Open Data Albania po hulumton mbi strukturën e Borxhit të Garantuar  në Shqipëri për periudhën kohore 2010-2021. Borxhi i Garantuar përfaqëson detyrimet e borxhit të njësive të sektorit publik dhe privat, shërbimi i të cilit është i garantuar, në bazë të marrëveshjeve, nga Qeveria Qendrore dhe klasifikohet në borxh të jashtëm dhe borxh të brendshëm të garantuar.

Për vitin 2020, Borxhi i Garantuar është vlerësuar në masën 48.8 miliardë Lekë (rreth 3.1% e PBB-së), pra rreth 7 miliardë Lekë apo 16.6% më shumë krahasuar me vitin 2019. Në raport me stokun e Borxhit Publik shënon  rreth 4% të totalit. Edhe në 9-mujorin e vitit 2021, Borxhi i Garantuar ka patur trend rritës dhe sipas të dhënave paraprake shënon vlerën 47.5 miliardë Lekë apo 13.6% më shumë krahasuar me totalin e vitit 2019 dhe 2.6% më pak krahasuar me totalin e vitit 2020. 


Burimi:Ministria e Financave dhe Ekonomisë, (2021), Treguesit e Borxhit
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Rritja e borxhit të garantuar ka ardhur si rezultat i miratimit të dy garancive shtetërore me vlerë në total prej 26 miliardë Lekësh, me qëllim menaxhimin e situatës së krijuar nga pandemia Covid-19, konkretisht:

  • Garanci Sovrane 1 me vlerë 11 miliardë Lekë e cila është miratuar me VKM nr.277/2020 dhe ka si qëllim kredidhënien për bizneset gjatë kohës së Pandemisë Covid-19.
  • Garanci Sovrane 2 me vlerë 15 miliardë Lekë me qëllim sigurimin e huasë për kapital qarkullues dhe investime për të gjithë sektorët e ekonomisë.

Sipas rezidencës së kreditorit, që prej vitit 2017 vihet re një rritje e borxhit të garantuar të jashtëm dhe një reduktim i borxhit të garantuar të brendshëm, si rezultat i bërjes efektive të marrëveshjes së huasë me BERZH për projektin “Shqipëria: Plani i Ristrukturimit të KESH”, me vlerë 218 milionë Euro. Për vitin 2020, rreth 35.5 miliardë Lekë apo 73% e stokut të borxhit të garantuar është  borxh i jashtëm dhe rreth 13.3 miliardë Lekë apo 27% e totalit të borxhit të garantuar është borxh i brendshëm.


Burimi:Ministria e Financave dhe Ekonomisë, (2021), Treguesit e Borxhit
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Gjatë vitit 2021, janë nënshkruar edhe 2 marrëveshje garancie mes shtetit shqiptar dhe institucioneve të huaja. Konkretisht, mes OSHEE dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim është miratuar marrëveshja e huasë dhe e garancisë me vlerë 70 milionë Euro, me qëllim mbështetjen e OSHEE-së për reagimin ndaj krizës së pandemisë Covid-19. Afati  shlyerjes së kësaj kredie është 5 vite, me normë interesit Euribor 6M plus 1%.

Një tjetër marrëveshje garancie është lidhur mes BERZH dhe Agjencisë se Sigurimit të Depozitave në vlerën 100 milionë Euro, me qëllim rritjen e elementeve të sigurisë së skemës së sigurimit të depozitave  si pasojë e pandemisë Covid-19. Afati i shlyerjes është 8 vite dhe norma e interesit është Euribor 6M plus1% në vit mbi shumën e tërhequr, e pagueshme çdo 6 muaj (maj dhe nëntor).

Sipas sektorit ekonomik, për vitin 2020 vihet re se më shumë se 60% e totalit të garancive shtetërore i përkasin sektorit të energjisë, gjë e cila e bën shumë të ekspozuar borxhin ndaj krizave në këtë sektor. Ndërkohë 18.6% e totalit të garancive shtetërore përfaqësohen nga garancitë për biznesin të miratuara në kuadër të pandemisë Covid-19, ndjekur nga sektori Ujësjellës Kanalizime me 9% të garancive shtetërore në total.


Burimi:Ministria e Financave dhe Ekonomisë, (2021), Treguesit e Borxhit
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Sipas monedhës emetimit 22.4 % e borxhit të garantuar është monedhë vendase dhe 77.6% e tij mbahet në monedhë të huaj, gjë që rrit riskun e kursit të këmbimit.


Burimi:Ministria e Financave dhe Ekonomisë, (2021), Treguesit e Borxhit
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Rritja e borxhit të garantuar është gjithashtu risk për buxhetin e shtetit pasi rrit detyrimet kontigjente përsa kohë që Shteti është garant në këto marrëveshje. Gjithashtu risku ndaj kursit të këmbimit dhe normave të interesit është më i lartë përsa kohë huatë janë nga kreditorë të huaj.

Për një informacion më të detajuar në lidhje me borxhin e garantuar aksesoni materialin në Excel që shoqëron këtë artikull. Po aty është edhe Lista e Garancive të huaja që prej vitit 2016 -2021 sipas Marrëveshjeve dhe Objekteve në Garanci.

Shkarko excel: Analizë e Borxhit të Brendshëm, 2010- 9 mujori 2021
Komente dhe Analiza: Open Data Albania