Open Data Albania po zbardh kostot financiare të përllogaritura pas tërmetit Nëntor 2019, si dhe financimet ndërkombëtare të angazhuar për mbulimin e tyre.

Të dhënat për këtë artikull janë marrë nga Raporti Zyrtar i Komisionit Evropian mbi Konferencën e Donatorëve në 17 Shkurt 2020 dhe nga Raporti Analiza e Nevojave pas Tërmetit.

Sipas raportit zyrtar, përllogariten rreth 985 milionë Euro si dëme apo humbje të shkaktuara nga tërmeti. Për rikuperimin e këtyre dëmeve nevoja për fonde tejkaloi shumën mbi 1 miliardë euro, ku sektori me kërkesa më të larta ishte Strehimi përkatësisht mbi 800 milionë euro, pasuar nga sektori i Arsimit, Infrastruktura etj.

Të dhënat për këtë artikull janë marrë nga Raporti Zyrtar i Komisionit Evropian mbi Konferencën e Donatorëve në 17 Shkurt 2020 dhe nga Raporti Analiza e Nevojave pas Tërmetit.


Burimi: AID (2022)
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Duke u bazuar në kërkesat financiare për rikuperim, shtete, organizata dhe institucione ndërkombëtare u ofruan në ndihmë të Shqipërisë për të siguruar shumën e nevojshme financiare për rikuperimin e dëmeve të tërmetit. Në shkurt 2020 pas hartimit të Raportit të Kostove Financiare nga Qeveria Shqiptare, Komisioni Europian mbajti një konferencë për Donatorë në ndihmë të Shqipërisë, ku vendet dhanë angazhim për ndihmë përmes granteve dhe kreditimit. Premtimi fillestar për ndihmë dhe kreditim tejkaloi kërkesën e Shqipërisë si shtet i dëmtuar nga Tërmeti.


Burimi: AID (2022), Komisioni Evropian (2022)
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Në total u siguruan premtime për rreth 1.15 miliardë euro ose rreth 140 miliardë lekë që përbëjnë më shumë se 20 përqind të Buxhetit vjetor të shtetit. Totali i shumës së angazhuar për financim nga partnerët ndërkombëtarë përbëhej nga kredi, grante ose transferta në natyrë.  Financimit dominues rezultoi nga kredi të cilat përbënin rreth 74 përqind të angazhimit total ose 853 milionë Euro, ndërsa grantet më pak se 26 përqind ose rreth 296 milionë Euro. Transfertat në natyrë (pra në formë të mirash dhe materialesh) u përllogaritën në vlerën rreth 3.4 milionë Euro.


Burimi: AID (2022), Komisioni Evropian (2022)
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Financim më të lartë u garantua nga institucionet financiare ndërkombëtare të cilat kanë funksion kryesor kreditimin. Kështu rreth 711 milionë euro ose 62 përqind e shumë totale ofrohet nga: Banka e Këshillit të Evropës për Zhvillim (CEB), Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillimi (BERZH), Banka Evropiane e Investimeve (BEI), Banka Islamike për Zhvillim (IDB) dhe Grupi i Bankës Botërore. Rreth 324 milionë euro ose 28 përqind të angazhimit total ndërkombëtar e kanë siguruar shtete të ndryshme si donatorë bilateral; 115 milionë euro ose 10 përqind të financimit e ka siguruar Komisioni Evropian, dhe pjesa e mbetur më pak se 2 milionë euro janë premtuar nga donatorë shumëpalësh nëpërmjet strukturave si Caritas Europa, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal dhe UNICEF.


Burimi: AID (2022), Komisioni Evropian (2022)
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania


Burimi: AID (2022), Komisioni Evropian (2022)
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Referuar angazhimeve financiare në konferencë, kredidhënës ndërkombëtar për procesin e rindërtimit në Shqipëri rezultojnë 5 institucione financiare ndërkombëtare dhe 2 shtete. Shuma më e lartë e angazhuar rezulton nga Banka Islamike për Zhvillim në vlerën 383 milionë Euro ose 45 përqind e shumës totale të kredisë. Pasohet nga Banka Botërore e angazhuar për kredi në shumën 106 milionë euro ose 12%, Banka e Këshillit Evropian është angazhuar për dhënie kredie deri në 100 milionë euro, po kaq edhe Banka Evropiane e Investimeve.

Italia dhe Franca kanë dakordësuar secila ofrimin e kredisë deri në shumat respektive 86 dhe 60 milionë euro dhe BERZH ka ofruar rreth 18 milionë euro ose 2 përqind të totalit të kredisë.


Burimi: AID (2022), Komisioni Evropian (2022)
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Një pjesë e këtyre institucioneve financiare, përvec kredisë, kanë ofruar dhe grante për të mbështetur rindërtimin. Konkretisht Banka Evropiane e Investimeve (BEI) ka dhuruar 2.5 milionë euro, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim 1 milion euro dhe Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës 500 mijë euro.  Donatori më i madh është Komisioni Evropian, i cili ka ofruar grantin më të lartë prej 115 milionë euro ose 39 përqind të granteve të akorduara. Një tjetër donator i rëndësishëm janë Emiratet e Bashkuara Arabe që kanë ofruar 70 milionë Euro grant ose 24 përqind të shumës së dhuruar. Turqia ka ofruar gati 45 milionë euro ose 15 përqind të shumës së dhuruar, Gjermania ka dhuruar 11 milionë euro, Zvicra 9 milionë euro, Suedia 5.6 milionë euro, Italia 5 milionë euro,  Katari 4.6 milionë euro, SHBA rreth 4.4 milionë euro, Holanda 3 milionë euro, Polonia 2.7 milionë euro, Greqia 2.5 milionë Euro, Danimarka 2 milionë euro, Serbia 2 milionë euro etj.


Burimi: AID (2022), Komisioni Evropian (2022)
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Një formë tjetër e mbështetjes janë dhe transfertat në natyrë në total rreth 3.4 milionë euro, të dhuruar nga shtete apo organizata, si: Japonia ka ofruar ndihma në vlerën 1.9 miliardë euro, UNICEF në vlerën 700 mijë euro, Caritas Europa në masën 483 mijë euro, Maqedonia në masën 100 mijë euro, Turqia 100 mijë euro, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal 60 mijë euro dhe Malta 50 mijë euro.


Burimi: AID (2022), Komisioni Evropian (2022)
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Pjesa më e madhe e financimeve ndërkombëtare, sidomos ato në shumat më të larta, po menaxhohen drejtpërdrejtë nga donatori, siç është granti nga Turqia përdorur për ndërtimin e njësive të banimit në Kurbin, apo granti nga Emiratet Arabe, nga Komisioni Evropian, Gjermania etj.

Ndërkohë Tenderimet për Programin e Rindërtimit janë listuar dhe mirëstrukturuar në dy databaza të organizatës AIS konkretisht Procedura në Njësive të Qeverisjes Vendore dhe Tenderime të Fondit Shqiptar për Zhvillim.

Shkarko excel: Financimi Ndërkombëtar për Rindërtimin e Dëmeve dhe Humbjeve nga Tërmeti në Nëntor 2019
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Kontribuoi: Blerina Gjaci