Open Data Albania po hulumton mbi vlerën dhe ecurinë në vite së detyrimeve kontingjente nga Koncesionet PPP. Këto janë kontigjenca të klasifikuara ‘Jashtë’ Bilancit Qeveritar. Ky indikator do të hulumtohet edhe si raport apo peshë mbi Produktin e Brendshëm Bruto PBB.

Në vitin 2020, analiza krahasimore, Artikull mbi Detyrimet Kontigjente për PPP, publikuar nga Open Data Albania, evidenton se Shqipëria është shteti Europian me peshën më të lartë të detyrimeve kontingjente kundrejt Produktit Kombëtar Bruto.

Sipas Ministrisë sё Financave, tё gjitha projektet koncesionare apo PPP janë klasifikuar ‘Jashtë’ Bilancit të Qeverisë dhe pagesat qё realizohen nga Buxheti i Shtetit nё njё vit tё caktuar përfshihen tek zëri i shpenzimeve korente apo kapitale tё atij viti. Ndёrkohё pagesat e tjera qё duhet tё paguhen nё vitet e ardhshme, nuk llogariten nё bilancin qeveritar tё vitit aktual.

Vlera totale e kontratave tё koncesionit PPP me mbështetje financiare nga Buxheti i Shtetit ёshtё rreth 226.28 miliardë Lekë apo e konvertuar nё Euro nё vlerёn rreth 1.82 miliardë Euro.



Tabela: Total Pagesa Buxhetore, Vlerë Kontrate dhe Detyrime kontigjente të PPP klasifikuara ‘jashtë’ bilancit, në mijë Lekë
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Shuma totale e paguar pёr koncesionet deri nё fund të vitit 2021 ёshtё rreth 56.3 miliardë Lekë apo 481.3 milionë Euro. Sipas përllogaritjeve tё OpenData.al, këto detyrime qё lindin nga koncesionet PPP tё klasifikuara ‘Jashtë’ Bilancit janë rreth 9% e PBB nominale tё vlerësuar pёr vitin 2021.

Ndër vite ka patur një rritje të detyrimeve kontigjente ndaj PBB-së, kjo si rezultat i nënshkrimit të Kontratave të reja të Koncesionit PPP me mbështetje buxhetore nga ana e Shtetit Shqiptar.



Burimi: MFE, Statistika Fiskale Vjetore
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Sipas përllogaritjeve, vlera më e lartë e detyrimeve është arritur në vitin 2019, me rreth 11.3% e PBB-së. Në këtë vit janë finalizuar të gjitha marrëveshjet për projektet Koncesion PPP të vlerësuara për tu mbështetur nga Buxheti i Shtetit. Ndërkohë për vitin 2020, sipas Eurostat, detyrimet qё lidhen me PPP qё klasifikohen ‘Jashtё’ Bilancit tё Qeverisё në asnjë nga vendet Europiane nuk shkojnë mё shumë se rreth 2.5% tё PBB-sё.



Burimi: MFE, Statistika Fiskale Vjetore
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Koncesione PPP të klasifikuara ‘Jashtë’ Bilancit Qeveritar, janë ato koncesione ku Pala Private mbart riskun e ndërtimin, si dhe të paktën njërin prej risqeve si risku i disponueshmërisë apo riskun e kërkesës. Detyrimet kontigjente janë detyrime tё cilat mund tё aktivizohen si rezultat i ndodhjes sё njё ngjarjeje nё tё ardhmen. Duke qenё se Koncesionet dhe PPP nё Shqipёri klasifikohen si ‘Jashtё’ Bilancit tё Qeverisё, kjo nënkupton se pjesa e papaguar ende e pagesave Buxhetore pёr këto koncesione me mbështetje buxhetore, përfshihet tek detyrimet kontigjente.


Pavarësisht rënies së dukshme në vitin 2021, Raporti i Detyrimeve Kontigjente ndaj PBB-së pritet të rritet në vitin 2022 për shkak të miratimit të Kontratës së Koncesionit PPP “Për projektimin, Ndërtimin, Operimin, Mirëmbajtjen dhe transferimin e aksit rrugor Thumanë- Vorë – Kashar  me shoqëri zbatuese G2 Infra sh.p.k, e cila ka të parashikuar një Garanci Trafiku prej 22.81 milionë Euro. Gjithashtu kontigjenca shtesë vijnë edhe si rezultat i vlerës prej 17.86 miliardë Lekë, e cila i shtohet vlerë totale të kontratës së koncesionit Për Ndërtimin, Operimin dhe Mirëmbajtjen e Rrugës së Arbrit me shoqëri zbatimi Gjoka 87, e publikuar kjo në Relacionin të Buxhetit për vitin 2022 në ‘Listën e Koncesioneve Aktive dhe të Planifikuara’, pa dhënë asnjë shpjegim për këtë ndryshim

Të dhënat mbi Regjistrin Koncesionar dhe shoqëritë koncesionare të portalit Open Corporates Albania. Po njësoj në portalin Open Data Albania janë të publikuar disa analiza dhe hulumtime mbi Koncesione. Regjistri Koncesionar dhe artikuj hulumtues realizohen në kuadër të projektit Open Data, Access and Transparency over sectors to Risk of Corruption.

Shkarko excel: Detyrime Kontingjente Koncesione PPP ndër vite 2015-2021
Komente dhe Analiza : Open Data Albania