Mëngjesi i ftohtë i 19 janarit 2022 ka nisur me një përplasje të fortë ndërmjet banorëve që mbrojnë banesat e tyre në rrugën “5 Maji” në kryeqytet dhe forcave të Policisë së Shtetit e asaj Bashkiake nga ana tjetër, të cilët janë vendosur në mbështetje të inspektorëve ndërtimorë të Tiranës që janë urdhëruar nga kryebashkiaku Erion Veliaj për të shkatërruar shtëpitë e tyre, në kuadër të asaj që ai e konsideron si pjesë e planit të Rindërtimit.

Zona “5 Maji”, e cila përfshihet pjesërisht në Njësinë 4 dhe Njësitë 8 të Tiranës, së bashku me Kombinatin, u konsideruan si zonat më të prekurave nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019 në kryeqytet.

Në 3 Gusht 2020, qeveria miratoi Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 645, nëpërmjet të cilit u vendos të akordohej një fond prej 140 miliardë lekë të vjetra, në funksion të shkatërrimit të godinave të dëmtuara dhe rindërtimit të zonës.

Fondi qeveritar iu vendos në dispozicion Bashkisë së Tiranës, e cila u përcaktua si struktura përgjegjëse për menaxhimin e fondit gjigand, duke përfshirë edhe të gjithë procedurat tenderuese.

Në periudhën Shtator-Nëntor 2020, Bashkia e Tiranës zhvilloi një seri të gjatë “tenderash emergjentë” për Rindërtimin, ku përfituesit më të mëdhenj, pa asnjë surprizë, janë kompanitë që qëndrojnë shumë pranë kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

1. Në krye të listës së përfituesve qëndron bashkimi i operatorëve Nova Construction 2012” shpk & “Alesio 2014” shpk, të cilët kanë fituar kontratën me fond limit 573.665.006 lekë të reja.

Nova Construction 2012 është kompania që po ndërton kullën “Tirana Garden Building”, në zonën e njohur si ish-21 Dhjetori, në territorin ku më parë ka qenë Muzeu i Shkencave të Natyrës.

Ndërsa kompania tjetër, Alesio 2014 është në pronësi të Anton Gjinaj, një person i arrestuar për llogari të autoriteteve spanjolle, vend ku është dënuar me 8 vjet burgim për “trafik narkotikësh”.

2. Në vend të dytë, me kontrata me fond të njëjtë për Rindërtimin në zonën e “5 Majit”, me vlerë 563 milionë lekë të reja, qëndrojnë “Geci” shpk dhe një grup kompanish të drejtuara nga Mane/TCI e Samir Manes.

Kompania Geci shpk ka në pronësi hotelin legjendar “15-katëshi” në qendër të Tiranës, si edhe po ndërton, po në të njëjtin vend zgjatimin e godinës ekzistuese, e cila është një kullë 30 kate e lartë.

Ndërkohë, Mane/TCI, pjesë e grupit “Balfin”, është në pronësi të Samir Manes, i cilësuar si biznesmeni më i fuqishëm në Shqipëri dhe i konsideruar si një prej atyre që kanë ndikim më të madh në miratimin e projekteve infrastrukture nga qeveria “Rama”.

3. Salillari, kompania që ka përfituar pjesën më të madhe të fondeve publike gjatë mandatit të Edi Ramës, ka shënuar emrin e saj edhe në tenderat për Rindërtimin e zonës së “5 Majit”.

Kompania në pronësi të Pëllumb Salillarit ka fituar një kontratë me vlerë 546 milionë lekë të reja nga tenderat e Bashkisë së Tiranës.

Pjesa tjetër e fondit 140 miliardë lekë të vjetra për Rindërtimin është shpërndarë në kompani të ndryshme, disa prej të cilave rezultojnë si përfitues të rregullt të tenderave publikë të zhvilluar nga Bashkia e Tiranës dhe institucionet qeveritare.

https://boldnews.al/2022/01/19/5-maji-nga-salillari-te-samir-mane-si-e-ndane-rama-veliaj-torten-140-miliarde-leke-2/