Open Data Albania po zbardh ndryshimet e planit të Buxhetit 2022 miratuar me Akt Normativ nr. 3 datë 12.03.2022 si Ndryshime me Akt Ligjor, kundrejt planit origjinal të miratuar në Ligjin nr 115 Për Buxhetin e Vitit 2022. Ky ndryshim vjen për të përfshirë në Buxhetin 2022, efektet buxhetore të Paketës së Rezistencës Sociale, e cila u lancua në datë 12 Mars, pas protestës qytetare disa ditore.

Në planin e ndryshuar të buxhetit, Shpenzime totale janë rreth 647. 7 miliardë Lekë, duke shënuar një rritje prej10 miliardë Leke nga plani origjinal, ose 1.6 përqind më shumë. Financimi i rritjes së shpenzimeve është përllogaritur që do të mbulohet plotësisht nga rritja e të ardhurave, të cilat në planin e ndryshuar rezultojnë 546.8 miliardë Lekë, me një rritje totale 10 miliardë Lekë . Në terma relativ ndryshimi i të ardhurave përllogaritet rreth 1.9 përqind më shumë krahasuar me të ardhurat të planifikuara fillimisht në ligj. Nuk parashikohen ndryshime në deficitin buxhetor të planifikuar, i cili vijon të jetë në shumën (100.8 miliardë lekë) duke nënkuptuar se rreth 16 përqind e shpenzimeve totale në këtë vit financohen me borxh.


Burimi: MFE (2022)
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania


Burimi: MFE (2022)
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Paketa e Rezistencës Sociale që ka çuar në ndryshim buxheti, përmban shtatë masa:

1. Parashikon 3.3 miliardë lekë për indeksimin e pensioneve. Kjo masë do të reflektohet që në pensionin e radhës së 673.542 pensionistëve.

2. Kompensim i rritjes së çmimit të shportës me 3 mijë lekë në muaj për 3 muaj rresht, ku do të përfitojnë 576 mijë qytetarë.

3. Parashikon 1.45 miliardë lekë mbështetje për fermerët me naftë pa taksa.

4. Mbështetje 500 milionë lekë transportin urban  duke paguar diferencën e çmimit të shtuar të biletës.

5. Nga muaji prill do të zerohet tatimi mbi të ardhurat për pagat deri në 40 mijë lekë (max punëmarrësi në 40 mijë lek përfiton 1300 lekë në muaj), do të përgjysmohet tatimi mbi të ardhurën mbi pagat deri në 50 mijë lekë (maksimumi punëmarrësi me pagë 40 deri 50 mijë lek fiton 750 lekë në muaj) dhe do të ulet taksa mbi pagat nga 150-200 mijë lekë.

6. Përshpejton futjen në fuqi të ligjit për pagën minimale, e cila në prill do bëhet 32 mijë lekë. (kjo ngarkon punëdhënës dhe punëmarrës me detyrim për të derdhur sigurime shoqërore dhe shëndetësore për pagë minimale 32 mijë lekë sikurse rrit pagën tavanin për efekt kontribut sigurime shoqërore).

7. Parashikon 28 miliardë lekë për të mbajtur të palëvizur çmimin e energjisë elektrike në faturat e familjarëve dhe bizneseve të vogla.

Ndryshimet e miratuara, prekin katër kategori:  Shpenzime korrente, Fondi rezerve, Shpenzime kapitale dhe Të tjera. Konkretisht, shpenzimet korrente dhe ato kapitale pësojnë reduktim ndërsa fondi rezerve dhe shpenzime të tjera parashikohen me rritje.

Shpenzimet Korrenteplanifikohen më të ulëta 5.8 miliardë lekë ose 1 përqind më pak se plani origjinal. Ky ndryshim lidhet me:

Reduktimin e Shpenzimeve të Personelit me 2.2 miliardë lekë ose 2 përqind, si rezultat i reduktimit të fondit të pagave të planifikuara dhe kontributeve për sigurime shoqërore në institucione buxhetore. Ky ndryshim mund tu paraprijë shkurtimeve të numrit të të punësuarve në institucione buxhetore ose shkurtim i fondit si rezultat i mos konsolidimit të planit për tre mujorin e parë.

Reduktimin e Shpenzime Mirëmbajtjeme rreth 3.6 miliardë lekë ose 6 përqind më pak. Nga kjo shumë, 3.4 miliardë kursehen nga reduktimi i shpenzimeve të mirëmbajtjes në institucione të administratës qendrore. Ndërsa 200 milionë lekë ‘kursehen’ nga ulja e fondit për projekte binjakëzimi që Qeveria parashikon të kryeje në 2022.

Një kategori tjetër e Shpenzimeve korrente në të cilat ka pasur rialokime buxheti por duke mos sjellë rritje apo reduktim buxheti për kategorinë në tërësi është Shpenzime për Fonde Speciale. Në këtë kategori ka ndodhur një ri-alokim prej 730 milionë lekë nga Sigurime Shoqërore në zërin Politika të reja Pensionesh. Ky ndryshim lidhet me masën nr. 1 të indeksimit të pensioneve me inflacionit. Pra nuk ka pasur një rritje buxheti për këtë masë, por qeveria ka reduktuar me 730 milion lekë Transfertën e Buxhetit kundrejt Fondit të Sigurimeve Shoqërore me qëllim që të financoje indeksimin e pensioneve.

Fondi Rezerve ka rritje rreth 5.7 miliardë lekë,ose gati 200 përqind me shumë se plani fillestar. Kjo rritje lidhet drejtpërdrejt me efekte buxhetore të masave të marra, kështu nën këtë kategori është shtuar një zë i ri shpenzimesh Kontigjenca për Paketën e RezistencësSociale që përllogaritet rreth 6 miliardë lekë për përballimin e efekteve buxhetore të masave 2, 3 dhe 4. Gjithashtu në këtë kategori shënon rënie Fondi Rezerve për risqe të paparashikuar që lidhen me njësitë e qeverisë së përgjithshme me 250 milionë lekë dhe eliminohet fondi planifikuar më herët 500 milion lekë Kontigjence Programi ‘Oferta për Fëmijët’ (program i ministrisë së fëmijëve).

Kategoria e tretë e shpenzimeve e ndryshuar, Shpenzime kapitale, planifikohet me rënie rreth 9.95 miliardë lekë ose 8 përqind më pak se plani origjinal. Për të financuar një pjesë të masave sociale do të ketë reduktim të shpenzimeve për investime publike, përkatësisht ulje të financimit të brendshëm rreth 5.2 miliardë lekë ose 8 përqind dhe ulje të financimit të huaj me 4.6 miliardë lekë ose 13 përqind më pak se plani fillestar. Po në kategorinë kapitale, shënon rënie dhe fondi i planifikuar për Transfertë për Shpronësim me 178 milionë lekë ose 15 përqind më pak se plani fillestar.

KategoriaShpenzime të Tjera, shënon rritje me 20 miliardë lekë ose 250 përqind rritje, për të mbështetur masën nr. 7 për subvencionimin e çmimit të energjisë. Në planin fillestar parashikohej 8 miliardë lekë e klasifikuar si hua për energjinë, ndërsa pas ndryshimeve është shtuar një zë i ri ‘Mbështetje buxhetore për sektorin energjetik’  20 miliardë lekë.


Burimi: MFE (2022)
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania


Burimi: MFE (2022)
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Kategoria e të Ardhurave që parashikohen me rritje plani janë të Ardhurat Tatimore dhe përkatësisht të Ardhurat nga Tatimet dhe Doganat.Nga ndryshimet përllogariten me rritje: (i) të ardhurat nga TVSH përkatësisht 7 miliardë ose 4 përqind më shumë se plani origjinal, (ii) të ardhurat nga tatimi mbi fitimin me 2 miliardë ose 6 përqind më shumë, (iii) të ardhurat nga akcizat me 2 miliardë lekë ose 4 përqind më shumë, (iv) të ardhura nga Tatim mbi të ardhura personale me 2 miliardë lekë ose 4 përqind më shumë.

Ndërsa një nga zërat e të ardhurave tatimore parashikohet në rënie, konkretisht të ardhurat nga Taksa Nacionale dhe të Tjera parashikohen rënie në masën 3 miliardë lekë ose 6 përqind më pak se plani origjinal.


Burimi: MFE (2022)
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania


Burimi: MFE (2022)
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Rritja e planit të të ardhurave tatimore merr në konsideratë performancen e dy muajve të parë Janar dhe Shkurt, me mbirealizim plani me 5.1 përqind, si dhe konsiderohet efekti i fakotorëve të tjerë si: rritja e çmimeve në tregjeve ndërkombëtare tek taksat ad-valorem si Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, Kursi i pritshëm i këmbimit të dy monedhave kryesore: USD dhe EURO me Lekun; Çmimet në bursë që ndikojnë në të ardhurat nga TVSH-ja; Sasitë e pritshme të importit të mallrave.

Excel që shoqëron këtë artikull ka të plotë Tabelat Buxhetore me versionin fillestar dhe versionin pas hyrjes në fuqi të Akt Normativ Nr. 3 Ndryshime Buxhetore si Masa të Rezistencës Sociale.

Shkarko excel: Paketa e Rezistencës Sociale e Qeverisë Shqiptare përmes Ndryshime Buxheti i Shtetit Akt Normativ nr 3. Datë 12 Mars 2022
Komente dhe Analiza : Open Data Albania
Kontribuoi: Blerina Gjaci