Vetëm pak ditë pasi doli në mbrojtje të Ramës për taksën në Rrugën e Kombit, Safet Gjici është shpërblyer nga Rama me një tjetër tender prej 13 milionë lekësh. Rasti i rrallë është denoncuar nga Departamenti anti-korrupsion në Partinë Demokratike. Në tenderin për ruajtjen godinave të spitalit të Kukësit me dy kompani “security” që rezultojnë të jenë të dyja në pronësi të tij, “Eurogjici-Security” dhe “Toni-Security”. Sipas PD, kjo vërtetohet nga të dhënat që kompania e dytë ka përdorur për regjistrimin në QKB. Gjici është një nga përfituesit e rregullt të tenderave të qeverisë.
Nga dokumentat e publikuara në media, por edhe të hedhura në portalin e të dhënave Open Data rezulton se, vetëm për këta të dy nga koha e ardhjes së Ramës në pushtet janë dhënë jo pak, por qindra tendera e kontrata të lidhura e të paguara nga paratë e buxhetit të shtetit. 102 tendera këto dy vite kanë shkuar vetëm për Safet Gjicin, i cili qendron në krye të listës së klientëve të favorizuar në zhvatjen e tenderave.
Gjici është drejtues i dy kompanive private, një që merret me shërbimet e securities dhe një tjetër që merret me ndërtim. Përmes të dyja këtyre kompanive, thuajse çdo muaj Gjici fut në xhep disa tendera. Përgjatë periudhës shtator 2013-dhjetor 2013, Gjici ka fituar 4 kontrata. Periudha janar 2014-dhjetor 2014 Gjici tejkalon në mënyrë galopante shifrën, duke fituar 40 kontrata. Por kjo prap nuk duket se ka qenë periudha më e artë e tij, duke parë se çfarë ka fituar më pas. Në periudhën janar 2015-dhjetor 2015, Gjici ka firmosur 58 kontrata.
Gjici, 8 miliardë lekë tendera në dy vite

Safet Gjici, kandidati i PS për Bashkinë e Kamzës në zgjedhjet e kaluara vendore dhe njëkohësisht pronar i dy kompanive “Eurigjici Security” dhe “Kevin Construction” është në krye të listës së përfituesve të tenderave qindra milionësh nga pushteti i Ramës. Nga një investigim i thjeshtë në portalin Open Data, rezulton se vetëm përmes një kompanie, asaj të ndërtimit, “Kevin Construction”, Gjici brenda këtyre dy viteve ka përfituar një shumë stratosferike prej afro 8 miliardë lekësh. Konkretisht, në vitin 2014, kompania e Gjicit, “Kevin Construction” ka përfituar 328,868,569.00 lekë ose 3.3 miliardë lekë të vjetra. Ndërsa për vitin 2015, e njëjta kompani ka përfituar 266,771,273.44 lekë tendera ose rreth 2.7 miliardë lekë të vjetra. Nga ana tjetër, Gjici ka përfituar tendera qindra milionësh me kompaninë tjetër të tij, Eurogjici. Brenda dy viteve, përmes kompanisë Eurogjici Security, Gjici ka zhvatur edhe dy miliardë lekë të tjera. Konkretisht, në vitin 2014, Eurogjici ka fituar 80,400,714, pra 800 milionë lekë të vjetra. Ndërkohë që gjatë këtij viti, Eurogjici ka përfituar plot 1 miliard lekë (101,525,562). Pra, në total me të dyja kompanitë e tij, Gjici brenda këtyre dy viteve ka marë nga Rama rreth 8 miliardë lekë tendera. Rama e ka përdorur Gjicin prej kohësh për financimin e fushatave zgjedhore dhe blerje votash derisa në zgjedhjet e kaluara vendore e bëri edhe kandidat të PS për Bashkinë e Kamzës. Nuk janë të pakta rastet e denoncuara për Gjicin për blerje votash, ku tashmë Rama këtë shërbim po ia shpërblen atij me tendera qindra milionësh. Pak kohë më parë në media u denoncua se si kompania tjetër e Gjicit, “Eurogjici Security” kishte futur në xhep plot dhjetë tendera, duke fituar qindra miliona lekë. Mediat zbuluan dokumentet e 10 tenderave që Rama i dha kandidatit të tij për kryetar Bashkie të Kamzës, Safet Gjici, gjatë fushatës zgjedhore të 21 qershorit të 2015 për blerjen e votave. Mediat kanë zbuluar 10 tenderat që i janë dhënë Gjicit pa konkurrim vetëm në 30 ditët e fushatës zgjedhore, ku kompania e Gjicit ka marrë përmes Komisionit të Prokurimit, jo pak, por 620 milionë lekë.