Open Data po hulumton në lidhje me kompozimin e Borxhit Publik të Jashtëm në Shqipëri për periudhën 2010 – 2022. Të dhënat për vitin 2022 janë të dhëna të planit, ndërsa të dhënat për vitin 2021 bazohen në të dhënat zyrtare paraprake të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Borxhi i Jashtëm nënkupton detyrimet e borxhit të rezidentëve të një ekonomie ndaj jorezidentëve në një vit të caktuar. Më konkretisht, Borxhi i jashtëm publik përfshin huamarrjen me jashtë drejtpërdrejtë nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe qeveritë lokale, huamarrjen me jashtë të garantuar nga MFE dhe qeveritë lokale, huatë e marra nga FMN (Fondi Monetar Ndërkombëtar), si dhe letrat me vlerë të qeverisë të blera nga jorezidentët. 

Ndër vite vihet re një rritje e peshës së Borxhit të Jashtëm ndaj PBB-së (Produkti Brendshëm Bruto) dhe në raport me Stokun e Borxhit Publik.

Konkretisht, për vitin 2022, Borxhi i Jashtëm është planifikuar në masën rreth 639,1 miliardë Lekë, pra rreth 35.4% të PBB-së së planifikuar për vitin 2022. Krahasuar me vitin 2021, përllogaritet një rritje me 8.8% e Borxhit të Jashtëm të planifikuar. Për 9-mujorin e vitit 2021, borxhi i jashtëm është llogaritur 584.7 miliardë Lekë apo rreth 34.8% e PBB-së paraprake të këtij viti.


Burimi:Ministria e Financave dhe Ekonomisë, (2021), Treguesit e Borxhit
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Gjatë periudhës 2010-2022, rritja më e madhe me bazë vjetore e Borxhit të Jashtëm vihet re në vitet 2010 (me 15.2%), 2014 (me 13.3%), 2015 (me 19%) dhe 2020 (me 12.6% më shumë krahasuar me vitin 2019).

Më në detaje, për vitin 2020, niveli i Borxhit të Jashtëm është llogaritur në vlerën 579,7 miliardë Lekë, pra rreth 65 miliardë Lekë më shumë se viti 2019 dhe përbën rreth 36.9 % të PBB-së.

Rritja e nivelit të Borxhit të Jashtëm për vitin 2020, ka ardhur kryesisht si rezultat i rritjes së huamarrjes së huaj në nivelin 121.3 miliardë Lekë si rezultat i emetimit të Eurobondit në vlerën 650 milionë Euro; mbështetja buxhetore e dhënë nga FMN në vlerën 174 milionë Euro për përballimin e nevojave nga Pandemia Covid-19 dhe Tërmeti në vitin 2019. Më tëpër huamarrja e huaj është rritur edhe për financimin e projekteve në sektorë të ndryshëm të ekonomisë si transport, ujësjellës kanalizime dhe sektorin e energjisë.

Sipas Sektorit Ekonomik, gjatë vitit 2020 janë tërhequr nga borxhi i jashtëm 1,07 miliardë Euro, ku pjesa më e madhe e të cilave është përdorur për Mbështetje Buxhetore në vlerën 834.9 milionë Euro apo rreth 78% e totalit.  Ndërsa pjesa tjetër është tërhequr nga sektori i Energjitikës rreth 105.7 milionë Euro apo 9.9% e totalit, ndjekur nga sektori i Transportit me 72.5 milionë Euro apo 6.8% e totalit, sektori i Ujësjellës Kanalizime me 37.86 milionë Euro apo  3.5% e totalit, Shëndetësia me 8.5 milionë Euro apo 0.8%. Ndërkohë Infrastruktura Urbane dhe Rurale ka shënuar me 5.6 milionë Euro apo 0.5% e totalit.


Burimi:Ministria e Financave dhe Ekonomisë, (2021), Treguesit e Borxhit
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Sipas monedhës, për vitin 2020, Euro është monedha kryesore në emërimin e borxhit të Shqipërisë ndaj vendeve të tjera, rreth 64.8% e totalit të Borxhit të Jashtëm, ndjekur nga SDR (Të drejtat speciale të tërheqjes – mjete rezervë valutore suplementare të përcaktuara dhe të mbajtura nga FMN) me 20.2% e totalit  dhe Dollari US me 9.8% e totalit.


Burimi:Ministria e Financave dhe Ekonomisë, (2021), Treguesit e Borxhit
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Sipas kreditorëve, pesha më e madhe e Borxhit të Jashtëm mbahet nga kreditorët shumëpalësh (ku përfshihen BERZHI, Komisioni Europian, Banka Europiane e Investimeve, Shoqata ndërkombëtare për zhvillim, Banka Islamike për Zhvillim, Fondi Ndërkombëtar për zhvillimin e Bujqësise, OPEC, FMN) vlerësuar për vitin 2020 në masën 2,53 miliardë Euro apo rreth 54% e totalit, ndjekur nga kreditorët privatë (ku përfshihet dhe Eurobondi) në vlerën 1.42 miliardë Euro apo 30% e totalit të Borxhit të Jashtëm. Ndërkohë kreditorët dy palësh (ku përfshihen Gjermania, Greqi, Austri, Itali, Japoni, Kinë, Kuvait, Norvegji, Hollandë, Spanjë, Korea, Abu Dabi dhe Arabia Saudite) zënë rreth 15.5% të totalit, ndjekur më pas nga Borxhi i Riskeduluar ( ku përfshihet Klubi i Parisit –Gjermani, Itali, Rusi dhe të Tjerë) në masën 0.5% të totalit.


Burimi:Ministria e Financave dhe Ekonomisë, (2021), Treguesit e Borxhit
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Kreditorëve (në milionë Euro), 2010-9-mujori 2021

Ndër vite vihet re se ka një rënie të dukshme të Borxhit të Riskeduluar, ndërsa borxhi i jashtëm nga kreditorët shumëpalësh dhe dypalësh ka një ecuri të qëndrueshme. Luhatje të dukshme vihen re tek borxhi i jashtëm i mbajtur nga kreditorët e privatë, ku për vitet 2015, 2018, 2020 ka një trend rritës që vjen si rezultat i emetimit të Eurobondit në këto vite si dhe akordimit të huasë nga institucionet ndërkombëtare.


Burimi:Ministria e Financave dhe Ekonomisë, (2021), Treguesit e Borxhit
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Për një informacion më të detajuar mbi llogaritjet aksesoni materialin në Excel që shoqëron këtë artikull.

Shkarko excel: Analizë e Borxhit të Jashtëm Publik, 2010 – 2022
Komente dhe Analiza: Open Data Albania