Open Data Albania, po hulumton mbi vëllimin e mallrave të transportuar që ka Porti i Durrësit. Nevoja për hulumtim lidhet me vendimmarrjen e Qeverisë Shqiptare për ta ndërprerë ekzistencën e Durrësit si Port Mallrash, duke e transformuar territorin në zonë luksoze rezidencash dhe port vetëm për mjete lundruese për përdorim individual. Të dhënat që ofron Instituti i Statistikave kanë shumë pak informacion mbi vëllimin dhe kategoritë e mallrave dhe shërbimeve sipas vlerave, në tregtinë dhe transportin kombëtar. Në këtë artikull do të prezantohen të dhëna për vëllimin e mallrave të përpunuar në Portin e Durrësit në dhjetëvjeçarin e fundit, duke identifikuar edhe trendin apo interesin në rritje të transportit përmes këtij Porti.
Durrësi apo njohur prej lashtësisë si Dyrrahu është zhvilluar që në kohë të lashtë si Portë dalje në det, e rëndësishme për Rajonin. Perandoria Romake apo ajo e Bizantit në shekullin e VII deri të XII, njihnin Durrësin si një nga skelat kryesore të tregtisë. Qyteti është karakterizuar që herët nga zhvillimi që vinte për shkak të Portit Detar. Porti ka pesë dekada që ka superuar kapacitetin e përpunimit të 1000 ton për metër linear, dhe po ashtu ka kalata që lejojnë edhe depozitim dhe përpunim për transport të mineraleve xeheror të papërpunuara. Aktualisht Qeveria Shqiptare artikulon se do të bëjë të mundur transferimin e Portit dhe Vëllimit Detar nga Durrësi në Porto Romano. Ky i fundit është një port për të cilin ende nuk ka një projekt të detajuar teknik dhe jemi në fazën ku po kërkohet një ofrues shërbimi për ta krijuar. Hartimi i projektit të Detajuar (Detailed Design) të Portit të Ri Tregtar të Integruar të Durrësit në Porto Romano është Objekti i një tenderi të shpallur në muajin Qershor 2021 nga Autoritetet Shtetërore. Në çdo rast një projekt fillestar nuk do të mund të jetë gati së paku deri në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2022, ndërsa një studim fizibiliteti parashikohet të kërkojë kohë objektive edhe më gjatë se Projekti. Zhvendosja e Portit të Durrësit sjell mjaft pikëpyetje edhe në lidhje me Projektit Europian të njohur si Korridori (tregtar) VIII, korridor i rëndësishëm për vendin tonë dhe mjaft vendimtar për ekonominë kombëtare. Ky Projekt Korridor VIII, është program për të cilin vendi duhet të synojë dhe konkurrojë për zhvillim. Një nga alternativat për zhvillim të transportit ndërkombëtar në Rajon është edhe Korridori X, që angazhon dy porte të tjera të rëndësishme të Rajonit, të vendosura në shtetin fqinj Greqinë.
Volumi më i madh i mallrave në Portin e Durrësit është shënuar në vitin 2019 me 4.6 milion ton mallra. Viti 2020 ka pësuar një rënie në transportin e mallrave nëpërmjet këtij porti si pasojë e kufizimeve në transportin detar me disa vende shkaktuar nga pandemia Covid-19. Volumi më i ulët i mallrave të hyrë dhe të dalë në portin e Durrësit, është shënuar në vitin 2016.
Vendi ynë aktualisht ka katër Porte Detare që garantojnë përpunim mallrash, konkretisht Durrësi, Saranda, Shëngjini dhe Vlora. Në vitin 2018, porti i Durrësit ka realizuar 92.9 % të volumit gjithsej të mallrave të transportuar nga portet, duke realizuar kështu pjesën më të madhe të realizuar ndonjëherë të volumit të mallrave ndaj totalit. Në vitin 2020, ky port pavarësisht ndikimeve të pandemisë, ka luajtur një rol të madh në shkëmbimin e mallrave, duke mbajtur një pozitë të fortë kundrejt porteve të tjera me 90.8%. Siç ilustrohet edhe në tabelën me peshën e Portit të Durrësit në Tregtinë Detare të Mallrave, Heqja e Portit të Durrësit nga Harta e Porteve Detare ende pa Projektuar, Studiuar, Startuar, Ndërtuar, Kolauduar, Akredituar dhe konsoliduar si Rentabël të Portit Zëvendësues mund të dëmtojë ekonominë kombëtare duke tkurrur në kapacitet, tregtinë detare me rreth 90%.
Porti i Durrësit ka luajtur një rol thelbësor në shkëmbimet e mallrave tregtare me vendet e tjera ndërsa ende nuk kemi një Studim Fizibiliteti mbi kapacitete dhe rendimente të mundshme të portit të Porto Romanos. për shkëmbimin e këtij volumi mallrash të realizuara deri më tani nëpërmjet portit të Durrësit.
Shkarko excel: Vëllimi i Punës Porti i Durrësit, 90% e mallrave të transportit detar përpunohen në DurrësComment and Analysis: Open Data Albania