Open Data Albania po hulumton mbi strukturën e Borxhit të Brendshëm në Shqipëri për periudhën kohore 2010-2021.  Borxhi i Brendshëm Publik përfaqëson detyrimet e borxhit të rezidentëve të një vendi ndaj rezidentëve të po atij vendi dhe përfshin letrat me vlerë të qeverisë (bono thesari dhe obligacione) të emetuara në tregun e brendshëm nga Qeveria Qendrore dhe borxhin e garantuar të mbajtur nga subjektet që operojnë në tregun e brendshëm.

Për vitin 2022, Borxhi i Brendshëm Publik është planifikuar në vlerën 761.5 milardë Lek apo rreth 3.7% më shumë se plani i vitit 2021, duke zënë rreth 42.2% të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB).

Ecuria e Borxhit të Brendshëm Publik ka qënë rritës ndër vite, ku rritja më e madhe për periudhën e marrë në shqyrtim është në vitin 2013,  2020 dhe 9-mujori 2021.  Konkretisht, për vitin 2020, stoku i borxhit të brendshëm është vlerësuar rreth 644,5 miliardë Lekë, pra rreth 46.7 miliardë Lekë apo 7.8% më shumë krahasuar me vitin 2019. Pesha e Borxhit të Brendshëm ndaj PBB-së në vitin 2020 shënoi vlerën 41%, ndërsa në raport me totalin e borxhit publik është rreth 52.6%. Gjithashtu edhe të dhënat paraprake për 9-mujorin 2021 tregojnë një rritje të borxhit të brendshëm me 52.8 miliardë Lekë  apo 8.2% më shumë krahasuar me  vitin 2020.  Rritja e Borxhit të Brendshëm ka ardhur si rezultat i rritjes së huamarrjes së brendshme në masën 349.7 miliardë Lekë e cila ka shërbyer për rifinancimin e titujve ekzistues (rreth 86.1% e huamarrjes së brendshme)  dhe për të përballuar nevojat buxhetore  për shkak të pandemisë Covid-19.


Burimi:Ministria e Financave dhe Ekonomisë, (2021), Treguesit e Borxhit
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Për vitin 2020, peshën më të madhe të borxhit të brendshëm e zë  borxhi i qeverisë qëndrore buxhetore me 98% të totalit, ndjekur më pas nga borxhi i garantuar me 2% të totalit dhe borxhi i pushtetit vendor rreth 0.07% të totalit. E njëjta përqindje ruhet edhe në periudhën 9-mujore të vitit 2021


Burimi:Ministria e Financave dhe Ekonomisë, (2021), Treguesit e Borxhit
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Ndërsa nëse shohim ecurinë ndër vite, vihet re një rritje e vazhdueshme e borxhit nga Qeveria Qëndrore. Konkretisht gjatë 9-mujorit të vitit 2021, vihet re një rritje e borxhit të qeverisë qëndrore  me rreth 52 miliardë Lekë apo 17.3% krahasuar me vitin 2020. Gjithashtu gjatë kësaj periudhe ka një rritje edhe të borxhit të garantuar me 917 milionë Lekë apo 6.9% më shumë krahasuar me 2020. Ndërsa borxhi i pushtetit vendor vazhdon të qëndrojë në nivele të ulëta ku për 9-mujorin e 2021 vlerësohet 343 milionë Lekë (rreth 0.02% e PBB-së), kjo për shkak të kapaciteteve të ulëta të Bashkive për të akumuluar borxh të ri.


Burimi:Ministria e Financave dhe Ekonomisë, (2021), Treguesit e Borxhit
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Sipas mbajtësve të borxhit të brendshëm ndër vite vihet re se pesha më e madhe mbahet nga sistemi bankar gjë që e bën portofolin e borxhit të brendshëm të ndjeshëm ndaj risqeve që mund të paraqesë ky sektor.


Burimi:Ministria e Financave dhe Ekonomisë, (2021), Treguesit e Borxhit
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Më në detaje, për vitin 2020, Borxhi i Brendshëm është mbajtur kryesisht nga sistemi bankar në masën 63.35% e totalit të Borxhit të Brendshëm (prej të cilave 5.48% mbahen nga klientë të bankës), ndjekur më pas nga 15.93% nga sistemi jo-bankar (konkretisht 14.16 % nga institucione financiare dhe 1.92% nga institucione jo-financiare). Ndërkohë 11.73% e borxhit të brendshëm mbahet nga Individë dhe vetëm 8.99% e Borxhit të Brendshëm mbahet nga Banka e Shqipërisë.

Për sa i përket kompozimit të portofolit të borxhit të brendshëm sipas  maturitetit të instrumenteve, më shumë se gjysmën e peshës vazhdojnë ta mbajnë instrumentet e tregtueshme  afatgjatë, kryesisht në  obligacione me afat maturimi mbi 5 vite, ndërkohë është reduktuar dukshëm pesha e titujve afatshkurtër me afat maturimi deri në një vit.


Burimi:Ministria e Financave dhe Ekonomisë, (2021), Treguesit e Borxhit
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Sipas monedhës, rreth 98% e borxhit të brendshëm mbahet në monedhë vendase pra në Lek, ndërsa 2% e borxhit në total mbahet në monedhë të huaj, ku pjesën më të madhe e zë Euro.


Burimi:Ministria e Financave dhe Ekonomisë, (2021), Treguesit e Borxhit
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Të dhënat për këtë Artikull janë marrë nga burime zyrtare të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Të dhënat për periudhën 9-mujore janë të dhëna paraprake. Për më shumë detaje në llogaritje aksesoni Excelin bashkëlidhur këtij Artikulli.

Shkarko excel: Analizë e Borxhit të Brendshëm, 2010- 9 mujori 2021
Komente dhe Analiza: Open Data Albania