Open Data Albania po hulumton mbi tregtinë e jashtme të Federatës Ruse sipas grup-mallrave dhe vendeve partner tregtar. Kjo analizë po bëhet në mënyrë që të kuptojmë më mirë se për cilat produkte mund të kemi mungesa në tregun botëror, apo vendin tonë. Do të shohim gjithashtu se cilat vende kanë importuar më shumë, përgjatë 3 viteve të fundit, për këto, 10 grup mallra kryesore, me peshën më të madhe në eksportet e Federatës Ruse. Në momentin e embargos dhe sanksioneve mungesa e eksporteve Ruse mund të rezultojë në risk më të madh për mungesa.

Rreth 14% e totalit të eksportit të Rusisë, shkon drejt Kinës, pasojnë Holanda, Gjermania dhe Turqia në vendin e dytë deri në të katërt. Turqia nuk ka shpallur ndonjë embargo mallrash e po njësoj edhe Bjellorusia që është partneri numër pesë i Rusisë sa i takon eksporteve.  Vende të tjera që kanë vënë sanksione kundrejt Federatës Ruse, janë: Mbretëria e Bashkuar, Italia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Koreja e Jugut. Kazakistani mban vendin numër tetë në renditje dhe është gjithashtu vend pa sanksione. Lista e vendeve me sanksione reciproke.


Burimi: Qendra Ndërkombëtare e Tregtisë
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Edhe në Importe vendin e parë në listë për mallra që hyjnë në Federatën Ruse e zë po Kina. Lista e vendeve që Importojnë mallra në Rusi është pothuajse e njëjtë me listën e Eksporteve.


Burimi: Qendra Ndërkombëtare e Tregtisë
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania


Burimi: Qendra Ndërkombëtare e Tregtisë
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Duke analizuar eksportet e Federatës Ruse sipas grup-produkteve, rezulton se pjesa më e madhe e eksporteve në vlerë përbëhet nga lëndët djegëse. Kjo shpjegon edhe faktin që menjëherë pas agresionit Rus në Ukrainë, çmimi i karburanteve dhe lëndëve të tjera djegëse u rrit në tregjet botërore. Oferta botërore e lëndëve djegëse, në rastin e bllokimit të plotë të Rusisë do të ulet me mbi 10 % të totalit të eksporteve botërore. Kjo nuk është absolute pasi jo të gjithë vendet po aplikojnë sanksion. Përkatësisht në vitin 2019, Federata Ruse ka qenë eksportuesi më i madh në Botë për lëndët djegëse, duke zënë 10.74 % të totalit botëror. Në vitin 2020, ishte në vendin e tretë me 8.85 %, ndërsa në vitin 2021 pritet, kur të dhënat të publikohen nga të gjitha vendet, që ajo të jetë përsëri në vendet e para, duke qenë se ka rritur eksportet në vlerë për karburantet dhe lëndët djegëse me 58.6% në krahasim me vitin 2020.


Burimi: Qendra Ndërkombëtare e Tregtisë
*Për vitin 2021 pesha në eksporte botërore është llogratur ndaj totalit të eksporteve botërore të vitit 2019, duke qenë se për vitin 2021, akoma jo të gjitha shtetet I kanë nxjerrë të dhënat.
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania


Burimi: Qendra Ndërkombëtare e Tregtisë
*Për vitin 2021 pesha në eksporte botërore është llogratur ndaj totalit të eksporteve botërore të vitit 2019, duke qenë se për vitin 2021, akoma jo të gjitha shtetet I kanë nxjerrë të dhënat.
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Grup Malli i dytë më i shitur dhe eksportuar nga Rusia pas lëndëve djegëse është grupi “Perla Natyrorë, Gurëve të çmuar dhe Metale të çmuara”.  Rusia mban 4% të totalit botëror. Për vitin 2020, në lidhje me këtë produkt ka qenë e renditur e gjashta në listën botërore. Vendet importuese kryesore janë Mbretëria e Bashkuar, SHBA dhe Belgjika. Mbretëria e Bashkuar ndikohet jashtëzakonisht shumë, duke qenë se e vetme merr mbi 50 % të vlerës së këtyre eksporteve.

Përsa i përket grup-mallit Hekur dhe çelik, zënë vendin e tretë të totalit të  eksporteve Ruse, me rreth 5% të totalit botëror për  vitin 2020 dhe me rritje të konsiderueshme për vitin 2021. Në lidhje me këtë grup-produkt, Rusia zë vendin e pestë në botë. Turqia, Meksika dhe Belgjika, marrin pjesën më e madhe e eksporteve për këtë grup-malli Rus.

Federata Ruse për eksportin e Plehëruesve zë vendin e parë në botë, por ky grup zë vendin e katërt përsa i përket vlerës totale të eksporteve Ruse. Në vitin 2020, eksportet Ruse përbënin 12.6 % të totalit botëror të eksporteve, ndërkohë që eksportet për vitin 2021 janë rritur me 78.5%. Vendet që marrin vlerën më të lartë të importeve nga Rusia janë Brazili, SHBA dhe Kina. Në lidhje me këtë produkt, në Shqipëri, Rusia është eksportuesi më i madh me 28.5 % të vlerës totale që ne marrim nga jashtë.

Kategoria e produkteve “Dru dhe Artikuj prej druri, qymyr druri” zënë vlerën e pestë të totalit të eksporteve Ruse. Rusia është eksportuesja e katërt më e madhe në botë e tyre, me më shumë se 6% të totalit botëror. Partnerët kryesor në blerje, për këtë grup-produkt janë Kina, Finlanda  dhe Japonia.  

Grup-Malli “Makineri, pajisje mekanike, reaktorë bërthamorë, kaldaja; pjesë të saj” dhe grup-malli  “Plastika dhe artikujt prej saj”, zënë një pjesë relativisht të madhe të totalit të eksporteve Ruse, përkatësisht vend të gjashtë dhe dhjetë në listim.

Federata Ruse është një nga prodhuesit më të mëdhenj të drithërave në Botë pas  Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ukrainës. Ajo eksporton rreth 10 % të totalit botëror, duke përbërë kështu një pjesë relativisht të madhe të tregut. Vendet kryesore importuese nga Rusia janë Turqia, Egjipti dhe Arabia Saudite. Federata Ruse është eksportuesi kryesor për drithëra në Shqipëri, për 2021 përbëjnë 41.3% të blerjeve tona nga Jashtë.

Për grup-mallrat “Alumini dhe artikujt prej tij”, dhe Xeherore, skorie dhe hi, Rusia është në 10 vendet më të mëdha eksportuese në Botë, me peshë ndaj totalit nën 5%.


Burimi: Qendra Ndërkombëtare e Tregtisë
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Përveç këtyre 10 grup-mallrave që renditëm më lart, janë disa grupe të tjera që kanë peshë relativisht të vogël në totalit e eksporteve Ruse, por janë domethënëse në totalin e eksporteve botërore pasi Rusia është në listën me dhjetë vendet me më shumë treg. Të tilla janë grupet “Vajra dhe yndyra shtazore e vegjetale”; “Brumi i drurit apo i materialeve të tjera fibroze celulozë”; “Metale të tjera bazë”; “Plumbi dhe artikujt prej tij”;  dhe “Eksplozivët, produktet piroteknike, shkrepëset”.

Për eksportin e “Nikel dhe artikujt të tij”,  Federata Ruse zë vendin e parë në botë.

Duke shikuar në detaje eksportet e Federatës Ruse vërejmë se oferta botërore e shumë produkteve është reduktuar për shkak të fillimit të agresionit Rus në Ukrainë.  Në totalin e eksporteve botërore, eksportet e Federatës Ruse zënë vendin e 16-të, me 1.93 % të totalit botëror.

Shkarko excel: Eksportet Ruse sipas grup-mallrave kryesore, pozicionimi i saj në tregun ndërkombëtar
Komente dhe Analiza : Open Data Albania
Kontribuoi: Ilir Brasha