Open Data Albania po zbardh normën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar TVSH në Rajon (BP) dhe Bashkim Europian (BE) për artikuj bazë të shportës së konsumit. Konkretisht produkte ushqimore, transport dhe energji elektrike, gaz natyror etj. Të dhënat për këtë artikull janë marrë nga databaza tatimore e Komisioni Evropian dhe platforma PWC.

Normat e reduktuara të TVSH filluan të aplikohen gjerësisht pas pandemisë Covid 19, por në Shqipëri ndryshe nga BE nuk ka pasur lehtësime tatimore TVSH-je, në kategori si ushqime baze apo ngrohje dhe energji.

Po njësoj po veprohet edhe gjatë krizës së vitit 2022, vit me vështirësi në tregje për shkak të zhvillimeve në Ukrainë dhe embargove mes Federatës Ruse dhe vendeve që aplikojnë sanksione.

Shqipëria ka nisur aplikimin e TVSH në vitin 1996 dhe që prej atij viti janë rritur ndjeshëm të ardhurat nga tatimi indirekt në buxhet. Norma standarde e TVSH-së rezulton 20 % duke mos ndryshuar që nga aplikimi fillestar.

Por përtej normës Bazë, shtetet aplikojnë në mënyrë konstante apo të përkohshme edhe Tatim në masë të reduktuar. Kjo bëhet për katër arsye tipike: rritje e mundësisë për konsum të shportës bazë si masë për të ndihmuar shtresat në nevojë apo konsumatorët në kohë krizash; inkurajim të konsumit të disa mallrave si psh libri; promovim i disa shërbimeve konkurruese si turizmi; dhe në finale korrigjim i faktorëve të jashtëm në ekonomi.

Krahas normës standard të TVSH, shtetet aplikojnë norma të reduktuara me qëllim rritjen e mundësisë për konsumin e shportës bazë, konkretisht për mallra dhe shërbime si: ushqimi, produktet e energjisë, transporti publik etj.

Thuajse të gjitha vendet e Rajonit, Ballkan Perëndimor dhe EU aplikojnë norma të reduktuara TVSH e disa nivele për grupin e mallrave ushqimorë. Shqipëria është nga pak vende që nuk e aplikojnë TVSH të reduktuar për Ushqimet dhe Produktet e Shportës. Vendi ynë e aplikon TVSH në ndihmë të Turizmit me 6%.

Për produktet ushqimore norma mesatare e TVSH që aplikohet në vende të BE dhe Ballkanit Perëndimor rezulton 9 %, ndërkohë që në Shqipëri ushqimet tatohen me normë standarde 20 %.

Pjesa dërrmuese e vendeve aplikojnë norma të reduktuara apo përjashtime për artikujt bazë. Duke nisur me Finlandën i cili renditet me normë më të lartë të diferencuar 14 % në ushqime, vijojmë me Greqinë normë 13 %, Suedia 12 %, Austria Ceki, Sllovaki, Slloveni, përkatësisht 10 %, Bullgaria 9 %; Holandë 9 %; Gjermani 7 %; Portugali 6 %; Kroacia 5 %; Qipro 5 %; Letonia 5 %; Hungari 5 %; Polonia 5 %; Rumania 5 %; Spanja 4 %; Itali 4 %; Luksemburg 3 %, Francë 2 %. Vende si: Belgjikë, Irlandë dhe Maltë aplikojnë normën zero % në artikuj bazë.

Duke mos aplikuar TVSH të reduktuar për Ushqimet, Shqipëria mbetet vendi me përqindjen të lartë të TVSH së për Ushqime në Europë dhe Ballkan Perëndimor.

Ndërkohë që Serbia në artikuj bazë aplikon 10 %, Kosova 8 %, Mal i Zi 7 %, Maqedonia e Veriut 5 %. Edhe Bosnjë Hercegovinë që nuk aplikon normë të reduktuar, ka një barrë fiskale më të ulët, pasi norma standarde është 17 %, sërish më e ulët së e Shqipërisë.


Të dhënat: EU, PwC (2022)
*Irlande-TVSH 0% per Furnizimi me mallra ushqimore si bukë, gjalpë, djathë, drithëra, erëza, miell, fruta, barishte, mish, qumësht, makarona, pasta, salca, supa, erëza, sheqer dhe perime; ushqime të kafshëve
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania


Të dhënat: EU, PwC (2022)
*Irlande-TVSH 0% per Furnizimi me mallra ushqimore si bukë, gjalpë, djathë, drithëra, erëza, miell, fruta, barishte, mish, qumësht, makarona, pasta, salca, supa, erëza, sheqer dhe perime; ushqime të kafshëve
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Edhe pse në BE ka vende që aplikojnë normë standardë TVSH 20 % ose më shumë se Shqipëria, ato bëjnë diferencime dhe aplikojnë norma më të reduktuara në artikuj bazë ushqimore, si bukë, miell, drithëra, sheqer etj. Vendet me normë 20 % sa Shqipëria, të tilla si Austria, Sllovakia, Bullgaria, Franca në ushqime bazë aplikojnë norma nga 2-10% duke rritur mundësinë e përballimit të shportës bazë.


Të dhënat: EU, PwC (2022)
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Vendet që aplikojnë norma të reduktuara TVSH si më lart, pra Francë, Spanjë, Italia, Kroacia, Gjermani etj, i aplikojnë për ushqime bazike si: bukë, miell, drithëra, qumësht, sheqer etj, ndërkohë që mund të aplikojnë dhe shkallë të tjera tatimore për artikuj të tjerë ushqimorë. Kështu me disa shkallë tatimore për produkte të ndryshëm ushqimore, rezulton: Italia që taton produktet ushqimore me norma të reduktuar 4, 5 dhe 10 %, Franca me norma 2.1 %, 5.5 %, 10 dhe 20 %, Spanja 4 dhe 10 %, Irlanda 0%, 5 %, 9 dhe 13.5 %, Gjermania 7 dhe 19 %, etj. Në secilin rast shkalla më ulët tatimore aplikohet në artikuj bazë, psh Irlanda aplikon 0 % për furnizim me mallra ushqimore si bukë, gjalpë, djathë, drithëra, miell, fruta, qumësht, makarona, pasta, salca, supa, sheqer dhe perime, ushqime të kafshëve, Spanjë aplikon normë 4 % për produkte si bukë; miell; qumësht; djathë; vezë; frutat, perimet, zhardhokët dhe drithërat.


Të dhënat: EU, PwC (2022)
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania


Të dhënat: EU, PwC (2022)
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Produkte ushqimore janë dhe pijet alkoolike por duke mos qenë artikuj bazë, tatohen përgjithësisht me norma standarde, ndërsa pije joalkoolike si ujë natyral, lëng frutash, limonada në shumë vende tatohen me TVSH të reduktuar, psh Luksemburg, Francë, Belgjikë, Holandë, Rumani, Slloveni etj.


Të dhënat: EU, PwC (2022)
* Luksemburgu mung aplikoje dhe tvsh 14% për verë
** Austria mund të aplikojë dhe tvsh 13% për Verë
*** Greqia vetem TVSH uje mineral 13%
**** PT dhe normen 6% për lengje frutash
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Një kategori tjetër bazë janë dhe produktet energjisë si elektriciteti, gazi natyror që përdoren dhe për konsum familjar, ngrohje etj, për të cilat shumë vende aplikojnë normë të reduktuar TVSH. Shqipëria aplikon normën standarde 20 % dhe për energjinë elektrike, duke e tejkaluar kështu dhe norme mesatare 18 % në vendet e shqyrtuara. Vendet që aplikojnë TVSH të reduktuar për energji elektrike dhe gaz natyror janë: Itali me TVSH 10 %; Luksemburg 8 %; Greqia 6 %; Francë 6 % dhe Maltë dhe Kroacia 5 dhe 13 % vetëm për energjinë elektrike. Në vendet e rajonit, Kosova aplikon normën 8 % në furnizimin me energji elektrike, Maqedonia e Veriut 5 % për konsum familjar.


Të dhënat: EU, PwC (2022)
Kroacia* Tvsh 13 dhe 25 % për energji elektrike
Malta** TVSH 5 % per energji elektrike, ndërsa gazin e përjashton dhe me 18%
Holandë (NL)*** për aktivitete të caktuara izoluese të kursimit të energjisë në shtëpi
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Po kështu dhe në transportin publik, Shqipëria rezulton ndër vendet që aplikon normë më të lartë TVSH 20 %, ndërkohe që norma mesatare në kategori është rreth 11 %. Shumica e vendeve që aplikojnë TVSH më të ulët se norma mesatare, kështu Ceki, Austri, Finlandë, Spanjë, Francë e deri tek Suedia norma e TVSH në transport publik varjon nga 10 në 6 %, ndërsa Irlanda dhe Kosova bëjnë përjashtime nga tatimi në këtë kategori. Shqipëria aplikon lehtësim TVSH në 6 % vetëm për automjete elektrike.


Të dhënat: EU, PwC (2022)
*Irlanda: Transporti pasagjereve kategori e përjashtuar
** Kosova e përjashton
Për një “mall me norme zero”, qeveria nuk e takson shitjen e saj, por lejon kreditimin për tatimin mbi vlerën e shtuar të paguar për inputet. Nëse një mall ose biznes është “i përjashtuar”, qeveria nuk e takson shitjen e mallit, por prodhuesit nuk mund të kërkojnë një kreditim për TVSH-në që paguajnë për inputet për ta prodhuar atë.
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Përveç lehtësirave në kontekstin e pandemisë, disa vende kanë ndërmarrë së fundmi ndryshime në norma TVSH dhe për të përballuar efektet inflacioniste globale të 2022.

Kështu Turqia e cila ka një normë  standarde 18 % dhe aplikon norma të reduktuara 8 dhe 1 %, ka vendosur që për të mirat si: ujë, vezë, produkte të qumështit, kafe, çaj, fruta dhe perime të reduktoje TVSH nga 8 në 1 %.

Finlanda ka vendosur të zgjasë përjashtimin e përkohshëm të TVSH-së për gjashtë muaj deri në fund të qershorit 2022. Zgjatja zbatohet për shitjet e brendshme të mallrave dhe blerjet brenda BE-së të artikujve të përdorur për të parandaluar, testuar dhe trajtojnë koronavirusin.

Republika e Kongos miratoi së fundmi përjashtim nga TVSH për furnizimet e tregut të naftës, ulje e TVSH-së në 8 % për disa produkte ushqimore thelbësore.

Polonia ka vendosur aplikimin e norme të reduktuar TVSH në 8 % për petrolin, 0 % për produkte bazë ushqimore, fertilizer dhe për gaz, 5 % për elektricitet dhe ngrohje.

Moldavia ka zgjatur më tej normën e reduktuar të TVSH-së prej 6 %. Tarifa vlen për mallrat dhe shërbimet e kryera nga sektori i hotelerisë dhe restoranteve.

Maqedonia ka ndërmarr ulje të TVSH-së për produktet bazë nga 5 në 0 për qind. (bukë, sheqer, miell tip 400, vaj për ushqim, qumësht, mish i freskët, oriz dhe vezë”.


Të dhënat: EU, PwC (2022)
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Qeveria Shqiptare megjithëse ka ndërmarrë një Paketë Masash për përballimin e Krizës ekonomike dhe vështirësive të konsumatorëve të shtresës në nevojë, ka refuzuar të konsiderojë Tatim të reduktuar për Konsumin e Ushqimeve apo Shportës. Duke gjykuar mbi të ardhurat tatimore dhe doganore të arkëtuara në muajt Janar dhe Shkurt, në datën 12 Mars Qeveria ndryshoi me akt normativ Plan Buxhetin 2022, duke planifikuar më 10 miliard më shumë të ardhura nga Tatimet. Baza tatimore dhe sidomos ajo e TVSh rritet sa herë që rritet çmimi i produkteve të importit duke rënduar kostot e konsumit edhe përmes 20% TVSH mbi çmimin bazë të rritur.

Shkarko excel: Tatimi mbi Konsumin e Produkteve Ushqimore, Energjisë dhe Transportit, TVSH Shqipëri kundrejt EU dh Rajoni, 2022
Komente dhe Analiza : Open Data Albania
Kontribuoi: Blerina Gjaci