delvinë; Ndërtimi dhe Operimi i Rrugës Kashar – Rrogozhinë; Ndërtimi dhe Operimi i Rrugës Milot – Balldren; Ndërtimi dhe Operimi i Rrugës Orikum – Himarë; Ndërtimi dhe Operimi i Rrugës se Arbrit.