Tërmeti i 29 nëntorit rrënoi shumë familje shqiptare por duket se ka pasuruar ndjeshëm bashkëpunëtorët e Edi Ramës. Vetëm kompanitë e themeluara nga kryebashkiaku i Kukësit Safet Gjici ka përfituar plot 35 milion euro fonde nga projektet e rindërtimit. Nga Fondi Shqiptar I Zhvillimit, kompania ‘Kevin Constuksion’ ka përfituar dy tendera për ndërtimin e 1400 banesave individuale

Dy vjet pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019, asnjë investim qeveritar për Rindërtimin nuk është përfunduar, ndërkohë që torta e miliardave tashmë është shpërndarë për kompanitë përfituese pranë qeverisë.

Shoqëria ‘Kevin Konstruksion’, e themeluar nga kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici, rezulton të ketë marrë pjesën më të madhe të parave publike të shpërndara për rindërtimin e pasojave të lëkundjeve sizmike.

Kevin Konstruksion’ është në krye të një bashkimi operatorësh, të cilët në vetëm dy procedura të zhvilluara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, kanë siguruar kontrata me vlerë totale 38.5 miliardë lekë të vjetra ose rreth 35 milionë euro.

Në 9 Shtator 2020, grupi privat i drejtuar nga ‘Kevin Konstruksion’ fitoi kontratën e parë me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, për një vlerë prej 18 miliardë lekë të vjetra, për rindërtimin e 677 banesave individuale.

Vetëm tre javë më pas, i njëjti grupim me lideri kompaninë e familjarëve të Safet Gjicit, përfituan kontratën e dytë, me vlerë 20.5 miliardë lekë të vjetra, për rindërtimin e 733 shtëpive individuale, në kuadër të procesit të Rindërtimit.

Me këto dy kontrata, kompania e krijuar nga Safet Gjici mori primatin e shoqërive që përfituan fonde nga procesi i zvarritur për rikuperimin e pasojave të Tërmetit të nëntorit 2019.

Një vend nderi në listën e përfituesve të fondeve të Rindërtimit është rezervuar për kompaninë ‘Salillari’, një prej klientëve më të rëndësishëm të qeverisë ‘Rama’.

Shoqëria e Pëllumb Salillarit ka përfituar kontrata në vlerë mbi 17 miliard lekë të vjetra për Rindërtimin.

Kontrata më e rëndësishme e fituar nga ‘Salillari’ në këtë proces është ajo e zhvilluar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në Shkurt të vitit 2021.

Në atë tender të kufizuar dhe me garë të reduktuar, ‘Salillari’ përfitoi kontratën me vlerë mbi 15 miliardë lekë të vjetra.

Pas ‘Salillarit’ gjendet i pozicionuar ‘Dajti Park 2007’, në pronësi të familjarëve të deputetit socialist, Xhemal Qefalia.

Dajti Park’, në bashkëpunim me një kompani tjetër, ka arkëtuar rreth 13 miliardë lekë të vjetra për të zbutur pasojat e tërmetit tragjik.

https://www.syri.net/politike/479034/video-syri-tv-fondet-e-rindertimit-per-safet-gjicin-perfitoi-35-mln-euro/