Tenderat e fundit që fitoi në Tiranë dhe jo vetëm Fabian Goçi, bashkëshorti i Ina Zhupës. Po nga sa kuptohet sipas opozitës, për të qenë në rregull mjafton që një tender fitohet nga një kompani afër PD-së.
I riu nga Gjirokastra, mbështetës i Partisë Demokratike, që disponon 7 kompani, nga viti 2015 deri në fund të dhjetorit 2018, ka fituar nga buxheti i shtetit një shumë prej 733,809,190.00 lekë të reja ose 6 milion euro, si pasojë e fitimit të tenderave dhe lidhjes së kontratave me institucionet për furnizim me naftë, benzinë e aksesorë të ndryshëm të hidrokarbureve. Po nga sa kuptohet sipas opozitës, për të qenë në rregull mjafton që një tender fitohet nga një kompani afër PD-së.
Nga verifikimet e kryera nga “Shqiptarja.com” rezulton se Fabian Goçi, shumën prej 733 milion lekë të reja e ka marrë në 967 transaksione të kryera nga thesari i shtetit gjatë periudhës 3 vjetore, duke e arkëtuar në llogarinë e kompanisë së tij “A&T”.
Kompania A&T
Më tej në periudhën në vijim, kjo kompani ka arritur të fitojë dhe 88 tenderë të tjerë nga 25 institucione shtetërore, duke përfituar 621 milion lekë të vjetra.
Tenderi i radhës në 2020 është fituar nga Fabian Goçi bashkë me një kompani tjetër me një vlerë prej 723 milion lekë të vjetra, ku do furnizojnë me naftë automjetet e Ujësjellës-Kanalizimeve në Tiranë. “A&T” është një kompani nafte, kjo e regjistruar, fillimisht në nëntor 2013 nga Fiqiri Hoxha me emrin “A.K.F petroleum oil” dhe më pas e blerë nga Fabian Goçi në 18 dhjetor 2014, sipas një kontrate noteriale, me çmimin prej 35 milion lekë të vjetra. Pikërisht kjo kompani gjatë periudhës 3 vjeçare nga 2015 e deri në 2018 ka verifikuar si dhe deri në ditët e sotme vijon të marrë tenderë nga institucionet shtetërore duke arketuar miliona para nga buxheti i shtetit.
Është sa e habitshme por dhe aq ironike se si Ina Zhupa, zëdhënësja e Partisë Demokratike, që denoncon çdo javë tenderët e fituara nga bizneset e ndryshme, në asnjë rast nuk ka denoncuar një tender të fituar nga bashkëshorti i saj Fabian Goçi, që operon në kanalet tenderuese me kompanitë “A&T” dhe “2A2F-L OIL”.
Asnjë fjalë për këto dy kompani që kanë arritur të marrin nga buxheti i shtetit miliona euro, duke futur emrin e Fabian Goçin në listën e oligarkëve të vendit. Por asnjë fjalë për Fabian Goçin, as si njeriun e përfshirë në skandalin e evazionit fiskal “Fullpet”, kompani kjo ku disa vite më parë, Fabian Goçi, ka pranuar se ka punuar si faturist, por që tashmë është kthyer një nga biznesmenët më të suksesshëm.
Sot e kësaj dite dy kompanitë motra, të Fabian Goçit, “A&T” dhe “2A2F-L OIL”, kjo e fundit e regjistruar prej tij në 15 korrik 2014, vijojnë të marrin tenderë dhe arkëtojnë para nga buxheti i shtetit. Ku gjatë kësaj periudhë, u ka shitur naftë e benzinë, qindrave institucione shtetërore si, Kuvendi i Shqipërisë, dhjetëra bashkive në vend, Bashkisë Tiranë, dhjetëra zyrave arsimore, dhjetëra gjykatave e prokurorive e shumë institucioneve të tjera qeverisëse. Por edhe pse tenderët e fituar prej Fabian Goçit, janë të muajve të fundit, çuditërisht nuk ka asnjë reagim formal, qoftë nga Partia Demokratike por qoftë dhe nga bashkëshortja e tij, Ina Zhupa.
Tenderi i fundit, që ka fituar Fabian Goçi, rezulton të jetë i datës 8 korrik 2020, ku bashkëshorti i Ina Zhupës ka konkurruar me dy kompanitë motra “A&T” dhe “2A2F-L OIL” dhe ka fituar. Në këtë tender nuk ka pasur asnjë ankesë qoftë nga PD, por qoftë edhe nga operatorë të tjerë, pasi nuk ka pasur konkurrentë në garën tenderuese. Fabian Goçi, garonte i vetëm me dy kompanitë e tij. Ai ka lidhur një kontratë me Drejtorinë e Konvikteve të Shkollave të Mesme, ku do furnizojë me naftë për 12 muaj dhe vlera financiare e këtij tenderi është 43 milion e 700 mijë lekë të vjetra.
Një tjetër tender që ka fituar në 24 prill 2020 Fabian Goçi, është ai i bashkisë Sarandë, ku për një periudhë 12 mujore kompanitë motra “A&T” dhe “2A2F-L OIL”, do të furnizojnë me naftë shërbimin zjarrfikës dhe Bordin e Kullimit në Sarandë. Nga kjo kontratë Fabian Goçi, përfiton shumën 13 milion e 750 mijë lekë të vjetra.
Vijojmë me një tender tjetër të fituar nga bashkëshorti i Ina Zhupës, Fabian Goçi, i cili në 30 mars 2020, ka lidhur një kontratë për furnizim me naftë të Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit Tiranë. Kontrata parashikon furnizim me naftë nga dy kompanitë “A&T” dhe “2A2F-L OIL” për një periudhë deri në 31 dhjetor 2020. Në këtë tender kanë marrë pjesë dhe dy kompanitë “Genklaudis” dhe “Gega Centër GKG”, por janë përjashtuar nga komisioni tenderues. Gjithashtu në 14 tetor 2019, Fabian Goçi, lidh kontratë me institucionin Drejtoria e Konvikteve të Shkollave të Mesme, Bashkia Tiranë, për furnizim me naftë deri në periudhën 31 dhjetor 2019.
Linku i Artikullit: https://www.syri.net/politike/473020/skandal-zbulohen-dokumente-si-burri-i-ina-zhupes-perfiton-tendera-nga-qeveria/