Open Data po hulumton në lidhje me ndikimin e sektorit energjitik në nivelin e borxhit të garantuar.

Më parë Open Data ka publikuar një Artikull në lidhje me Borxhin e Garantuar ku ka evidentuar se për vitin 2020 garancitë në sektorin energjitik zënë rreth 67.2% të totalit të garancive shtetërore. Me shpalljen e gjendjes së krizës energjitike nga ana e Qeverisë, mekanizmi i garancive sovrane është përdorur si formë mbështetjeje për kompanitë. Kjo ndikon në rritjen e nivelin e Borxhit Publik si dhe në rritjen e detyrimeve kontigjente që mund ti lindin Shtetit në çdo moment nëse kompanitë që kanë përfituar kredi me garanci nga shteti, nuk janë në gjëndje ta likujdojnë atë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, për  9-mujorin e vitit 2021, Borxhi i Garantuar është vlerësuar në masën 47.5 miliardë Lekë, pra rreth 2.8% e PBB-së. Megjithatë,  kjo vlerë për vitin 2021 pritet të jetë më e lartë nëse marrim në konsideratë vetëm garancitë shtetërore të miratuara për Sektorin Energjitik. 

Kjo pasi vetëm për tremujorin e fundit të vitit 2021 (Tetor-Dhjetor 2021), Shteti ka dal garant për 151.5 milionë Euro apo rreth 18.3 miliardë Lekë të marra hua nga kompanitë publike energjitike  tek institucionet e huaja dhe vendase.


Burimi: Fletorja Zyrtare e Republikës së Shqipërisë, Kuvendi i Shqipërisë
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania


Burimi: Fletorja Zyrtare e Republikës së Shqipërisë, Kuvendi i Shqipërisë
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Miratimi i këtyre Garancive, rrit peshën e Sektorit të Energjisë në Borxhin e Garantuar. Nga një përllogaritje e thjeshtë, pesha e Sektori Energjitik në totalin e Borxhit të Garantuar për vitin 2021 parashikohet të jetë 77.6% , pra  10.4 pikë përqindje më shumë krahasuar me vitin 2020.


Burimi: Fletorja Zyrtare e Republikës së Shqipërisë, Kuvendi i Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2021), Raporti Vjetor i Borxhit 2020
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Konkretisht, në Tetor mes OSHEE dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim është miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave nr,705, datë 18.11.2021, marrëveshja e huasë dhe e garancisë me vlerë 70 milionë Euro, me qëllim mbështetjen e OSHEE-së për reagimin ndaj krizës së pandemisë Covid-19.

Ndërkohë, në muajin Nëntor 2021 OSHEE mori kredi në vlerë 30 milion Euro në sistemin bankar vendas, kredi të cilat janë të garantuara nga Qeveria (me VKM nr.706, datë 18.11.2021). Përkatësisht Këshilli i Ministrave ka miratuar dhënien e dy garancive sovrane për kreditë e marra nga OSHEE, ku njëra është në vlerën 20 milionë Euro nga Banka OTP Albania dhe garancia tjetër është në vlerën 10 milionë Euro nga Banka Amerikane e Investimeve.

Më tej, në muajin Dhjetor 2021, janë dhënë garanci shtetërore për kredinë e marrë nga OSHEE dhe FSHU nga Banka Intesa SanPaolo Albania në vlerën 20 milionë Euro (e miratuar me VKM nr. 737, datë 03.12.2021) dhe dy kredi të tjera të marra nga kompanitë Furnizuesi i  Shërbimit Universal (FSHU) sh.a., OSHEE  Furnizuesi i Tregut të Lirë (FTL)  sh.a., Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), në bankën Raiffeisen në vlerën  16.5 milionë Euro dhe 15 milionë Euro  respektivisht (të miratuara me VKM nr.738, datë 03.12.2021).

Sektori i Energjisë ndër vite është vlerësuar me impakt të rëndësishëm në financat publike të vendit. Ka një rritje të mbështetjes së këtij sektori me fonde me financim të huaj të nënhuazuar, konkretisht për 6-mujorin e vitit 2021, 65.1% e detyrimeve të këtij sektori në total janë hua me financim të huaj. Kjo pason me 34.1% detyrime nga buxheti i shtetit.


Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2021), Relacioni Projekt Buxhetit 2022
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Dhënia e Garacive Shtetërore për kreditë e marra nga kompanitë publike që operojnë në sektorin energjitik në mënyrë indirekte  rrit detyrimet kontingjente të shtetit. Në këto marrëveshje huaje kompanitë dhe borxh dhënësi janë të mbrojtura, nëse ato nuk shlyejnë detyrimet, apo në rast të pamundësisë, kreditë  do të paguhen nga buxheti i shtetit.

Për një informacion më të detajuar në lidhje me ndikimin e sektorit energjitik në Borxhin e Garantuar  aksesoni materialin në Excel që shoqëron këtë artikull, në të cilin mund të gjeni edhe listën e garancive të miratuara në periudhën Tetor-Dhjetor 2021, për mbështetjen e këtij sektori.

Shkarko excel: Borxhe të Garantuara për Sektorin Energjetikë, vlera dhe borxh dhënësit 2021
Komente dhe Analiza : Open Data Albania