Pronari i shoqërisë “Euro-Alb”, Bujar Murati, është një prej biznesmenëve të arrestuar me urdhër të SPAK, pas operacioni anti-korrupsion të zhvilluar këtë javë në Bashkinë e Lushnjes.

Ai nuk e ka për herë të parë që provon qelitë e paraburgimit.

Në vitin 2009, kur mbante postin e Drejtorit të Prokurimeve në Ministrinë e Brendshme, Murati u arrestua me dy zyrtarë të tjerë dhe tre biznesmenë, nën dyshimet për korrupsion në tenderin 175 milionë lekë të reja për uniformat e Policisë dhe Gardës.

Por, për shkak të atyre që u konsideruan gabime të rënda proceduriale nga ana e Prokurorisë së Tiranës, Bujar Murati u shpall i pafajshëm nga Gjykata e kryeqytetit, pasi më herët Gjykata e Lartë kishte rrëzuar përgjimet e kryera gjatë këtij procedimi penal.

Pas largimit nga Ministria e Brendshme, Murati i rikthehet drejtimit të “Euro-Alb” shpk, të cilën e kishte krijuar vetë në vitin 2006 dhe nga ku ishte larguar përkohësisht për të marrë postin në Ministrinë e Brendshme.

Tashmë, “Euro-Alb” shpk rezulton një prej kompanive që ka fituar më shumë tendera publikë, sidomos gjatë qeverisjes së Edi Ramës”.

Shumë prej këtyre tenderave, kompania e Bujar Muratit i ka fituar pa garë.

Aranita Brahaj, drejtuese e Institutit Shqiptar të Shkencave, menaxhuese e bazës së të dhënave “opendata.al”, ka publikuar listën e tenderave të fituar nga “Euro-Alb” shpk gjatë viteve të fundit.

Fituese e mbi 33 kontratave me 20 bashki. Fituese e dy Objekteve Arsimore nga Fondi i Rindërtimit post Tërmet, një prej tyre me institucionin Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Pagesa thesari në 3 vite mbi 900 milion lekë. Mes tyre, 12 tendera me Flamur të Kuq, vlerësuar nga OpenProcurement Albania me rrisk, parregullsi dhe favorizim”, shkruan në mënyrë telegrafike Brahaj në një postim në rrjetet sociale mbi përfshirjen e kompanisë së Bujar Muratit në tenderat publikë.

Në foto: “Euro-Alb” shpk ka përfituar mbi 900 mln lekë të reja nga fondet publike për periudhën 2019-2021 (Burimi: spendingdata.al)

Tashmë, Bujar Murati është nën masën e sigurisë “arrest me burg”, pasi Prokuroria e Posaçme, SPAK, ka ngritur dyshime se ai dhe 9 persona të tjerë, përfshirë kryebashkiakun e Lushnjes, Fatos Tushe, kanë kryer veprat penale të “Shkeljes së barazisë në tendera”, “shpërdorim detyre” e “korrupsion” në një tender me vlerë 24 milionë lekë të reja për një kanal kullues në zonën rurale të qytetit myzeqar.

Pasi mbylli problemet me drejtësinë në atë kohë, Bujar Murati iu rikthye drejtimit të kompanisë “Euro-Alb” shpk.

Tashmë, ai i është rikthyer sërish historisë me qeli, akuza e avokatë, për tenderin e kanalit vaditës në Bishqethëm të Lushnjes.

https://boldnews.al/2021/08/08/spak-ne-lushnje-u-arrestua-ne-2009-murati-i-euro-alb-i-shpetoi-me-procedure-akuzave-per-korrupsion/