Bashkia e Tiranës ka zhvilluar së fundi një tjetër tender që është shënuar me flamur të kuq. Më 2 qershor Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit hapi garën me objekt “Pyllëzimi me Akacie” me fond limit 13.9 milionë lekë.

Pjesëmarrës kanë qenë dy operatorë ekonomikë, por ai që kishte paraqitur ofertën më të lirë është tërhequr nga gara dy ditë më pas duke lënë fitues subjektin që kishte paraqitur ofertë të barabartë me fondin limit.

Bashkia e Tiranës dhe institucionet në varësi të saj nuk i ndalojnë procedurat e dyshimta edhe pse shumë raporte shprehen me gjuhë të ashpër dhe tone kritike për tenderat në këtë institucion.

Sipas Agjencinë e Prokurimeve Publike, Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit ka hapur në datën 2 qershor garën për tenderin me objekt “Pyllëzimi me Akacie” me fond limit 13.9 milionë lekë.

Pjesëmarrëse rezulton të kenë qenë dy operatorë ekonomikë, konkretisht bashkimi i operatorëve Naim 2020 & Diava Consulting me ofertën 13.9 milionë lekë dhe Xhepi shpk që ka paraqitur vlerën 11.7 milionë lekë.

Kompania Naim 2020 shpk është regjistruar në qendrën kombëtare të biznesit në dhjetor të vitit 2020 dhe është nën administrimin dhe pronësinë e Naim Koçit.

Në fakt, ky subjekt ka shtuar në aktivitetin e tij ‘Studime, projektime, zbatim punimesh në fushën e pyjeve’ vetëm 4 ditë pas hapjes së procedurës nga institucioni nën varësinë e Bashkisë së drejtuar nga Erion Veliaj.

Ndërkohë që Xhepi shpk e ofronte këtë shërbim që në vitin 2007-2008.

https://www.oranews.tv/vendi/miliona-per-pyllezimin-bashkia-tirane-tjeter-tender-me-flamur-te-kuq-i1003734